Çavusoglu për “The New York Times”: Amerika ka zgjedhur partnerin e gabuar

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ka shkruar të dielën vonë një artikull për të përditshmen amerikane “The New York Times”.

Në shkrimin e titulluar “Amerika ka zgjedhur partnerin e gabuar”, Çavusoglu ka piketuar edhe një tjetër herë përmes medias amerikane vijat e kuqe të Turqisë për bashkëpunimin e organizatës PYD/PKK-YPG me Uashingtonin dhe për operacionin “Dega e Ullirit”.

“PKK/PYD-YPG është një grup, të cilin edhe administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e njeh si organizatë terroriste. YPG-ja është një emër i ndryshëm i PKK-së”, është shprehur ai.

Kryediplomati turk ka tërhequr vëmendjen se me politikat e saj për organizatën terroriste PKK/PYD-YPG, administrata amerikane është duke dëmtuar edhe NATO-n.

“Armatosja nga një shtet anëtar i NATO-s i një organizate terroriste, e cila sulmon një tjetër vend anëtar të Aleancës, është një shkelje thelbësore e tërësisë së gjërave që NATO-ja përfaqëson”, ka vlerësuar Çavusoglu.

Pasi ka nënvizuar se Turqia ndan me Sirinë dhe Irakun një vijë kufitare rreth 1.287 km të gjatë, ministri turk i Punëve të Jashtme ka vënë në pah se operacioni “Dega e Ullirit” është bërë i domosdoshëm për shkak të provokimeve në rritje të organizatave terroriste PKK/PYD-YPG dhe DAESH në vijën kufitare.

“Qëllimi i operacionit është të garantojmë sigurinë e kufijve tanë dhe të neutralizojmë terroristët në Afrin. Ne po marrim masa për të parandaluar dëmtimin e civilëve”, ka theksuar ai duke përcjellë gjithashtu mesazhin se operacioni do të vazhdojë derisa terroristët të fshihen nga faqja e dheut.

Shefi i diplomacisë turke është ndalur më tej edhe mbi luftën efektive të vendit të tij kundër organizatës terroriste DAESH duke potencuar se “fitorja kundër DAESH-it është e pamundur pa Turqinë”.

Mevlut Çavusoglu ka rikujtuar në fund të artikullit të tij për “The New York Times” se Turqia ka kapur mbi 10.000 anëtarë të organizatave terroriste DAESH e Al-Kaida, ndërsa ka theksuar që ushtria turke ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në çlirimin e qytetit sirian të Xherabulusit nga DAESH-i, në vitin 2016.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne