Boshnjakët që ranë dëshmorë në Çanakala u përkujtuan në Kosovë

Instituti “Yunus Emre” (YEE) ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore për boshnjakët që kanë rënë dëshmorë në Luftën e Çanakalasë, kryesisht nga rajonet Jupa dhe Podgora që ndodhen në afërsi të Prizrenit.

Në ceremoninë e zhvilluar në fshatin Reçan në afërsi të Prizrenit morën pjesë ministri i Administratës Publike i Kosovës dhe kreu i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP)Mahir Yаğcılar, ministri i Zhvillimit Rajonal Rasim Demiri, ambasadori i Turqisë në Kosovë Çağrı Sakar, Konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren Eylem Altunya, deputetja e “koalicionit Vakat” të boshnjakëve në Kosovë Duda Balje, kryetari i delegacionit turk në misionin e forcave të paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë koloneli Numan Baş, drejtori i Institutit “Yunus Emre” Prishtinë (YEE) Mehmet Ülker, përfaqësues nga organizata dhe institucione të ndryshme turke, si dhe popullatë boshnjake.

Në një fjalim të mbajtur para të pranishmëve, ministri Demiri tha se Turqia duhet të mbrojë popullin boshnjak që jeton në Kosovë dhe të cilët, siç tha ai, kanë sakrifikuar jetën e tyre në mbrojtje të Stambollit duke rënë dëshmorë atje.

“Shpresoj që të vazhdojë mbështetja e treguar kohët e fundit në ndërgjegjësimin e kësaj përgjegjësie”, u shpreh Demiri.

Ambasadori Sakar, nga ana e tij, theksoi se nga këto territore mijëra turq, boshnjakë, goranë dhe shqiptarë, që i dhanë zemrën thirrjes së Stambollit dhe Anadollit, kanë luftuar me guxim krah për krah me ushtarët turk në Çanakala.

“Shumë nga vëllezërit tanë nga Kosova kanë rënë dëshmorë në këtë luftë. Për këtë arsye, është shumë e vlefshme që unë të jem bashkë me ju që keni humbur të afërmit tuaj në betejën e Çanakalasë ose që keni dëgjuar për kujtimet, dhimbjet dhe heroizmin e tyre, për këtë luftë dhe keni hapur një vend të veçantë në zemrat tuaja për Çanakalanë”, tha Sakar.

Ndërkaq, deputetja Balje duke theksuar se varrezat e dëshmorëve të Çanakalasë i ka vizituar për herë të parë në moshën 6-vjeçare me gjyshin e saj, shtoi se, “Populli ynë shkoi me vrap drejt thirrjes së bërë për të mbrojtur islamin dhe Turqinë, të cilën boshnjakët e shikojnë si vendin e tyre. Do të jem gjithmonë krenare për vendosmërinë dhe vullnetin që kanë treguar dëshmorët tanë”.

Në ceremoni historianët boshnjakë folën për betejën e Çanakalasë, ndërsa nxënësit boshnjakë recituan poezi boshnjake rreth Çanakalasë, si dhe u luajtën valle folklorike. (Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne