Çavusoglu: Sistemet S-400 nuk i perceptojnë si armike sistemet e NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 që do t’i marrë Turqia nga Rusia, nuk do t’i perceptojnë si armike sistemet e NATO-së.

Ministri Çavushollu iu përgjigj pyetjeve në interes të gazetarëve gjatë pritjes së organizuar me rastin e 99-vjetorit të hapjes së Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë dhe të 23 Prillit Ditës së Sovranitetit Kombëtar dhe Festës së Fëmijëve.

Në përgjigje të pyetjes se “Mbi çfarë formule po punohet në lidhje me sistemet S-400?”, ministri Çavushollu bëri të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë formulë.

Duke vënë në dukje që Rusia në qoftë se dëshiron mund t’i shesë këto sisteme edhe vendeve të treta, Çavushollu për pretendimet se sistemet në fjalë mund të hyjnë në sistemet e avionëve F-35 tha: “Në qoftë se këto pretendime janë të vërteta atëherë sistemet S-400 janë të dislokuara në Siri dhe në kufirin me Norvegjinë. Avionët F-35 të Norvegjisë po fluturojnë mbi këto sisteme. Edhe në Siri avionët amerikanë dhe izraelitë fluturuan mbi këto sisteme. Në qoftë se pretendimi është i vërtetë atëherë kjo ka ndodhur që moti. Ne jemi treguar të ndjeshëm qysh prej fillimit për këto çështje, ky sistem nuk do t’i perceptojë si armike sistemet e NATO-s. Ato janë sisteme që ne do t’i marrim për mbrojtjen tonë dhe mbi të cilat do të kemi kontrollin e plotë. Ne jemi pro formimit të një komisioni në qoftë se kanë shqetësime. Përveç kësaj në rend të ditës nuk erdhi ndonjë formulë tjetër. Nga ShBA-ja ende nuk kemi marrë përgjigje për propozimin tonë, por nga NATO-ja po”.

Ndërkaq në pyetje për t’i bërë një vlerësim zgjatjes së përjashtimit nga embargot e ShBA-së ndaj Iranit, Çavushollu tha se ky është një vendim jashtëzakonisht i gabuar.

Shefi i diplomacisë turke vuri në dukje se zbatimi i këtij vendimi është shumë i vështirë, ndërsa shtoi se vendimi në fjalë nuk ka të bëjë vetëm me Turqinë.

Mevlyt Çavushollu theksoi se aktualisht asnjë vend nuk mund të diversifikojë importet e naftës, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Fillimisht është i gabuar orientimi drejt dy vendeve (Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite). Rafineritë tona nuk janë të përshtatshme për naftën e blerë nga këto vende. Ato duhet ta ripërtërijnë teknologjitë e tyre. Për këtë rafineritë duhet të mbahen të mbyllura për një kohë, ndërsa në anën tjetër qëndron kostoja. Pse duhet që ne të paguajmë koston? ShBA-ja merr një vendim dhe kërkon që të gjitha vendet t’i përmbahen atij”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne