Britani e Madhe – “Cambridge Analytica” drejt falimentimit, humbet klientët dhe furnitorët

Kompania britanike e konsulencës politike, “Cambridge Analytica”, e akuzuar se ka siguruar në një mënyrë të paautorizuar informacione personale të miliona përdoruesve të rrjetit “Facebook” për llogari të klientëve politikë, është në prag të mbylljes.

“Gjatë muajve të shkuar, ‘Cambridge Analytica’ ka qenë subjekt i shumë akuzave të pabaza dhe pavarësisht përpjekjeve të saj për të përmirësuar situatën, ajo është dëmtuar për aktivitete që janë jo vetëm ligjore, por edhe që pranohen gjerësisht si një përbërës standard i reklamimit online si në fushën politike ashtu edhe në atë tregtare. Pavarësisht besimit të palëkundur të ‘Cambridge Analytica’ se punonjësit e saj kanë vepruar në respekt të etikës dhe ligjit, mbulimi mediatik ndaj saj ka larguar pothuajse të gjithë klientët dhe furnitorët e kompanisë. Për pasojë, kemi arritur në konkluzionin se vazhdimi i operimit të këtij biznesi nuk është më i mundur”, thuhet në një komunikatë të kompanisë britanike.

Sipas komunikatës në fjalë, grupi britanik “Strategic Communication Laboratories Elections” po fillonte procedurat e falimentimit.

Në lidhje me këtë zhvillim, rrjeti i famshëm social, “Facebook”, bëri me dije se do të vazhdojë hetimi i tij personal mbi përdorimin e papërshtatshëm të të dhënave.

“Kjo nuk ndryshon angazhimin dhe vendosmërinë tonë për të kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të garantuar që kjo të mos përsëritet më. Ne po vazhdojmë hetimin tonë në bashkëpunim me autoritetet”, thuhet në deklaratën e rrjetit “Facebook”.

“Cambridge Analytica”, një kompani me seli në Londër, akuzohet se ka siguruar dhe përpunuar në mënyrë të paautorizuar të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve të “Facebook” për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në referendumin për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, në vitin 2016.

Në mars, kanali informativ britanik, “Channel 4”, transmetoi disa filmime sekrete, ku shihej se shefi ekzekutiv (CEO) i “Cambridge Analytica”, Alexander Nix, jepte shembuj se si kompania mund të ndikonte në fushatat elektorale dhe zgjedhjet në botë me taktika të fshehta, madje dhe pranonte që firma e drejtuar prej tij të kishte luajtur rol të rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale amerikane të dy viteve më parë. Pas publikimit të këtyre videove, Nix u shkarkua më datë 20 mars dhe në vend të tij u emërua Alexander Tayler si ushtrues detyre.

“Përfunduam tërë kërkimet e nevojshme dhe siguruam të gjitha të dhënat. Realizuam të gjithë analizën dhe përcaktuam objektivin. Ne drejtuam komplet fushatën digjitale dhe televizive. Ishin të dhënat tona ato që përcaktuan strategjitë e tyre”, pohonte Alexander Nix në regjistrimet e fshehta duke theksuar se me Presidentin Donald Trump kanë pasur shumë takime gjatë kandidaturës së tij./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne