Bubullima të reja lufte civile

Bubullimat e luftës civile shoqërohen gjithnjë e më shumë dhe me vetëtima politike e partiake në luftën e re për pushtet, që po bëhet në Shqipëri nga një opozitë e jeremosur me ambicie të shfrenuara pushtetore kundër një qeverisje të qorollepsur, që ka humbur dinamizmin e orientimin e saj, edhe pse mori shumicën e vendeve në parlament para dy vitesh

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Temën e “luftës civile në Shqipëri” më është dashur ta trajtoj disa herë, në disa kontekste e aspekte të ndryshme, gjatë tri dekadave të fundit. Në mënyrë më të përmbledhur mendimet i kam paraqitur në librin “Dilema historike” (2011), në kapitullin “Jetë e trazuar shtetërore në atmosferë lufte civile”. Atëherë kam pas theksuar se në Shqipëri “lufta civile, edhe kur nuk ka prodhuar flakë, është djegur si zjarri nën truall”. Tani, në prill të vitit 2019, jam më i bindur se kurrë në këtë konstatim. Zhvillimet politike dhe fushatat propagandistike, gjatë muajit prill 2019, dëshmojnë se në Shqipëri po i fryhet nga shumë anë ndezjes së flakëve të luftës civile. Duket sikur po bëhen më aktuale fjalët që i ka pas shkruar gazetari italian Italo Sulioti për ngjarjet në Shqipërinë e sunduar nga Princ Vidi 1914: “Lufta vëllavrasëse tashmë kishte nisur bashkë me të gjitha tmerret e saj e historia patjetër do t’i gjykojë përgjegjësit; mirëpo Europa duhet të mendojë mos vallë përgjegjësia më e madhe për aventurën është e saj”. Kjo ka ndodhur disa herë të tjera. Europa e ka shprehur shqetësimin e vet edhe më vonë. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, në një artikull me titull “Partitë politike si më 1914 (“Panorama”,15 tetor 2011) shkruante: “Të gjithë e dëgjuam projekt-raportin e Komisionit Europian. Shpresojmë të ketë efekt kthjellues. Por, ajo që vëmë re në këtë fazë është se partitë duket nuk po lëvizin nga llogoret e tyre dhe janë të përgatitura të rrinë në këto llogore. Kjo nuk është mirë. Ato nuk duhet të sillen sikur të ishin në vitin 1914-1915, por duhet të përgatiten për të ardhmen dhe t’i fillojnë reformat, midis të cilave është dhe reforma zgjedhore”. Pikërisht këtë nuk kanë dashur e nuk duan ta bëjnë partitë që groposen edhe më thellë në llogoret e luftës civile për të mos e ndryshuar “marrëveshjen famëkeqe të vitit 2008”, me të cilën Berisha dhe Rama i privatizuan partitë respektive dhe parlamentin. Kësaj here Europa e ka prishur asnjanësinë fajtore dhe e ka qortuar shumë rëndë opozitën e formuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, bashkë me disa individë që marrin poza si kryetarë partish, ndonëse nuk përfaqësojnë më asgjë. Dhe, pikërisht ky grupim ka hapur më 23 prill edhe një llagëm të ri në frontin kundër Europës. Ka nënshkruar për herë të parë krijimin e një “koalicioni për mospjesëmarrje” në zgjedhje.

Pikërisht në këtë sfond politik po ripërtërihen me një vrull të paimagjinueshëm pas 30 vitesh psikoza dhe revanshizmi i luftës civile, si në tremujorin e fundit të vitit 1943 (pas dështimit të Marrëveshjes së Mukjes midis Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar, të kontrolluar nga komunistët ilegalë dhe Ballit Kombëtar). Fanatikët konservatorë të komunizmit, që hiqen gjoja se po i mbrojnë sot vlerat e Luftës Nacional-Çlirimtare, janë radhitur dukshëm kundër “qeverisë së Rilindjes” të Edi Ramës, me pretekstin se kjo e ka rehabilituar kolaboracionistin Mithat Frashëri, ka shkatërruar Partinë Socialiste dhe i ka lënë mënjanë socialistët e përkushtuar në vend, që për këta duket se janë njerëzit e grumbulluar rreth Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës e Monika Kryemadhit, në koalicion me Sali Berishën e Lulzim Bashën. Aksione politike në këtë frymë janë ndërmarrë deri në parlamentin shqiptar me nismën e deputetit socialist (enverist) Spartak Braho, që kërkon të goditet rëndë puna që ka bërë deri sot Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit (i etiketuar si degë e Ballit Kombëtar) dhe ky Institut të shkrihet fare, i cili në fakt është mekanizëm i krijuar nga parlamenti shqiptar pas qortimeve të rënda, që bënë mekanizmat europiane para disa vitesh se në Shqipëri nuk po bëhej si duhej dekomunistizimi i shtetit dhe i shoqërisë (Këtu e kanë zanafillën çështjet “Braho kundër Tufës” dhe “Vukaj kundër Tufës” dhe krijimi i një tufe propagandistësh fanatikë komunistë rreth gazetës “Dita” për të linçuar Agron Tufën, drejtorin e Institutit).

Ka shpërthyer edhe një debat që e turpëron shoqërinë shqiptare 30 vjet pas “vendosjes së demokracisë” midis një ish-drejtori burgjesh në kohën e komunizmit, Edmond Caja, (i strehuar në Gjermani, ku bëka biznes të suksesshëm) dhe të torturuarve prej tij në burgun e Qafë Barit. Ky persekutor i majmur në demokracinë europiane u sulet egërsisht me fyerje e përçmim viktimave të tij, që dikur i torturonte dhe i vriste dhe që deri tani vetëm janë ankuar me zë të mekur ndaj tij. Për lexuesin do ta përmend rastin kur e kam njohur këtë drejtor burgu, atëherë djalë i ri, në një takim që pati në fillim të muajit mars 1991 me zotërinë danez Elmkuist, kryetarin e një delegacioni të Federatës Europiane të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Caja e “la pa mend” z. Elmkuist me demagogjinë e stërholluar që përdori për t’u treguar demokrat. Elmkuist më shprehu habinë si mund të ndodhte kjo me një drejtor burgu në një diktaturë si ajo e Shqipërisë. Por, të nesërmen, kur zotëri Elmkuist u takua në burgun e Burrelit me të dënuarit politikë, që mbaheshin ende të mbyllur, ai u ballafaqua me një valë denoncimesh të të burgosurve për Edmond Cajën, që kishte lënë edhe të vdekur, duke i palosur në dysh. Unë e shoqëroja Elmkuistin, sepse isha sekretar i Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri dhe njëherësh u angazhova me përkthimin. Pra, Europa demokratike ka pas dijeni me kohë për punërat e këqija të këtij persekutori, që sot po paraqitet edhe më skifter i persekutimit se atëherë, kundër viktimave të tij që i quan “tufë sorrash”. Por, Gjermania demokratike është përkujdesur më shumë për Cajën, që në Gjermani guxoi të bënte padi gjyqësore kundër një demaskimi publik nga një zonjë e persekutuar politike shqiptare. Edhe kjo është një ironi e kohës së demokracisë. Caja sot e ka mbështetjen fuqishme në Shqipëri nga kolektivi komunist konservator i gazetës “Dita”, ndërsa ankesat e ndrojtura të viktimave të tij i botojnë si për sevap gazeta të tjera pa kurrfarë agresiviteti të ndërsjellë.

Bubullimat e luftës civile shoqërohen gjithnjë e më shumë dhe me vetëtima politike e partiake në luftën e re për pushtet, që po bëhet në Shqipëri nga një opozitë e jeremosur me ambicie të shfrenuara pushtetore kundër një qeverisje të qorollepsur, që ka humbur dinamizmin e orientimin e saj, edhe pse mori shumicën e vendeve në parlament para dy vitesh. Më 23 prill 2019, një gazetë që shpërndahet falas në Tiranë “Albanian Free Press” (e themeluar nga njëfarë Spyridon Sideris) e përshkruante kështu atmosferën e pragut të shpërthimit të luftës civile: “Shqipëria është afër asaj që ndodhi 22 vjet më parë kur shteti ra, u rrëmbyen armët, vendi u kthye në kaos total dhe për të vendosur rendin mbërritën në Shqipëri forcat shumëkombëshe. I pari ishte lideri Berisha që e shprehu këtë “vendi po shkon drejt një përplasje të sigurtë, fasadë nuk mund të jemi. Opozita e ka (detyrë ) këtë betejë me çdo çmim të kthejë votën e lirë”. Të tjerë zëdhënës të politikës së PD-së janë më të qartë se Berisha, kur thonë që “PD-ja nuk mund të bëhet fasadë e zgjedhjeve monopartiake”. Këto avaze berishiane janë të njohura prej shumë vitesh. Ai ka spekuluar vazhdimisht me rrezikun e shpërthimit të luftës civile po të mos bëheshin kompromiset politike që donte dhe asnjëherë këto kompromise nuk kanë çuar në zgjidhje të qëndrueshme e të vërteta të përplasjeve politike. Në fakt, vetë Berisha e PD-ja janë bërë shpesh fasadë e politikës së partive të majta ose e politikave të huaja nëpërmjet kompromiseve për shmangien e luftës civile, duke filluar nga ujdia me Ramiz Alinë në janar të vitit 1991, për të ruajtur “qetësinë sociale”, që çoi në paralizimin e veprimit opozitar të PD-së së sapokrijuar. Pastaj, me hyrjen e PD-së bashkë me PPSH-në në “qeverinë e stabilitetit” në qershor 1991, praktikisht Berisha e zhduku fare opozitën parlamentare në Shqipëri. Me ujdinë e Triestes në shkurt të vitit 1992 midis Berishës, Nanos e Meksit për ndarjen e pushteteve midis tyre pas zgjedhjeve të parakohshme të 22 marsit 1992 iu dha një tjetër goditje e rëndë pluralizmit të brishtë politik. Berisha kapitulloi para rebelimit të armatosur labo-komunist më 9 mars të vitit 1997 dhe shërbeu për tre muaj të tjera si jallan-president, si fasadë deri në zgjedhjet e 29 qershorit të vitit 1997 për legalizimin e pushtetit të dhunës të PS-së. Berisha as atëherë nuk guxoi t’i bojkotonte zgjedhjet farsë, ndonëse në gjysmën jugore të Shqipërisë PD-ja nuk vinte dot as kandidatë. Berisha u bë fasadë e tripolaritetit pushtetor të kurdisur nga greko-amerikani Nikolas Gejxh në takimin Nano-Meta në Korfuz dhe takimin Meta-Simitis- Xhinxhiq në Beograd më 2002, që shënoi fillimin e periudhës së qeverisjes nga bandokracia, me alternim pushtetesh nën ndikim serbo-grek në Shqipëri. Për ta konsoliduar këtë sundim të alternuar të bandokracisë, Berisha bëri marrëveshjen e turpshme me Ramën në vitin 2008, duke e varrosur përfundimisht demokracinë zgjedhore. Këtë marrëveshje deri tani e ruajnë me xhelozi PD-ja, PS-ja dhe LSI-ja. Për interesat e bandokracisë u bë dhe marrëveshja e 17 majit 2017 midis Ramës e Bashës (kuptohet me bekimin e Berishës), që Basha ende shpreson se mund ta përdorë si model për ndonjë zgjidhje in extremis me Ramën, që ta nxjerrë PD-në nga qorrsokaku politik, ku e ka futur me daljen nga parlamenti dhe betimin se pa PD-në nuk mund të bëhen zgjedhje në Shqipëri. Berisha tani ka dalë flamurtari më i vendosur i marrjes së pushtetit nga PD-ja me revolucion. Berisha-Basha e Meta-Kryemadhi po e ndjekin rrugën e marrjes së pushtetit me dhunë (në u ectë) po qe se Rama nuk kapitullon e nuk e dorëzon vetë karrigen e kryeministrit. Duhet studiuar edhe një herë libri i Leninit “Shteti dhe revolucioni”, që të kuptohet logjika politike që po e ndjek opozita e sotme në Shqipëri. Lenini ka pas thënë dikur: “Ne i shohim si plotësisht të ligjshme, si përparimtare dhe si të domosdoshme luftërat civile që bëhen nga klasa e shtypur, nga skllevërit kundër skllavopronarëve, nga bujkrobërit kundër feudalëve dhe nga punëtorët me mëditje kundër borgjezisë”. Udhëheqësit e opozitës së sotme në Shqipëri e ndjekin pikë për pikë këtë logjikë, veçse ia shtojnë asaj edhe “luftën e demokratëve kundër qeverisë së krimit”, “luftën e pjesës së shqiptarëve që mobilizohet nëpër tubime me sulme kundër policisë” nën urdhrat e tyre, pa marrë parasysh se ka një pjesë tjetër të shqiptarëve, ende më e madhe, që votën e japin për qeverisjen që është në fuqi.

Tejet dëshpëruese është psikologjia opozitare se ndërrimi i pushtetit duhet të bëhet me luftë civile, që për demagogji nganjëherë emërtohet edhe “mosbindje civile” ose “shpërthime popullore spontane që nuk i kontrollon dot partia”, që vetë i nxit. Kjo për Shqipërinë mund të jetë vetëm përsëritje gjëmash e jo përparim i demokracisë. Predikuesit e “mosbindjes civile“ harrojnë se edhe qytetarët që dëmtohen nga kjo mosbindje për gëzimin e të drejtave të tyre kanë të drejtën për “vetëmbrojtje civile”, në rast se dështon pushteti shtetëror në sigurimin e jetës e të pasurisë së tyre. Nëse do të ndiqet rreptësisht për çdo situatë një postulat i tillë, atëherë kurrë nuk mund të ketë pushtet të qëndrueshëm se mjafton një trazirë për ta shembur atë. Po nuk pati një pushtet të qëndrueshëm, nuk mund të ketë as shtet të stabilizuar e të sigurtë, për të cilin ka gjithmonë më së shumti nevojë çdo shoqëri e çdo komb. Pushteti, kur është i ligjshëm, duhet mbështetur që ta mbajë në këmbë shtetin. Berisha këtë nuk e bëri dot më 1997 dhe dëmtoi rëndë Shqipërinë. Berisha e bëri këtë kur e mbrojti shtetin nga sulmet e mitingsave të Ramës më 21 janar 2011 dhe e shpëtoi shtetin nga përsëritja e katrahurës së vitit 1997. Berisha bëri shumë mirë. Berishës në vitin 1998 pushteti i mbeti në duar, sepse qeveria e Nanos ia mbathi para turmës që protestonte kundër vrasjes së Azem Hajdarit, ditën e varrimit të tij. Por, Berisha nuk pati guxim të fillonte ta ushtronte pushtetin dhe u tremb nga trysnia ndërkombëtare. Bëri sa mirë, aq edhe keq. Tani Berisha dhe opozita tregohen skajshmërisht “të patrembur” para trysnisë ndërkombëtare dhe këmbëngulin se do ta marrin pushtetin me hir ose pa hir, me dorëzim në pjatë argjendi ose dhe me dhunë, edhe sikur të bëhet kiameti në Shqipëri. Dhe, që të shpëtojë Shqipëria nga kiameti, mjaftuaka që Rama të ikë nga posti i tij kryeministror pa u dhënë një ide të qartë shqiptarëve se kush do ta zëvendësojë dhe mbi çfarë të drejte politike e bazë ligjore. Opozita ka një shpresë se këtë rol mund ta luajë Koço Kokëdhima, dikur aleat i ngushtë i Ramës, e pastaj armik i tij politik, pas të cilit mund të radhiten një takëm socialistësh konservatorë kundër “Rilindjes” së Ramës, siç u radhitën dikur një tjetër takëm enveristësh pas Ilir Metës, kundër më liberalit Fatos Nano, ose siç u radhitën një takëm “demokratësh histerikë” kundër vetë PD-së në vitin 1997 e që sot e nxisin PD-në t’u hyjë të njëjtave aventura. Prandaj, propaganda opozitare dhe disa mjedise mediatike janë mobilizuar ta formatojnë imazhin e Kokëdhimës kryeministër dhe lëshojnë thirrje pa pushim se Shqipërinë nga kriza mund ta nxjerrë vetëm arritja e një “Pakti kombëtar” të propozuar nga Kokëdhima. Mirëpo, sikurse u përshkrua shkurtimisht më lart, të gjitha këto pakte – si zgjidhje kompromisi – nuk i kanë zgjidhur problemet gjatë 30 vjetëve, por i kanë shtuar rreziqet për përleshje të reja, si armëpushimet në një luftë civile të papërfunduar në dekada në Shqipëri. Bëjnë shumë keq për shtetin ata që po e kërkojnë kështu pushtetin nga një qeveri e ligjshme, që bota e njeh në mënyrë të përsëritur si të tillë. Këso kaosi asnjëherë nuk kemi parë në mendësitë e sjelljet e opozitës. Rama dhe qeveria e tij e kanë për detyrë shtetërore të mos kapitullojnë në rrethana të tilla, nëse duan vërtet t’i shërbejnë pakëz edhe shtetit, e jo vetëm bandokracisë. Nëse Rama nuk e parandalon këtë, ai bëhet po aq përgjegjës për moskryerjen e detyrës para shtetit e shoqërisë shqiptare, sa edhe Sali Berisha e Aleksandër Meksi në pranverën e zezë të vitit 1997. Këto ndodhira na shtyjnë t’i shtrijmë gjykimet më gjerë në kohë e hapësirë mbi…

PIKTURËN e dikurshme dhe KARIKATURËN e sotme të PARTISË DEMOKRATIKE

Partia Demokratike dhe udhëheqësi i saj historik, Sali Berisha, janë fajtorët kryesorë që shteti e shoqëria shqiptare janë katandisur në gjendjen ku ndodhen sot. Ata kanë pasur edhe detyrën politike, edhe misionin historik, edhe kohën e mjaftueshme në pushtet e në opozitë, dhe mundësitë e shumta praktike, që të parandalonin shumë nga gjëmat që e kanë goditur Shqipërinë. Sot nuk duhet të nxisin më revolucion e luftë civile, as ta bëjnë Shqipërinë edhe më qesharake para botës.

Para tri dekadash shqiptarët e pritën me gëzim dhe entuziazëm të madh agimin e epokës së demokracisë, pas një diktature të gjatë e të egër. Shumica e shqiptarëve sigurisht nuk e kishin idenë e demokracisë, që po u premtohej. Por, intuita e shpresa i shtynin të besonin se diçka më e mirë do të ndodhte. Dhe, në fakt ashtu ndodhi. Qysh nga ajo kohë për shqiptarët kanë ndodhur ndryshime të mëdha, përparime të dukshme, janë realizuar shumë ëndrra, por këto janë shoqëruar edhe me shumë pësime e dhimbje, me mjaft zhgënjime e dëshpërime. Demokracia e vërtetë ende sot mbetet për shqiptarët një vegim. Shpresat e mëdha të shqiptarëve u manifestuan politikisht në mbështetjen që i dhanë të parës parti opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike. Lëvizja për demokraci në Shqipëri në vitet 1990-‘91 pati si katalizator Lëvizjen Studentore dhe si përfaqësuese në luftën politike për pushtet pikërisht Partinë Demokratike, edhe pse kjo parti atëherë ishte ende thjesht një emër, pa struktura, pa anëtarësi të qartë, pa ndonjë fizionomi që të jepte siguri se punët do të shkonin mirë. Atëherë ende nuk dihej se ajo që u quajt Partia Demokratike ishte një grup njerëzish të përzgjedhur e të caktuar me mision nga Partia e Punës dhe udhëheqësi i saj Ramiz Alia për të mbajtur nën kontroll edhe zhvillimet në kampin antikomunist. Por, sidoqoftë PD-ja ishte e detyruar të bënte diçka për ta luajtur e ruajtur rolin e saj politik. PD-ja ishte si një pikturë e bukur në galerinë imagjinare të zhvillimeve politike shqiptare. Tani, pas 30 vjetësh, për fat të keq në vend të kësaj pikture të bukur në këtë galeri qëndron një karikaturë që nuk të tërheq më. PD-ja degradoi vit pas viti. Nga ajo kohë prej saj ka mbetur një tabelë me fjalët “Parti Demokratike”, si në ndonjë derë dyqani në shkatërrim, paçka se selia e saj është më madhështorja në Tiranë, por nuk tërheq më adhurues të përkushtuar si dikur, përveç ca nostalgjikëve, që nuk reformohen dot dhe ca ambiciozëve të rinj, që presin t’u bjerë sa më shpejt ndonjë llokmë pushteti në gojë pa menduar për gjë tjetër. PD-së i ka mbetur si ikonë e historisë së saj Sali Berisha, që nuk e ka më as forcën morale, forcën fizike, e as freskinë mendore për ta ngjallë entuziazmin e dikurshëm. Kanë mbetur edhe disa figura të çngjyrosura politikisht, të stërkonsumuara gjatë viteve, më shumë nga dredhitë politike se lufta politike, që nuk kanë më asnjë fuqi mobilizuese. Partia Demokratike sot është katandisur në gjendje edhe më të keqe se Partia e Punës në vitin 1991. Prandaj Shqipëria është zhytur në një krizë shumë të thellë, që e ka prodhuar më së shumti vetë PD-ja me luftën e saj të egër, që bëri për disa dekada kundër organizimit e konsolidimit të një të djathte serioze dhe efikase në Shqipëri dhe duke i qëndruar besnike marrëveshjes së Berishës me Ramiz Alinë e duke flirtuar me të e duke i shërbyer të majtës, sidomos me partinë e Ilir Metës, që zhvleftësoi PD-në në sytë e të djathtëve e të nacionalistëve shqiptarë. Tani PD-ja ka rënë robinë e së majtës më ekstreme, të LSI-së, e të dallavereve të hiçpartive bishtdredhura ose të disa individëve, që tundin nga një flamurkë partiake, po nuk përfaqësojnë anëtarësi dhe aq më pak elektorat.

Për ta ndrequr PD-në nuk bëjnë më punë rekrutimet me ngut të zelltarëve të rinj, as krijimi i njësive paramilitare për sulme kundër selive të institucioneve e policisë, as bllokimi i rrugëve, as rikthimet kohë pas kohe të të djegurve e të përcëlluarve në luftëra politike. Për ta zëvendësuar rolin politik të PD-së në skenën politike shqiptare duhet çelik i ri politik partiak, por ky nuk mund të prodhohet dot më duke grumbulluar e shkrirë vetëm skorie e hekurishte të vjetruara në PD, as duke vrapuar pas falsiteteve të ambiciozëve të rinj për rol e karrierë politike të shpejtë. Zëvendësimi i rolit të PD-së në një forcë tjetër politike do të marrë kohë të gjatë, do të kërkojë punë të lodhshme. Ajo që mundohet të bëjë tani udhëheqja e propaganda e PD-së është punë e kotë, kohë e humbur dhe shërben vetëm për ta vështirësuar daljen e Shqipërisë nga vorbulla e ujërave të turbullta. Për njerëzit e PD-së, që ruajnë ende ideale të fosilizuara nga e kaluara, rruga më e mirë do të ishte që ta ruajnë sa më shumë PD-në nga ndikimet e aventurizmit, nga njollat e reja që mund t’i vihen historisë së saj, sepse mjaftojnë njollat e shumta që i janë vënë deri më sot. Pushteti, që po e kërkojnë me çdo kusht e me çdo mjet, pa e ditur se çfarë mund të bëjnë me të edhe sikur ta marrin, do t’i sillte vetëm fatkeqësi të reja Shqipërisë. Rishtarët, që zhurmojnë në emër të PD-së, duhet ta mësojnë së pari historinë e saj, duhet ta kuptojnë ku ka gabuar ajo, kush mban përgjegjësi për gabimet dhe të vetëdijesohen për vështirësitë e politikës shqiptare. Karikatura që simbolizon sot PD-ja në politikën shqiptare nuk retushohet dot për ta bërë të duket si piktura e bukur që ua kënaqte syrin e shijet shqiptarëve. Partitë e dala gjatë tri dekadave nga PD-ja (“Aleanca Demokratike”, “Partia e Djathtë Demokrate”, “Partia Demokratike (r)”, “Partia Demokratike e Reformuar”, “Fryma e Re Demokratike”), asnjëherë nuk u bënë forcë vetëvepruese e me peshë, të dobishme për ta kompensuar rënien e peshës së PD-së fillestare. Edhe “Bindja Demokratike”, që u shpall më 23 prill sa për t’u regjistruar në fushatën zgjedhore, nuk premton gjë të madhe. Krijimi i kësaj partie u vonua shumë dhe ende nuk përbën ndonjë risi në krahasim me PD-në. Kjo duket qysh në emërtimin aspak emocionues të partisë. Për ta përmbyllur këtë shkrim isha i detyruar të prisja sa të kalonte data 23 prill, kur skadonte afati i regjistrimit të subjekteve partiake garuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Drejtuesit e Partisë Demokratike dhe aleatët e tyre përsëri bënë dredhi. Nga një anë u hoqën se nuk lëvizin nga vendimi për të mos hyrë në zgjedhje dhe nga betimi se nuk do të lejojnë mbajtje zgjedhjesh pa ata, ndërsa – nga ana tjetër – lanë derën pakëz hapur për pazare të reja, ku do të shkonin po t’ua mundësonte dikush nga faktorët ndërkombëtarë ndonjë shans që ta lajnë fytyrën, duke krijuar përshtypjen se Edi Rama e qeveria lëshuan mjaft pe që “koalicioni për mospjesëmarrje” në zgjedhje ta heqë atë fjalëzën “mos”. Pra, deri ditën e zgjedhjeve do të ketë rrëmuja politike e pazare të shëmtuara, së pari për ndonjë shtyrje të mundshme të datës së zgjedhjeve dhe, së dyti, për ndonjë marrëveshje, si ajo e majit 2017 midis Bashës e Ramës “me qëllim që të shmanget edhe një herë lufta civile”.

Opozita po bën vetëm lojëra pa përgjegjësi. Puna më e vështirë i mbetet Ramës e qeverisë së tij për ta bërë. Janë shumë zhvillime që na shtyjnë të përfytyrojmë skena nga më të shëmtuarat gjatë muajve të ardhshëm për demokracinë zgjedhore në Shqipëri dhe për emrin e Shqipërisë në Europë e në botë. Duket do të vazhdojë historia e shëmtuar se shqiptarët qysh nga themelimi i shtetit të tyre nuk kanë parë zgjedhje të lira e serioze. Përgjegjësia ka qenë gjithmonë e drejtuesve të tyre shtetërorë e politikë. Fajtorët kryesorë për vazhdimin e kësaj gjendje sot janë Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Fatmir Mediu, Monika Kryemadhi etj..

*          *          *

Bubullimat e tanishme të luftës civile mund të pushojnë edhe si në përralla, pa lëshuar një pikë shi ose një kokërr breshër. Të nesërmen e votimeve, më 1 korrik 2019, në vend të mjerimit për apokalipsin politik në Shqipëri, shqiptarët mund të përjetojnë një sarkazëm: përmbylljen e lumtur të betejave zgjedhore. PD-ja mund ta ngrejë flamurin e fitores se në sajë të politikës së fortë që bëri ajo, “qeveria e krimit dhe e drogës” nuk guxoi këtë radhë ta përdhoste demokracinë zgjedhore. Precedentin e një justifikimi PD-ja e ka në arsenalin e demagogjisë së saj qysh nga viti 1994. Berisha, pasi kishte pësuar disfatën dërrmuese në referendumin popullor, që hodhi poshtë kushtetutën e tij, doli krenar para ambasadorëve të huaj dhe e shpalli këtë si një fitore, sepse “popullit i ishte dhënë rasti të mësonte çfarë është demokracia”!!!/ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne