Britani e Madhe – Kanceri i gjirit mund të ketë vrarë qindra gra si pasojë e një gabimi kompjuterik

Qeveria britanike ka njoftuar se qindra gra mund të kenë humbur jetën nga kanceri i gjirit pasi nuk janë thirrur që të bëjnë mamografinë digjitale për shkak të një problemi kompjuterik.

Sekretari i Shtetit për Shëndetësinë dhe Kujdesin Social, Jeremy Hunt, ka sqaruar gjatë fjalimit në Dhomën e Komunëve se numri i të vdekurve për shkak të këtij gabimi është të paktën 135 dhe e shumta 270 persona.

Duke theksuar se 450 mijë grave të grupmoshës 68-71 vjeç nuk u është dërguar ftesë për të bërë mamografinë digjitale që nga viti 2009 e këtej, Hunt ka argumentuar se kjo ka ardhur si pasojë e një problemi algoritmik në kompjuter.

Për shkak të këtij problemi – ka vijuar ai – gratë që kanë mbushur 70 vjeç janë përjashtuar automatikisht nga sistemi, prandaj dhe nuk u janë dërguar ftesat e nevojshme për skanimin e kancerit të gjirit.

Gratë që nuk kanë marrë ftesë, pritet të identifikohen dhe të thirren për të bërë mamografinë digjitale deri në fund të këtij muaji.

Qendrat e shëndetësisë familjare në Britani e Madhe ofrojnë falas shërbimin e skanimit të kancerit të gjirit për gratë e grupmoshës 50-70 vjeç.

Gratë e grupmoshës në fjalë, e cila paraqet rrezikshmërinë më të lartë për këtë sëmundje, thirren në mënyrë automatike nga sistemi për të bërë mamografinë digjitale. Ndërsa për gratë mbi 70 vjeç, ky shërbim ofrohet në bazë të kërkesës./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne