Çavuşoğlu: Është prioritet i Turqisë që Kosova të jetë e fortë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se është prioritet i Turqisë që Kosova të jetë e fortë në çdo fushë dhe se marrëdhëniet e Turqisë me shtetet e tjera asnjëherë nuk ndikojnë në politikën e Turqisë ndaj Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Pacolli: Turqia mbështet Kosovën në çdo fushë

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Behgjet Pacolli, Çavuşoğlu tha se në takim është diskutuar gjerësisht për marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Jemi të lumtur që vëllai im i vlefshëm, Behgjeti, i cili ka filluar detyrën rishtazi, realizon një nga vizitat e para në Turqi”, tha Çavuşoğlu.

Ai nënvizoi se njohja e Kosovës, marrja e statusit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe integrimi euroatlantik i saj janë të rëndësishme për Turqinë.

“Mbështetjen që kemi dhënë deri sot, do të vazhdojmë ta japim tutje”, shtoi Çavuşoğlu.

“Është prioritet i Turqisë që Kosova të jetë e fortë”

Duke vënë theksin mbi rëndësinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ministri turk Çavuşoğlu u shpreh: “Për ne është prioritet që Kosova të jetë e fortë në çdo fushë dhe të qëndrojë në këmbët e veta. Në këtë drejtim, Turqia dhe kompanitë turke do të luajnë rol të rëndësishëm në investimet që forcojnë ekonominë e Kosovës”.

Çavuşoğlu potencoi se janë duke i vazhduar aktivitetet në Kosovë përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

“Ne kemi realizuar mbi 600 projekte në Kosovë. Këto projekte në vlerë prej rreth 100 milionë dollarësh, të cilat janë zbatuar kryesisht për rigjallërimin e trashëgimisë së përbashkët, rritjen e vendeve të punës dhe projekte për zhvillim në shumë sektorë, me të vërtetë kanë rritur vazhdimisht prestigjin e TIKA-s në këtë shtet”, tha Çavuşoğlu.

Ai potencoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendimet tona lidhur me këtë çështje ne ua shpalosëm edhe bashkëbiseduesve tanë gjatë vizitës së fundit në Beograd”, njoftoi shefi i diplomacisë turke.

“Siguria dhe stabiliteti i Kosovës kanë rëndësi jetike”

“Stabiliteti i rajonit është me rëndësi, por, për sa i përket sigurisë dhe stabilitetit të rajonit, siguria dhe stabiliteti i Kosovës kanë rëndësi jetike. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë gjë”, u shpreh Çavuşoğlu.

Po ashtu, Çavuşoğlu tha se inkurajojnë afaristët turq që të bëjnë më shumë investime në Kosovë.

“Afaristët tanë kanë marrë përsipër projekte të rëndësishme në Kosovë. Edhe në periudhën në vijim, ne duam që Kosova të vazhdojë t’u besojë kompanive turke kur bëhet fjalë për projekte për zhvillimin e vendit”, theksoi Çavuşoğlu, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë edhe më të mira në vijim.

“Ne e shohim vendosmërinë e njëjtë edhe në qeverinë e sapoformuar të Kosovës”, shtoi ai.

“Kosovën duam ta kemi pranë në luftën kundër FETO-s”

Duke folur edhe për luftën kundër organizatës terroriste FETO, Çavuşoğlu tha se “Kosovën vëllazërore duam ta kemi pranë në një mënyrë më të fuqishme në luftën kundër FETO-s”.

Ai njoftoi se në takimet e zhvilluara po ashtu është diskutuar edhe lidhur me hapat që do të hedhen në luftën kundër kësaj organizate terroriste.

“Është mase e natyrshme që nga Kosova vëllazërore, nga Qeveria e Kosovës, të presim hapa konkretë lidhur me aktivitetet e FETO-s në Kosovë”, tha ministri turk, duke shtuar se Fondacioni Maarif ka hapur dy shkolla në Kosovë me ndihmën e qeverisë kosovare dhe se i vazhdojnë aktivitetet për hapjen edhe të shkollave të tjera.

Gjithashtu, shefi i diplomacisë turke njoftoi se në takimet që do të zhvillohen brenda ditës, do të diskutohet lidhur me çështjet rajonale, ndërsa do të vlerësohen hapat që do të hedhen së bashku në arenën ndërkombëtare.

Çavuşoğlu tha se Pacolli sot do të takohet me kryeparlamentarin e Turqisë Ismail Kahraman, ndërsa nesër do të pritet nga kryeministri Binali Yıldırım. Po ashtu, Pacolli do të takohet edhe me ministrin turk të Zhvillimit Lütfi Elvan si dhe me afaristë turq.

“Unë besoj se kjo vizitë do të kontribuojë shumë në të ardhmen e marrëdhënieve tona”, tha Çavuşoğlu, ndërsa shtoi se kanë premtuar se në çerekun e parë të vitit 2018 do ta vizitojnë Kosovën.

“Populli i Kosovës është popull vëlla për Turqinë”

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Çavuşoğlu, rikujtoi se teksa Turqia mbante Presidencën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Turqia kishte dhënë përpjekje që Kosova të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit.

Ai po ashtu shprehu gatishmëri për rritjen e tregtisë me Kosovën dhe rritjen e investimeve. Ai tha se mendojnë se investimet direkte në Kosovë do të rriten, për shkak të ligjit të fundit të Kosovës për mbështetjen e investimeve strategjike.

“Lidhur me këtë, ajo që presim nga Qeveria e Kosovës është reduktimi i procedurave burokratike”, tha Çavuşoğlu.

“Së bashku me Qeverinë e Kosovës, ne do ta rrisim sasinë e investimeve të kompanive turke. Ne po i inkurajojmë kompanitë tona”, shtoi ai.

Çavuşoğlu tha se kompanitë turke kanë vullnet të madh për të marrë përsipër projekte në fushën e aeroporteve, transportit dhe energjisë.

“Marrëdhëniet që ne kemi me Kosovën nuk i shohim si alternativë e marrëdhënieve që kemi me shtetet e tjera. Marrëdhëniet e mira me shtetet e tjera asnjëherë nuk ndikojnë dhe nuk e ndryshojnë politikën tonë ndaj Kosovës. Ne kemi vendosmëri të plotë për këtë gjë, sepse populli i Kosovës është popull vëlla për Turqinë”, tha shefi i diplomacisë turke, Mevlüt Çavuşoğlu./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne