Çavusoglu: 2018-a do të jetë një vit më i mirë në marrëdhëniet turko-gjermane

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të hënën se 2018-a do të jetë një vit më i mirë në marrëdhëniet me Gjermaninë.

Shefi i diplomacisë turke gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve gjermanë, tradicionalisht të konsideruar si “miq të mirë”, që t’i kalojnë sërish pushimet në Turqi.

Në një intervistë për korrespondentin e agjencisë gjermane të lajmeve “DPA”, në Ankara, Mevlut Çavuoglu foli për marrëdhëniet Turqi-Gjermani.

“Turqia është një vend i sigurt”, tha ai duke u bërë thirrje turistëve gjermanë që t’i kalojnë sërish pushimet e tyre në vendin e tij.

Çavusoglu rikujtoi se turqit i shikojnë gjermanë tradicionalisht si “miq të mirë”.

“Mes shteteve dhe qeverive mund të ketë divergjenca, ndryshime mendimesh a pikëpamjesh mbi çështje të caktuara, madje edhe probleme. Por kjo s’duhet të prekë marrëdhëniet ndërmjet popujve tanë”, theksoi ai.

Sa i përket marrëdhënieve turko-gjermane, Çavusoglu tha se “që të dyja palët janë të gatshme për normalizimin e raporteve”.

Kryediplomati turk u ndal gjatë intervistës për DPA-në edhe mbi negociatat e vendit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai tërhoqi vëmendjen se bashkëpunimi i Turqisë me Rusinë nuk është “alternativë ndaj Perëndimit”.

“Turqia vazhdon të ruajë synimin për anëtarësim me të drejta të plota në BE. Pak vende brenda Unionit, me në krye Gjermaninë, Austrinë dhe kohëve të fundit Danimarkën, janë kundër anëtarësimit tonë”, tha ministri turk i Punëve të Jashtme.

“Është e vërtetë që marrëdhëniet nuk ishin shumë të mira në treçerekun e vitit të kaluar, por më pas u shënuan disa avancime. Me Sigmar Gabrielin në veçanti kemi një dialog të mirë. Mendoj se të dyja palët janë të gatshme për normalizimin e marrëdhënieve. Pres që 2018-a të jetë një vit më i mirë”, u shpreh Çavusoglu ndër të tjera./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne