Bllokohen 1.4 ton vaj jashtë standardeve

Rreth 1.4 ton vaj ulliri dhe misri, që ambalazhohej në një bodrum në kushte të papërshtatshme, janë bllokuar sot nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Korçë.

Inspektorët e AKU, bashkë me efektivët e Antikrimit Ekonomik, inspektuan subjektin e prodhimit të vajit në Lagjen Nr.10 të Korçës, i cili rezultoi edhe me një sërë mangësish ligjore.

“Nga inspektimi rezultoi se, subjekti operonte në një ambient (garazh) me kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme për ushtrimin e një aktiviteti të tillë. Ndërkohë, produkteve të tij, vaj misri dhe vaj ulliri, iu mungonte sistemi i gjurmueshmërisë, si dhe miratimi i etiketave. Ndërkohë që subjekti në fjalë nuk kishte licencë për prodhim, ambalazhim dhe tregtim të produkteve ushqimore, por ishte i regjistruar si person fizik në QKR. Në këto kushte, inskeptorët e AKU bllokuan një sasi prej 1381 litrash vaj”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

Nga ana tjetër, sipas AKU-së për sasitë e bllokuara u morën mostra dhe u dërguan për analizë në ISUV, ndërkohë subjekti u gjobit me 800.000 lekë dhe u bllokua në mënyrë të menjëhershme.

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne