Brazil, 3.4 milionë qytetarë nuk mund të votojnë në zgjedhje

Rreth 3.4 milionë persona nuk do të mund të përmbushin detyrimin qytetar në zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm në Brazil, pasi nuk dhanë shenjat e gishtërinjve.

Gjykata në Brazil ka vendosur se në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 7 tetor, nuk do të mund të votojnë ata që nuk kanë dhënë shenjat e gishtërinjve.

Vendimi për moslejim u miratua me shtatë vota ‘për’ dhe dy ‘kundër’. Gjykatësi Luis Roberto Barroso tha se nuk ka mundësi që qytetarët të mos kenë marrë informacionet e nevojshme për procedurat e votimit.

“Ndalimi i këtyre njerëzve për të votuar do të thotë të parandalosh votimin e njerëzve të vobektë dhe të painformuar”, tha Partia Socialiste e Brazilit.

Sipas sondazheve në Brazil, 27 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale pritet t’i marrë Jair Bolsonaro, në frontin e krahut të djathtë, ndërsa rivali i tij Fernando Haddad në frontin e majt pritet të marrë 21 për qind të votave.

Nëse njëri nga kandidatët nuk merr më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e 7 tetorit, raundi i dytë do të mbahet më 28 tetor.

Votuesit në Brazil, vendi në të cilin votimi zhvillohet në mënyrë elektronike, që nga viti 2016 janë të detyruar të japin shenjat e gishtërinjve për të votuar.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne