Çavusoglu: Sistemi S-400 nuk përbën kërcënim për NATO-n dhe F-35

Ministri i Jashtëm Çavushollu e ka përsëritur edhe një herë që kontrolli i sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400, të cilat Turqia do ti marrë nga Rusia, do të jetë plotësisht në duart e Turqisë dhe këto sisteme (S-400) nuk do të përbëjnë ndonjë kërcënim për sistemet e NATO-s dhe avionët luftarakë të gjeneratës së re F-35.

I ndodhur në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Uashington, për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm NATO-s, që mbahet me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve turq.

Referuar takimit që kishte patur me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Çavushollu tha se në këtë takim ata kishin biseduar për tërheqjen e ShBA-së nga Siria dhe zonën e sigurt, që planifikohet të krijohet në veri të Sirisë, dhe kishin rënë dakord që taskforcat e përbashkëta të të dy vendeve të vazhdojnë të punojnë në mënyrë të koordinuar gjatë procesit të tërheqjes së ShBA-së (nga Siria).

Turqia me ShBA-në kanë mendime të ndryshme lidhur me avionët luftarakë F-35 dhe sistemet e mbrojtjes ajrore S-400,- u shpreh kryediplomati turk, ndërsa shtoi se në takimin me Pompeo ai kishte biseduar edhe për këtë çështje.

“Turqia ndjek një politikë të jashtme shumëpalëshe. Në rajon ne jemi fqinj me Rusinë dhe të gjitha vendet e rajonit blejnë gaz natyror nga Rusia. Rusia është një prej partnerëve tanë tregtarë. Me ShBA-në jemi aleatë në NATO. Ne i mbështesim të gjitha veprimet e NATO-s në lindje dhe në Detin e Zi. Ne duam që të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë dhe ti ekuilibrojmë këto marrëdhënie. Si rrjedhojë nuk jemi të detyruar që të bëjmë një përzgjedhje formës, kjo apo ajo”, u tha Çavushollu gazetarëve në Uashington.

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me raketat S-400 (që Turqia do të blejë nga Rusia) dhe reagimet që kanë ardhur nga ShBA-ja ndaj deklaratave të Turqisë, e cila e cilëson si ‘punë të mbaruar’ marrëveshjen (për raketat S-400), Çavushollu tha: “Ne këtë ua kemi thënë të gjithëve që në fillim. Pasi ky nuk është një proces sekret. Ne nuk e themi për herë të parë këtu që kjo kontratë është një punë e kryer tashmë”.

“Nëse ka shqetësime në lidhje me këtë çështje, si do ti evitojmë ato? Raketat S-400 do të jenë plotësisht në kontrollin e Turqisë dhe ky sistem nuk do të përbëjë ndonjë rrezik apo kërcënim për sistemet e NATO-s, përfshi këtu edhe avionët F-35. Dhe ne këtë gjë e themi prej kohësh. Pasi ky ka qenë edhe kushti i parë në bisedimet tona me Rusinë, që ky sistem (S-400) jo vetëm që nuk do të jetë i integrueshëm me sistemet e NATO-s, por nuk duhet të përbëjë ndonjë rrezik apo kërcënim as për sistemet e NATO-s, e as për sistemet tona”, përfundoi Çavushollu.

Turqia vendosi në 2017 për të blerë sistemin S-400 pas përpjekjeve të zgjatura dhe pa sukses për të blerë nga ShBA sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne