Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, njoftoi të premten se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord për stabilizimin e Menbixhit dhe qyteteve në lindje të Eufratit duke shtuar se çështjet do të diskutohen më tej gjatë një takimi me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, më 19 mars.

“Ne shpresojmë që SHBA-ja do të heqë dorë nga mbështetja e organizatave terroriste. Ata kontrollojnë 25 për qind të vendit, por shumica e banorëve në qytetet (që ata kontrollojnë) janë arabë. Rreth 350.000 kurdë sirianë, që janë dëbuar nga YPG-ja, vazhdojnë të jetojnë në Turqi”, deklaroi Çavusoglu në një intervistë për të përditshmen gjermane “Die Zeit”, ku në fokus ishin marrëdhëniet turko-gjermane, operacioni “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë dhe marrëdhëniet Turqi-NATO.

I pyetur në lidhje me sanksionet kundër Turqisë në agjendën e diskutimeve të Senatit amerikan, ministri turk i Punëve të Jashtme theksoi se Uashingtoni nuk duhet të kërcënojë Ankaranë.

“SHBA-ja nuk duhet të na kërcënojë. Ne jemi aleatë në NATO. Të jesh i fortë s’do të thotë se ke të drejtë për çdo gjë”, vlerësoi ai duke nënvizuar se nuk do të heshtin, por do të kundërpërgjigjen në rast se tentojnë të aplikojnë sanksione kundër Turqisë.

Çavusoglu shtoi gjithashtu se “i ka ardhur fundi” tashmë “pjesës së vështirë” të operacionit “Dega e Ullirit”, filluar më 20 janar nga Forcat e Armatosura të Turqisë në distriktin veriperëndimor Afrin të Sirisë.

Shefi i diplomacisë turke vuri në pah se përgjigjja më e mirë për shpifjet e organizatës terroriste ndaj vendit të tij janë qendrat e strehimit, të cilat Turqia i ka ngritur në zonat e çliruara nga pushtimi terrorist, por edhe 100.000 sirianët e kthyer në shtëpitë e tyre.

Më parë, administrata amerikane e ish-presidentin Barack Obama i kishte premtuar Turqisë që terroristët e YPG-së, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, do të tërhiqeshin në lindje të Eufratit. Megjithatë premtimet nuk u mbajtën dhe YPG-ja nuk u zhvendos në lindje të Eufratit pavarësisht paralajmërimeve të Ankarasë.

Qëllimi i fundit i YPG-së është të krijojë një rajon autonom në pjesën veriore të Sirisë duke lidhur distriktin veriperëndimor të Afrinit me të ashtuquajturat kantonet Kobani dhe Jazeera në verilindje. Prandaj operacioni “Dega e Ullirit”, filluar më 20 janar nga Forcat e Armatosura të Turqisë në Afrin, do të parandalojë formimin e rajonit autonom, të cilin Ankaraja e quan një “korridor terrorist”.

Për shkak të premtimeve të parealizuara nga SHBA-ja, Turqia gjithashtu ndryshoi qëndrimin e saj dhe u zotua të pastrojë të gjithë terroristët nga zonat veriore të Sirisë duke përfshirë Menbixhin dhe qytetet në lidhje të lumit Eufrat.

Sipas ushtrisë turke, operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit, si dhe të mbrojë sirianët nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.

“Operacioni po kryhet në kuadrin e të drejtave të Turqisë, të cilat bazohen në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas Kartës së OKB-së dhe respektimin e integritetin territorial të Sirisë”, thekson Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Turqisë.

Ushtria turke nënvizon gjithashtu se operacioni synon vetëm objektivat e terroriste dhe se po tregohet “kujdes maksimal” për të mos dëmtuar civilët.

Nga ana tjetër, ministri Çavusoglu theksoi në vijim të intervistës për “Die Zeit” se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për armëpushimin në Siri nuk ka të bëjë aspak me Afrinin, pasi organizatat terroriste janë përjashtuar nga kjo rezolutë dhe “operacioni ushtarak i Turqisë ka në shënjestër një organizatë terroriste”.

Kur u pyet nëse ka ndonjë problem ndërmjet Turqisë dhe NATO-s, kryediplomati turk u përgjigj me fjalë: “NATO-ja është shtëpia jonë. Turqia nuk mund të trajtohet sikurse 20 vite më parë. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian duhet të kuptojnë se Turqia është partnere e barabartë.”

Ai u ndal më tej në marrëdhëniet turko-gjermane dhe bëri me dije se ndërmjet Ankarasë dhe Berlinit duhet të realizohen vizita të shpeshta të nivelit të lartë, siç është vepruar edhe në të kaluarën.

Çavusoglu rikujtoi në fund të intervistës për ditoren gjermane se me homologun Sigmar Gabriel kanë rënë dakord për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve./ trt

46