Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi nga Los Anxhelosi se vendi i tij është shumë më i sigurt sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çavusoglu iu përgjigj interesit të gazetarëve pas një vizite në vendin ku është martirizuar ish-konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Los Anxhelos, Kemal Arikan, pasi u vra nga terroristët armenë në vitin 1982.

“Paralajmërimi i SHBA-së në lidhje me udhëtimet në Turqi është një qëndrim, i cili nuk i ka hije një shteti aleat”, vlerësoi Çavusoglu.

“Energjitë tona nuk duhet t’i shpenzojmë në këto çështje”, shtoi ministri turk i Punëve të Jashtme.

Ai rikujtoi se pas paralajmërimit amerikan për udhëtimet drejt Turqisë, edhe Turqia lëshoi një paralajmërim në lidhje me udhëtimet e qytetarëve të saj drejt SHBA-së.

“Po të shikojmë ngjarjet, sulmet e përditshme në SHBA, si dhe numrin e njerëzve duke përfshirë edhe turistët që vriten në një ditë në qytete të ndryshme amerikane, atëherë vërejmë se Turqia nuk është një vend më pak i sigurt se SHBA-ja. Përkundrazi, Turqia është një vend shumë më i sigurt sesa SHBA-ja”, theksoi Çavusoglu.

Në vitin 2017 – vijoi ai – Turqia ka pritur 32 milionë turistë, përfshi këtu edhe qytetarë amerikanë, dhe të gjithë këta turistë janë kthyer të sigurt në vendet e tyre.

“Këtë vit ka një rritje serioze në numrin e atyre që dëshirojnë të vijnë në Turqi si turistë nga SHBA-ja. Këtë e vërejmë edhe nga rezervimet e bëra. Nuk e kemi kuptuar nëse dëshironin të ndalnin këtë apo se çfarë dëshironin të bënin, por gjithsesi këtë do ta bisedojmë me Tillersonin”, nënvizoi Çavusoglu.

20