Brengat e Sorrosit

Xhorxh Sorros, miliarderi amerikan, po i shkakton shumë probleme Benjamin Netanjahut.

Në këtë moment, Netanjahu nuk ka nevojë për më shumë probleme. Një çështje e madhe korrupsioni, në lidhje me nëndetëset nga Gjermania, po shkon ngadalë por në mënyrë të pashmangshme ndaj tij.

Sorros është një hebre hungarez, një i mbijetuar i Holokaustit. Partia qeverisëse hungareze e shpërndau foton e tij në të gjithë Budapestin me një tekst që pothuajse nuk e fshihte fare qëllimin e tij antisemit. Mëkati i Sorrosit është mbështetja e tij për shoqatat e të drejtave të njeriut në atdheun e tij të mëparshëm. Ai bën të njëjtën gjë edhe në Izrael, edhe pse në një shkallë shumë më të vogël. Kështu që as Netanjahu nuk e pëlqen atë.

Kjo ka krijuar një situatë të vështirë. Netanjahu ishte gati për të vizituar Budapestin për të takuar homologun e tij hungarez Victor Orban, i cili dyshohet se është një antisemit i butë. Netanjahu e konsideron atë një binjak të krahut të djathtë.

Bashkësia hebraike hungareze ishte e shqetësuar. Ata kërkuan që Netanjahu ta shtynte vizitën e tij derisa posterat e Sorrosit të hiqeshin.

Përfundimisht, shumica – por jo të gjitha – posterat u zhdukën me të vërtetë, dhe Netanjahu u takua me Orbanin. Por i gjithë episodi tregoi se interesat e shtetit të Izraelit dhe interesat e komuniteteve hebraike anembanë botës nuk janë automatikisht identike, siç do të donin sionistët të besonim.

Pati një incident tjetër përpara takimit. Disa ditë më parë, në një ngjarje publike, Orban kishte lavdëruar Admiralin Miklos Horthy, kreun e shtetit hungarez gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Hungaria bashkëpunoi me Gjermaninë naziste si e gjithë Evropa Lindore (përveç Polonisë, e cila ishte e uzurpuar).

Pra, si mund ta lavdërojë Orbani Horthin në prag të vizitës së Netanjahut?

Në të vërtetë, roli i Horthit ende debatohet ashpër. Një antisemit i vetëdeklaruar dhe nëj person enigmatik, ai arriti aty ku asnjë udhëheqës tjetër evropian nuk kishte arritur: ai shpëtoi qindra mijëra hebrenj, duke mos iu bindur dhe duke mashtruar Hitlerin.

Njëri prej të shpëtuarve ishte halla ime, e cila u martua me një hebre hungarez në Berlin dhe u deportua nga nazistët në Hungari, ku mbijetoi, duke arritur në Palestinë. Një tjetër ishte “Tommy” Lapid, një fëmijë në Budapest i cili u bë një personalitet i famshëm në Izrael. Djali i tij, Jair, tani është një politikan që kërkon të zëvendesojë Netanjahun. Ai ndoshta nuk do të ekzistonte nëse s’do të ishte për veprimet dinake të Horthit.

Nuk mund të rezistoj pa e ndërprerë këtu për të treguar një shaka historike.

Pas Pearl Harbor, Hitleri dhe e gjithë banda e tij e bashkëpunëtorëve të huaj i deklaruan luftë SHBA-së. Ambasadori hungarez në Uashington u udhëzua të paraqiste një deklaratë lufte për Sekretarin e Shtetit, Cordell Hull, i cili vendosi ta tallte atë.

“Hungaria, Hungaria – a jeni ju një republikë?” Pyeti ai.

“Jo, zotëri, ne jemi një mbretëri.”

“Vërtetë? Kush është mbreti juaj?”

“Ne nuk kemi mbret, vetëm një regjent, Admiralin Horthi.”

“Një admiral? Pra, ju keni një flotë të madhe?”

“Jo, nuk kemi asnjë flotë, pasi nuk kemi bregdet.” (Horthi u bë admiral gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Hungaria ishte pjesë e perandorisë austro-hungareze që me të vërtetë kishte një flotë të vogël).

“Jam kurioz. Një mbretëri pa një mbret dhe një admiral pa një flotë. Pra, pse na deklaroni luftë? A na urreni?”

“Jo, ne e urrejmë Rumaninë.”

“Pra, pse nuk deklaroni luftë ndaj Rumanisë?”

“E pamundur! Ata janë aleatët tanë!”

Më falni për ndërprerjen. Le të kthehemi tek Netanjahu.

Qeveria e Netanjahut sapo bëri dy gjëra që tërbuan shumë hebrenj në të gjithë botën,  veçanërisht në SHBA.

Njëra prej tyre ka të bëjë me Murin Perëndimor (i quajtur më parë Muri i Vajtimit) në Jeruzalem. Ky është vendi më i shenjtë i judaizmit.

Meqë jam një ateist i devotshëm, vendet e shenjta nuk më prekin. Akoma më shumë që Muri Perëndimor nuk është vërtet pjesë e tempullit hebre, i rindërtuar nga mbreti Herod rreth 2000 vjet më parë, por vetëm një mur mbështetës i kodrinës artificiale të tokës, në të cilën qëndronte tempulli.

Herën e fundit që isha atje ishte në vitin 1946. Muri i madh ishte i rrethuar nga një korsi e ngushtë, gjë që e bënte atë të dukej edhe më i lartë. Pas luftës së vitit 1967, e gjithë lagja arabe u rrafshua për të bërë vend për një shesh të madh. Muri u kthye në ultra-ortodoks, në këmbim të votave të tyre në Knesset (Parlamenti izraelit). Natyrisht, burrat dhe gratë ishin të ndarë.

Me rritjen e feminizmit, kjo u bë problematike. Në fund, u gjet një kompromis: një pjesë e vogël e murit u la mënjanë për lutje të “përziera” të burrave dhe grave, si dhe për hebrenjtë “reformatorë” dhe “konservatorë”, të cilët vështirë se ekzistojnë në Izrael, por përbëjnë shumicën midis hebrenjve amerikanë.

Tani, nën presionin ortodoks, Netanjahu dëshiron ta anullojë këtë kompromis, duke shkaktuar shumë nxitje midis hebrenjve amerikanë.

Ndërsa sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, Netanjahu gjithashtu dëshiron të tërheqë njohjen e konvertimeve në “reformatorë” dhe “konservatorë” në judaizëm, duke u dhënë ortodoksëve të drejtat ekskluzive për të bërë konvertime në Izrael.

Meqenëse nuk ka ndarje midis shtetit dhe fesë në Izrael, mjafton një ligj i thjeshtë. Në të vërtetë, institucionet izraelite po bëhen gjithnjë e më fetare, aq shumë, sa që është shpikur një fjalë e re hebraike, Hadata (përafërsisht “religjiozizëm”).

Institucioneve hebraike “reformatore” dhe “konservatore” në SHBA nuk iu intereson për okupimin, për shtypjen brutale të palestinezëve, për vrasjet e përditshme. Ata e mbështesin qeverinë izraelite në çdo rrethanë. Por atyre u intereson shumë për Murin dhe për konvertimet. Ashtu si Ivanka Trump, jo-hebrenjtë shpesh konvertohen në mënyrë që të martohen me hebrenjtë, kështu që ky është një biznes i rëndësishëm.

E gjitha duket si një kontradiktë e pandarë, dhe me të vërtetë është.

Izraeli është definuar zyrtarisht dhe ligjërisht si një “shtet hebre dhe demokratik”. Një ligj i ri është gati për të hequr “demokratiken” nga formula dhe për ta lënë Izraelin vetëm si një “shtet hebre”. Kjo është parë nga shumë njerëz si selia botërore për popullin hebre. Netanjahu shpesh ka deklaruar se e konsideron veten udhëheqës dhe mbrojtës të të gjithë hebrenjve në botë.

Nëse po, a mund të ketë konflikt midis interesave të hebrenjve kudo dhe shtetit të Izraelit?

Mundet, dhe në fakt ka pasur që nga fillimi. Theodor Herzl, themeluesi i sionizmit dhe një hebre hungarez, pati diskutime me udhëheqësit anti-semitë të Rusisë cariste dhe gjetkë, duke premtuar se do t’i ndihmonte ata për t’i çliruar nga hebrenjtë dhe për t’i çuar ata në Palestinë. Ky interes i përbashkët nënshtron shumë aleanca kurioze në kohë të ndryshme.

Anti-semitët gjithmonë i preferonin sionistët. Adolf Eichmann shkroi në rrëfimin e tij se ai i shihte sionistët si “element të vlefshëm” të popullit hebre. Dhe kështu me radhë.

Abraham Stern, i quajtur Ya’ir, një udhëheqës tinëzar në Palestinën Britanike, u nda nga Irguni dhe themeloi një grup të ri (të quajtur “Stern Gang” nga britanikët), politika kryesore e së cilit ishte bashkëpunimi me Gjermaninë naziste kundër britanikëve me parimin që “armiku i armikut tim është shoku im”. Ai dërgoi emisarë në ambasadat gjermane por u injorua nga Hitleri. Përfundimisht u vra nga britanikët.

Në vitet e para të Izraelit, kur David Ben-Gurion vizitoi SHBA-në si Kryeministër i Izraelit, ai u këshillua nga ndihmësit e tij për të mos e prekur çështjen e emigracionit, në mënyrë që të mos irritonte hebrenjtë amerikanë, paratë e së cilëve ishin shumë të nevojshme. Ben-Gurion kundërshtoi, por bëri atë që i thanë.

Në atë kohë, një mik i imi shkroi një pjesë humoristike në lidhje me një bashkësi hebrenjsh jashtëzakonisht të pasur në një pjesë të largët të Afrikës, që zotëronte të gjitha minierat e diamantit në vend. Kur Izraeli kishte nevojë për para për të blerë miell për bukën e muajit të ardhshëm, atje u dërgua propagandisti më i talentuar sionist. Duke ditur situatën e dëshpëruar të vendit të tij, ai mbajti fjalimin më të apasionuar të jetës së tij. Në fund, asnjë sy në sallë nuk mbeti pa u përlotur.

Ditën tjetër folësi mori një mesazh: ne u prekëm aq shumë, saqë vendosëm t’ia kthejmë të gjithë pasurinë tonë vendasve, dhe të vijmë në Izrael si pionierë.

Qëllimi i deklaruar i sionizmit është t’i bashkojë të gjithë hebrenjtë e botës në Izrael. Herzl vetë besonte se kjo do të ndodhte me të vërtetë, dhe në një pasazh ai shkruante se, sapo shumica e hebrenjve të kishin ardhur në shtetin hebre, vetëm atëherë do të quheshin hebrenj. Të gjithë çifutët që zgjidhnin të mos vinin do të ndaloheshin së quajturi hebrenj dhe do të ishin thjesht gjermanë, amerikanë dhe kështu me radhë.

E mrekullueshme, por nëse ndodh kjo, kush do ta detyrojë Donald Trumpin dhe pasuesit e tij të vërë veton ndaj të gjitha rezolutave të OKB-së që kritikojnë Izraelin? Kush do të lihet për të luftuar kundër lëvizjeve – si BDS – që predikojnë një bojkot ndaj Izraelit?

E pra, jeta është plot kontradikta. Siç jemi dhe ne.

Aventurat hungareze të Netanjahut nuk përfundojnë me çështjet e Sorrosit dhe Horthit. Absolutisht jo.

Ndërsa ishte në Budapest, ai mori pjesë në një takim të mbyllur me udhëheqësit e Hungarisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke. Disa budallenj harruan të prisnin linjën për gazetarët, dhe kështu ata mundën të dëgjonin për rreth 20 minuta fjalimin e fshehtë të Netanjahut.

Binjakëvë të tij të Europës Lindore, gjysmë-demokratëve të ekstremit të djathtë, kryeministri ynë u hapi zemrën: qeveritë liberale të Europës Perëndimore janë “të çmendura” kur vendosin kushte lidhur me të drejtat e njeriut në ndihmën e tyre ndaj Izraelit. Ata po bëjnë vetëvrasje duke lejuar masat e muslimanëve të hyjnë. Ata nuk e kuptojnë se Izraeli është goditja e tyre e fundit kundër këtij pushtimi musliman.

Në Biblën e Sionizmit, “Der Judenstaat”, Theodor Herzl shkroi: “Për Evropën ne do të përbënim (në Palestinë) një pjesë të murit kundër Azisë, që shërben si një pararojë e civilizimit kundër barbarizmit”.

Këto rreshta u shkruan 121 vjet më parë, në kulmin e epokës koloniale. Përsëritja e tyre sot është, për të përdorur fjalën e Netanjahut, “çmenduri”.

Kur Netanjahu dhe Orbani luftojnë kundër Sorrosit rreth të drejtave të njeriut, Sorrosi është i detyruar të fitojë.

Uri Avnery

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne