Bota arabe dënon djegien e Kuranit në Suedi

Një person të mërkurën dogji një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë, përpara xhamisë së Stockholmit.

Shumë vende arabe kanë dënuar djegien e librit të shenjtë, Kuranit, përpara një xhamie në kryeqytetin suedez Stockholm të mërkurën, transmeton Anadolu.

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite e kritikoi incidentin të mërkurën vonë, duke thënë se “këto akte të urryera dhe të përsëritura nuk mund të pranohen me asnjë justifikim dhe ato nxisin qartë urrejtje, përjashtim dhe racizëm”.

Ministria e Jashtme jordaneze tha gjithashtu se “djegia e Kuranit të Shenjtë është një akt i urrejtjes së rrezikshme dhe një manifestim i islamofobisë që nxit dhunën dhe fyerjen e feve dhe nuk mund të konsiderohet fare një formë e lirisë së shprehjes”.

Ministria e Jashtme palestineze theksoi se “sulmi ndaj Kuranit të Shenjtë nga një ekstremist urrejtës është një shprehje e urrejtjes dhe racizmit dhe një sulm flagrant ndaj vlerave të tolerancës, diversitetit, demokracisë dhe bashkëjetesës paqësore midis pasuesve të të gjitha feve”.

Gjithashtu, Parlamenti Arab përmes një deklaratë tha se ajo që ndodhi ishte “një akt nxitjeje që do të ndezte ndjenjat e muslimanëve në mbarë botën”, duke denoncuar qëndrimin e autoriteteve suedeze në këto “provokime”.

Të mërkurën, një person i identifikuar si Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stockholmit.

Më 12 qershor, gjykata suedeze e apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kuranit, duke vendosur se policia nuk kishte baza ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne