Çavusoglu për “Kathimerini”: Turqia planifikon të eksplorojë burimet në Mesdheun Lindor

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të hënën se janë të vendosur për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e vendit të tyre në lidhje me platformën kontinentale.

Në një intervistë për të përditshmen greke “Kathimerini”, ministri Çavusoglu tha se një nga elementët kryesorë të politikës turke të energjisë është rritja e përdorimit të burimeve energjetike vendore.

Ai potencoi se kërkesat maksimaliste dhe jorealiste bien ndesh kryekëput jo vetëm me kornizën ligjore ndërkombëtare në lidhje me të drejtën e detit, por edhe me rregullat apo procedurat e parashikuara nga praktika dhe legjislacionin ndërkombëtar.

“Është e drejta jonë sovrane që të kërkojmë dhe të eksplorojmë këto burime, kështu që ne planifikojmë të nisim shpimet në rajonin e Mesdheut Lindor në një të ardhme të afërt”, u shpreh ai.

Çavusoglu tha se turqit qipriotë, si bashkëpronarë të Qipros, kanë një të drejtë absolute mbi burimet natyrore në ishull.

“Ne e konsiderojmë të papranueshme që pala grekoqipriote këmbëngul të veprojë si pronare e vetme e ishullit”, shtoi ai.

Kryediplomati turk nënvizoi se vendi i tij është i vendosur që të mbështesë turkoqipriotët dhe t’i ndihmojë ata që të zgjerojnë të drejtat e tyre legjitime rreth burimeve natyrore të ishullit, por edhe të mbrojë të drejtat dhe interesat e Turqisë në lidhje me “platformën kontinentale” të saj.

Sipas tij, përpjekjet për të arritur një zgjidhje midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë dështuan në korrik të vitit 2017, kur konferenca e Qipros përfundoi pa asnjë rezultat.

“Grekët qipriotë gabojnë nëse mendojnë që turqit qipriotë mund të kufizohen në statusin e një pakice të thjeshtë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Turkoqipriotët nuk do të bien dakord asnjëherë dhe Turqia, si një garantuese e pushtetit në Qipro, nuk do ta lejojë atë kurrë”, theksoi shefi i diplomacisë turke.

Marrëdhëniet Turqi-Greqi

Duke folur për marrëdhëniet Turqi-Greqi, Çavusoglu e quajti vizitën e Presidentit Recep Tayyip Erdogan më 7 dhe 8 dhjetor 2017 në Greqi si “një hap të rëndësishëm” në raportet bilaterale.

“Vizita e Presidentit Erdogan në Greqi ishte me të vërtetë një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet tona. Gjatë vizitës sonë, liderët i diskutuan çështjet në një mënyrë të hapur e të sinqertë dhe të dyja palët ishin të kënaqura me vizitën. Ne duhet të vazhdojmë të përqendrohemi në agjendën pozitive dhe të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në një numër fushash. Duhet gjithashtu që të informojmë opinionin publik të vendeve tona mbi përfitimet e procesit të dialogut të nivelit të lartë”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë.

Prandaj – shtoi ai – marrëdhëniet greko-turke s’duhet të portretizohen gjithmonë në mënyrë negative në mediat greke, por duhet të theksohen aspektet pozitive të marrëdhënieve tona dhe ne mbështesim të gjitha iniciativat e projektet që i shërbejnë këtij qëllimi”, Mevlut Çavusoglu.

I pyetur në lidhje me takimin e ardhshëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Greqi-Turqi, shefi i diplomacisë turke tha se ai pritet të zhvillohet në qytetin grek të Selanikut, në gjysmën e parë të vitit 2018.

“Ne presim me padurim propozimet nga pala greke për datën specifike”, sqaroi Çavusoglu.

Ekstradimi i komplotistëve të tentativës së mposhtur për grusht shteti

Kur u pyet rreth një vendimi të gjykatës greke mbi kërkesën e Turqisë për ekstradimin e komplotistëve të tentativës së mposhtur për grusht shteti, ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste gyleniste (FETO), ministri i Jashtëm turk u përgjigj se vendimi i Gjykatës Supreme të Greqisë (Arios Pagos) për të hedhur poshtë kërkesën për ekstradim të Ankarasë ka shkaktuar një zhgënjim të thellë, pasi ai bie në kontradiktë me të drejtën ndërkombëtare, lë të pandëshkuar autorët e tentativës për grusht shteti dhe shkel të drejtat e viktimave.

“Me ndihmën e miqve tanë grekë, ne do të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për t’i nxjerrë këta njerëz përpara drejtësisë në Turqi”, vlerësoi ai.

“Në këtë drejtim, Ambasada jonë në Athinë paraqiti kohët e fundit në Ministrinë greke të Punëve të Jashtme një kërkesë të re për ekstradim. Kjo paketë e re përmban prova të reja dhe dokumente shtesë, të cilat tregojnë përfshirjen e 8 të arratisurve në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut”, vuri në dukje Çavusoglu.

Marrëdhëniet Turqi-Rusi

Duke folur për lidhjet e Turqisë me Rusinë, shefi i diplomacisë turke tha se “marrëdhëniet e mira” me Moskën bazohen në pozicionin rajonal të vendit.

“Ne kemi një vëllim tregtar bilateral prej më shumë se 20 miliardë dollarësh, projekte të mëdha energjetike dhe bashkëpunim të fortë në shumë fusha të tjera nga turizmi e deri në ndërtim. Kjo është normale ndërmjet fqinjëve dhe kështu duhet të jetë”, tha ministri turk i Punëve të Jashtme.

“Dëshira jonë është të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë. Për ne, Moska nuk është një alternativë e Uashingtonit apo Brukselit. Politika jonë e jashtme bazohet në përfitime reciproke”, përfundoi Çavusoglu./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne