Brexit si revolucioni: I “hëngri” fëmijët e vet

nga Denis MacShane.

Nëse deklarata që “revolucionet i hanë bijtë e tyre”, do të zbatohej ndonjëherë për politikën britanike, momenti më i përshtatshëm është ky i tanishmi. Brexit ka “ngrënë” babain e tij – Dejvid Kameron – dhe tashmë edhe vajzën e tij Tereza Mej- pasi të dy kryeministrat po tërhiqen nga jeta publike, me karrierën e rrënuar nga urrejtja patologjike e partisë së tyre, ndaj partneritetit evropian.

Në vitin 1948, Uinston Çërçill u shpreh se:Ne shpresojmë të shohim një Evropë, ku burrat e çdo vendi të mendojnë më shumë si evropianë, sesa sipas përkatësisë së tyre kombëtare, por pa humbur asnjë nga dashuria dhe besnikëria e tyre ndaj vendlindjes së tyre. Shpresojmë që kudo që ata të shkojnë, të ndihen vërtet sikur janë në shtëpinë e tyre”. Një dekadë më herët, Çërçill ishte shprehur se Britania duhet të promovojë “çdo hap praktik që vendet e Evropës mund të ndërmarrin, për të zvogëluar barrierat që i ndajnë, dhe të ushqejnë interesat dhe mirëqenien e tyre të përbashkët”.
Konservatorët kundër unitetit evropian
Është kjo ide çërçilliane e unitetit evropian, që urrejnë vërtet konservatorët e sotëm anglezë. Do të ishte e pritshme që Tereza Mej, që ka thënë se librat e saj të preferuar janë ato të kuzhinës, të kishte lexuar se çfarë ka thënë Çërçilli mbi Evropën. Por që kur ajo mori drejtimin e Britanisë pas votimit pro Brexit në qershorin e vitit 2016, nuk e gjeti kurrë bazamentin e vet ideologjik.

Ajo nuk diti si të sillet me kombin pas fitores së Brexit në vitin 2016.

Ne e dimë se u hodhën shumë para me origjinë të dyshimtë nga Rusia dhe SHBA-ja, për të ndihmuar kampin pro Brexit, si një sinjal për Bashkimin Europian, se ishte koha për t’u ndarë në shtete mini-kombe, me secilin nën drejtimin e një nacionalisti që refuzon të bashkëpunojë si një Evropë e bashkuar.

Vetëm 37 për qind e votuesve të regjistruar, e mbështetën Brexit. Të rinjtë, skocezët, irlandezët, qytetet e mëdha, donin të qëndronin në BE. Por në qytetet më të vogla dhe zonat ku banon klasa punëtore, ku janë zhdukur vendet e punës së industrisë së rëndë dhe kishte depërtuar varfëria, ishte shumë e lehtë të bëhej përgjegjëse për çdo gjë Evropa dhe qytetarët evropianë.

Evropa, si një “kokë turku”
Zonja Mej, mund të kishte shpjeguar disa nga këto çështje, por nuk e bëri këtë. Ajo e fajësoi Evropën që refuzoi të lejojë një Brexit, në të cilën Britania mund të zgjidhte të merrte copat preferuar të “tortës”, por të mohonte rregullat  që zbatojnë 27 vendet e tjera anëtare të BE-së.

Dhe gjatë gjithë kohës, ajo u shantazhua nga një grup deputetësh të saj, që e urrenin Evropën me një zell gati fetar. Debatet mbi Evropën në Angli, ngjajnë me ato mes Vatikanit dhe katolicizmit, përkundrejt Reformimit dhe Protestantizmit në shekujt XVII, XVIII dhe XIX. Xhihadisti i zakonshëm islamik, është më i aftë të pranojë kompromise, sesa konservatori anglez anti-evropian.

Mej dhe Partia Konservatore
Zonja Mej nuk ka vëllezër e motra, nuk ka fëmijë, dhe prindërit e saj vdiqën kur ajo ishte në mesin e të 20-ave. Familja e saj e vetme, pika e saj e vetme e referimit, ishte Partia Konservatore. Çfarë donte partia, dëshironte dhe zonja Mej. Dhe konservatorët nuk e donin Europën. Pra, ajo u mbërthye në një kurth klasik.

Kapitalizmi britanik, Bursa e Londrës, investitorët e huaj siç janë kompanitë japoneze të automobilave ose Airbus, donin të ruanin një marrëdhënie ekonomike me Evropën. Tregti të hapur, edhe në qoftë se Britania e Madhe e linte BE-në. Por politika e Partisë Konservatore, e ushqyer me vitet e urrejtjes anti-evropiane nga ana e “tenorëve” të saj të njohur si Boris Xhonson, donte të dilte jashtë.

Vëllazëri në stilin e Brexit
Zonja Mej, u përpoq ta zgjidhje situatën me një marrëveshje daljeje, që e lë thuajse çdo gjë të rëndësishme për t’u negociuar më vonë, ndoshta më 2020-ën. Kështu krijoi panoramën e një Vëllazërie në stilin e Brexit (Brexiternity), në të cilën Britania nuk është as brenda, por as jashtë BE-së.

Por ajo nuk mundi të gjejë një shumicë, për kompromisin e saj të papërdorshëm. Të gjitha partitë e opozitës, refuzuan të mbështesin marrëveshjen e saj, me parimin logjik se kjo do të dëmtonte investimet, vendet e punës dhe të drejtat e qytetarëve britanikë për të jetuar, punuar dhe u pensionuar në Evropë.

Atë e refuzuan edhe një numër deputetësh konservatorë, pasi kjo do të thoshte një periudhë e gjatë e daljes, një Brexit që ndoshta në fund nuk do të ndodhte fare. Dy herë, në janar dhe sërish në mars, deputetët e hodhën poshtë marrëveshjen e zonjës Mej, me shumicat më të mëdha që ishin parë ndonjëherë në Dhomën e Komuneve.

Por pa një marrëveshje, Britania e Madhe do të dilte jashtë BE-së pa baza ligjore për tregtinë, transportin apo madje edhe fluturimet midis Britanisë dhe Evropës. Ajo mund t’u kishte ofruar një kompromis laburistëve, duke pranuar që Britania të qëndronte të paktën në një partneritet ekonomik me Evropën, nëpërmjet anëtarësimit të vazhdueshëm në Bashkimin Doganor të BE-së dhe në tregun e përbashkët. Por ajo është një zonjë krenare, dhe pranimi i çdo gjëje të sugjeruar ose të pranueshme për Xheremin Korbin, ishte një anatemë.

Karta e fundit e zonjës Mej
Pra, ajo luajti kartën e saj të fundit, për të marrë mbështetjen e deputetëve konservatorë. Gjithsesi, shenjat e hershme janë që ajo nuk ka ndryshuar mendjen e konservatorëve fanatikë anti-evropiane, në një numër të mjaftueshëm, sa që këta të mbështesin marrëveshjen e saj.

Pra, ngërçi i Brexit vazhdon.

Britania e Madhe, nuk mund të largohet nga Evropa, dhe as nuk mund të qëndrojë në Evropë. Nacionalizmi populist anti-evropian i konservatorëve, i kushtoi një fund të lumtur karrierës së zonjës Theçër, rrënoi qeverisjen e Xhon Mejxhërit ne vitet 1990-1997, dhe tani e ka konsumuar Dejvid Kameronin dhe Tereza Mejin. Kush e ka radhën?

Shënim: Denis MacShane, ka qenë Ministër i Britanisë së Madhe për Evropën në vitet 2002- 2005. Ai është autori i librit “Brexit në udhëkryq:Pse Britania nuk do të largohet nga Evropa”./The Globalist

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne