Bota në krizë politike, mos zgjidhni të keqen më të vogël!

Slavoj Zhizhek

Derisa lexoj për betejën e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar me Brexit-in, asociacioni im i parë gjithmonë është i ndërlidhur me Stalinin. Në fundvitet 1920, gjeorgjiani u pyet nga një gazetar se cili devijim ishte më i keq – i djathti (i Buharinit me shoqëri), apo i majti (Trocki me bashkëpunëtorë)?

Përgjigja e tij ishte: “Të dyja janë më të këqija!”.

Vërtet, është shenjë pikëlluese e telasheve tona që, kur ballafaqohemi me një zgjedhje politike dhe duhet të pozicionohemi për një anë, edhe nëse ajo është më pak e keqe, shumë shpesh përgjigja që imponohet është: “Por, të dyja janë të këqija!”.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se të dyja polet e alternativave janë të njëjta. Në situatat konkrete, ne duhet që, për shembull, kushtimisht t’i përkrahim protestat e Jelekverdhëve në Francë, ose ta bëjmë një pakt taktik me liberalët për bllokimin e kërcënimeve fundamentaliste ndaj lirive tona (kur fundamentalistët dëshirojnë t’i kufizojnë të drejtat për abort, ose të ndjekin haptas politika raciste).

Sidoqoftë, kjo do të thotë që shumica e zgjedhjeve tona të cilat na imponohen nga mediat e mëdha janë zgjedhje të gënjeshtërta – funksioni i tyre është që ta mjegullojnë opsionin e vërtetë.

Është një leksion i trishtueshëm që duhet ta marrim prej kësaj: nëse njëra palë e konfliktit është e keqe, pala tjetër nuk është domosdoshmërisht e mirë.

Për zgjedhjet e zymta

Ta marrim në konsideratë situatën e sotme në Venezuelë: e duam Maduron apo Guaidon? Të dyja janë më të këqijat, ndonëse jo në kuptim të njëjtë. Maduro është “më i keq” sepse sundimi i tij e solli Venezuelën në fiasko të plotë ekonomike, derisa shumica e popullit jeton në varfëri të mjerueshme, situatë e cila nuk mund t’i atribuohet vetëm sabotimit nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.

Mjafton ta kujtojmë dëmin e pashlyeshëm të cilin regjimi i Maduros ia ka bërë idesë së socializmit: për dekada me radhë do të detyrohemi t’i dëgjojmë variacionet e llojit: “Doni socializëm? Shikojeni Venezuelën”.

Sidoqoftë, Guaido nuk është më pak “më i keqi”: në kohën kur e filloi presidencën e supozuar, pa dyshim se u bëmë dëshmitarë të një puçi të orkestruar mirë nga Amerika, e jo të një kryengritjeje autonome popullore (që është saktësisht koncepti “më i miri” që iu mungon alternativave të Maduros dhe Guaidos të cilat janë “më të këqijat”).

Ne nuk duhet t’i shmangemi aplikimit të së njëjtës logjikë edhe ndaj luftës mes populistëve dhe liberalëve të establishmentit, gjë që i karakterizon demokracitë perëndimore aktualisht. Sa i përket politikës amerikane, kjo do të thotë se përgjigja në pyetjen: “Kush është më i keq, Trump apo Clinton (ose tash Pelosi)?”, duhet të jetë: “Të dy janë më të këqijtë!”.

Trump është, natyrisht, “më i keqi”: agjent i “socializmit për të pasurit”, rrënues sistematik i normave të jetës së civilizuar politike, çmontues i të drejtave të pakicave dhe injorues i kërcënimeve ndaj ambientit tonë, mes tjerash.

Mirëpo, në një kuptim tjetër, establishmenti demokratik gjithashtu është “më i keqi”: asnjëherë s’duhet të harrojmë se ishte dështimi i brendshëm i establishmentit demokratik ai i cili krijoi hapësirë për populizmin e Trumpit. Kështu, hapi i parë në mposhtjen e Trumpit është kritika radikale e elitave të ngurtësuara. Pse Trump dhe populistët tjerë mund t’i shfrytëzojnë frikërat dhe ankesat e njerëzve të rëndomtë? Sepse njerëzit ndihen të tradhtuar nga pushtetarët.

Çfarë do të thotë kjo, konkretisht? Mes tjerash, do të thotë se, ndonëse mund të tingëllojë e neveritshme, e majta nuk duhet të ketë frikë që të mësojë edhe nga Trump.

Aftësia për mashtrime

Si operon Trump? Shumë analistë mendjehollë kanë theksuar se ndonëse ai nuk i cenon ligjet ose rregullat e qarta (shumicën e tyre), e shfrytëzon deri në skajshmëri faktin se të gjitha këto ligje dhe rregulla mbështeten në substancën e rregullave dhe zakoneve të pashkruara që na tregojnë si t’i aplikojmë ligjet dhe rregullat e qarta – ndërsa ai brutalisht i shpërfill këto rregulla të pashkruara.

Shembulli i fundit (dhe, deri tash, më ekstremi) i kësaj procedure është shpallja e emergjencës kombëtare nga Trump. Kritikët e tij u shokuan për mënyrën në të cilën ai e aplikoi këtë masë, qartësisht të parashikuar vetëm për katastrofa të mëdha siç janë kërcënimet e luftërave ose fatkeqësive natyrore, me qëllim të ndërtimit të murit si kufi për mbrojtjen e territorit të Amerikës nga kërcënimi i imagjinuar.

Sidoqoftë, jo vetëm Demokratët ishin kritikë ndaj kësaj mase – disa djathtistë gjithashtu u alarmuan nga fakti se shpallja që bëri Trump vendos precedent të rrezikshëm: çfarë nëse një president i ardhshëm i majtë i Demokratëve do ta shpallë emergjencë kombëtare ngrohjen globale?

Argumenti im është se një president majtist do të duhej ta bënte pikërisht këtë, veçanërisht për faktin se ngrohja globale efektivisht ËSHTË emergjencë kombëtare – dhe jo vetëm. E shpallur apo jo, ne tashmë JEMI në një gjendje emergjente.

Dhe kjo na kthen në bllokadën aktuale me Brexit. Bllokada dobësuese e vendimmarrjes politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndarja që kalon përmes dy partive tradicionalisht dominuese qartë demonstron se të dyja palët janë më të këqijat. Asnjëra nga to nuk duket të ketë vizion koherent politik, mirëpo të dyja e përziejnë oportunizmin me shtrembërimet ideologjike.

Brexitasit janë “më të këqij” për shkak të bërthamës së tyre populisto-nacionaliste të të rezonuarit, anti-Brexitasit janë “më të këqij” sepse ata nuk e adresojnë vërtet atë që është thellësisht gabim në mënyrën në të cilën funksion tash BE-ja.

Zgjedhja e cila iu ofrohet britanikëve në instancë të fundit vetëm e riprodhon konfliktin global mes establishmentit liberal dhe reagimeve populiste ndaj tij.

Të dyja palët kanë dështuar ta adresojnë detyrën e vërtetë: si ta ndërtojnë një Europë të re e cila do ta rifitonte atë për të cilën ia vlen të luftohet në trashëgiminë emancipuese europiane. Në vend të kësaj, palët po e tradhtojnë këtë trashëgimi – njëra duke e shtyrë Europën mbrapa në politikat shtet-kombëtare, tjetra duke e transformuar Europën në domen të ekspertëve teknokratë. Këto janë të dyja anë të katastrofës së njëjtë./Klan Kosova

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne