FATOS LUBONJA

Deri ditët e fundit ambas adori amerikan Lu e la në suspens shpjegimin e deklaratës së tij se katër klane dhe njëzet familje kontrollojnë vendin. Kjo bëri që ajo të komentohej gjatë gjithë javës që shkoi si asnjë lajm tjetër. Më skeptikët thanë se kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo ekzagjerim të medieve, sepse ambasadori deklaroi edhe se është i lumtur në Shqipërinë e Ramës, jo si ata 56% që duan të ikin. Disa thanë se ky ishte një reagim emocional, që e kishte nxjerrë ambasadorin jashtë kornizave të diplomatit. Edi Rama tha se kjo ishte një ndihmë që po i jepte ambasadori në luftën kundër krimit. Por më të shumtët e interpretuan deklaratën e tij si një “bombë” të hedhur kundër qeverisë. Dhe ky interpretim, duke pasur parasysh mbështetjen që i ka dhënë Lu qeverisë Rama, u bë problemi i problemeve. Sepse pyetja që ngrihej logjikisht ishte: mirë që e kontrollojnë vendin, por si e kontrollojnë? Cili është raporti i këtyre kontrollorëve me kontrollorin e madh: shtetin dhe qeverinë? Mos ambasadori mendon se shteti ndihet shumë i dobët përpara këtyre klaneve që janë të mirëorganizuar? Apo se ka disa segmente të shtetit që janë të lidhur me krimin? Apo ka filluar të mendojë edhe ai, si një pjesë jo e vogël, se krimi dhe shteti janë e njëjta gjë në Shqipërisiç ndodhi edhe me ambasadorin Arvizu që andej nga fundi i mandatit e mori vesh se ç’ndodhte te ne? Kategoria e këtyre komentuesve filloi të ndërtojë shpresën se Amerika e mori vesh, më në fund, se çfarë po ndodh në Shqipëri, e njohu fytyrën e vërtetë të Edi Ramës dhe tani gjërat do të ndryshojnë, se s’mund të lejojnë ata një gjendje të tillë. Shikoni kur të nxisin popullin të ngrihet në kryengritje, (se kot nuk foli ambasadori për të drejtën e popullit për të përmbysur qeveritë), apo kur të vijnë ata të FBI-së ta pastrojnë vetë vendin nga krimi.

auto_Fatos_Lubonja1477810771

Mirëpo më në fund ambasadori foli prapë e dha një përgjigje që na i davariti këto hamendje të shumta. Nëpërmjet një komunikimi virtual me gazetarin Skënder Minxhozi ai iu drejtua politikanëve që të mos grinden me njëri-tjetrin, por të punojnë për të futur në burg kriminelët. Nëse deklarata e parë mund të quhej bombë, kjo e dyta na bëri t’i vëmë bombës epitetin lotsjellëse.

Po si ka mundësi të mos të të vijë për të qarë kur sheh se ambasadori ende nuk e paska marrë vesh se këta nuk mund të presin degën ku janë ulur? Po si të mos qash kur mendon se gjithë ajo ambasadë, gjithë ai personel nuk ka fare memorie institucionale, por punuakan si institucionet tona që kur ikën një shef merr me vete krejt personelin, me gjithë kompjuterët, dhe tjetri vjen e fillon nga zeroja. Nuk e dinë këta se kjo e lidhjes me krimin është një histori në vazhdim, se struktura jonë autoritare vertikale e pushtetit nuk lejon as të imagjinohet se dikush mund të guxojë të ndërtojë një shtet që kontrollon shtetin pa bashkëpunimin me shtetin. A nuk kanë këta fare ndonjë dokument që flet për lidhjet e hershme dhe të reja të Kryeministrit (dhe jo vetëm) me trafikantët, për televizionet e ngritur me paratë e drogës, për kryebashkiakët trafikantë, për deputetët vrasës etj? Le që s’ka nevojë të kesh memorie fare, se lidhjet me krimin këtu duken sheshit. A nuk e sheh ambasadori se pasi Erjon Veliaj na tha se kemi me mijëra apartamente bosh tani kryeministri ka lançuar një plan ndërtimi kullash dhe qendrash tregtare që s’ka shqiptar që s’e di se nuk mund të ndërtohen përveçse nga paratë e krimit dhe kanabizimit?

Me një fjalë: a mund të mendohet se ambasadori nuk e di këtë gjendje që në anglisht e quajnë “state captured” (shtet i kapur). Personalisht nuk e besoj këtë. Kam një mendim tjetër që më bën të mendoj se deklarata e ambasadorit ishte një tërheqje veshi për gjeneralët se disa nga ushtarët e tyre të krimit po bëjnë ca si shumë zullume dhe po prishin imazhin që mezi e kemi ndërtuar me vetingun, prandaj duhet të futin brenda ndonjë syresh, qoftë edhe sa për sy e faqe! Dhe këtë arsyetim unë e lidh me rëndësinë që kam parë t’u japin amerikanët demokracisë dhe shtetit të së drejtës në raport me rëndësinë që u japin lidhjeve direkte me politikanët autokratë që drejtojnë vende si ky i yni. Kur kujtoj presionin që ushtroi dyshja Arvizu – Rama për të sjellë mbetjet siriane të armëve kimike në Shqipëri, me gjithë protestat popullore, kur kujtoj se në SHBA u bë nami vetëm për dy ujgurë që deshën t’i fusnin në territorin amerikan, kurse Berisha ua pranoi të gjithë, kur kujtoj se muhaxhedinët u refuzuan nga vende shumë më të fuqishme europiane sesa i yni, kurse Rama ua hapi portat kanat, them me vete: këtyre u intereson që vendi ynë të drejtohet më mirë nga autokratë që përdorin edhe paratë e mafies për të bërë një foto me presidentin e Amerikës, sesa nga demokratë që e kanë një lloj dinjiteti dhe kërkojnë që edhe vendi i tyre të ketë dinjitet në mes të vendeve ku sundon ligji.

Prandaj ngulmoj se në vend të shpresës te bombat e ambasadorëve, që shpesh na dalin lotsjellëse, është më mirë t’i ndërtojmë shpresat mbështetur në atë thënien tonë të urtë: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”./ panorama

22