Cavusoglu ripërsërit kërkesën për Tiranën: Erdogan pret nga Shqipëria luftë kundër organizatës së Gylen

Turqia vazhdon ta konsiderojë Shqipërinë pjesë të arealit të saj kulturor. Diplomacia turke flet hapur pa ndonjë kompleks mbi këto konsiderata që Ankaraja zyrtare ka për Shqipërinë. Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili  vizitoi këtë të martë  Tiranën në kuadër të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art, tha se stabiliteti i Turqisë është i lidhur edhe me atë të Shqipërisë.

“Ne mundohemi të jemi shembull për gjithë botën me politikat tona. Ne po marrim masa për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të Ballkanit. Mundohemi që të jemi afër personave të grupeve, vurnerabël, t’i ndihmojë ato, duke filluar nga pjesa e papunësisë, problemet ekonomike. Ju përcjell mesazhet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Një Shqipëri stabile do të thotë një Turqi e fortë. Shqipërinë ne e mbështesim dhe japim ndihmën tonë për Shqipërinë mike, që është anëtare e NATO-s. Ne në Shqipëri e ndjejmë veten tonë si në shtëpinë tonë”, theksoi kryediplomati i Turqisë.

Presim mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër FETO-s

Duke folur për tentativën për grusht shteti vitin e kaluar në Turqi, nga organizata terroriste FETO, Çavuşoğlu theksoi: “E dimë që institucionet e FETO-s kanë aktivitetet e tyre në Shqipëri, dhe shqiptarët u kanë besua atyre edukimin fëmijëve e tyre. Pikëpyetja ime është. Pse futen në sistemin edukimit, marrin në shkollë nxënëse dhe fëmijë të një niveli elitë? Pastaj vazhdojnë të futen në struktura siç kanë bërë në Turqi, si në drejtësi, polici, ushtri. Atëherë duhet ta vlerësojmë shumë mirë që e njëjta situatë ekziston në Shqipëri, ku duhet të marrim masa konkrete tani që mos jetë vonë nesër. Prandaj presim mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër kësaj organizate. Populli turk do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve në çdo fushë.”- shtoi më tej ministri i jashtëm turk.

Çavuşoğlu tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë zhvillohen në fusha të ndryshme, si në fushën e arsimit, kulturës, ekonomisë, duke shtuar se mundohen për të rritur bashkëpunimet në të gjitha fushat.

“Kultura shqiptare është pjesë e kulturës turke, ashtu sikurse kultura turke është pjesë e kulturës shqiptare. Në Turqi jetojnë miliona shtetas që janë më origjinë shqiptare. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë shqiptarëve me institucionet turke që veprojnë në Shqipëri, siç është TIKA. Ne dëshirojmë që numri i studentëve shqiptarë që studiojnë në Turqi të shtohet. Fondacioni Maarif që prej një viti që është themeluar ka filluar ta tregojë veten në fushën e arsimit. Maarif duke vepruar në këto shtete ose i ka blerë këto shkolla, i ka transferuar ose i ka marrë në dorëzim, në mënyrë që arsimi të jetë më i sigurtë. Në Kosovë këtë vit janë hapur dy shkolla nga Maarif”, u shpreh Çavuşoğlu.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne