Çavusoglu: Turqia nuk i jep shans asnjë force që tenton të mbështesë YPG/PKK-në në Afrin

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, paralajmëroi të enjten se vendi i tij nuk do t’i japë mundësi asnjë force, që tenton të hyjë/kalojë në zonën Afrin të Sirisë për të mbrojtur organizatën separatiste terroriste PKK/PYD-YPG.

Ai realizoi takime kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve me ministrin e Punëve të Jashtme të Algjerisë, Abdelkader Messahel, që po qëndron në Ankara për një vizitë zyrtare, ndërsa më pas organizoi një konferencë të përbashkët shtypi me homologun mysafir.

Duke folur para gazetarëve, shefi i diplomacisë turke bëri një vlerësim në lidhje me operacionin “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të asnjanësuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

Çavusoglu vuri në pah se organizatat terroriste PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH bashkëpunojnë me njëra-tjetrën kundër Turqisë.

“Do t’i spastrojmë nga këtu (veriu i Sirisë) organizatat terroriste në fjalë. Çështjen e integritetit kufitar dhe territorial të Sirisë e kemi përmendur shpeshherë. Në çdo mbledhje që kemi marrë pjesë, kemi vënë theksin mbi këtë çështje”, deklaroi ai.

Më tej, ministri Çavusoglu u ndal mbi samitin për Sirinë, mbajtur më 22 nëntor 2017 në qytetin Soçi të Rusisë me pjesëmarrjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe homologëve të tij rus, Vladimir Putin e iranian, Hassan Rouhani.

“Sikurse ai në Soçi, një samit të liderëve për Sirinë do ta realizojmë edhe në Stamboll. Këtë do ta vazhdojmë me rotacion. Ne luftojmë kundër organizatës terroriste PKK/PYD-YPG, e cila në thelb ekziston për të copëtuar territoret siriane. Ajo ka përndjekur dhe vazhdon të përndjekë të gjithë ata që e kundërshtojnë”, u shpreh kryediplomati turk.

Në fund, Çavusoglu foli gjithashtu në lidhje me pretendimet se lideri i regjimit sirian, Beshar Esad, ka rënë dakord me terroristët për hyrjen në Afrin.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk jemi kundër askujt që lufton organizatën terroriste PKK/PYD-YPG, sepse terrorizmi është armiku i përbashkët i të gjithë neve. Por nuk do t’u japim mundësi atyre që vijnë këtu (në Afrin) për të mbrojtur YPG-në. Më herët tentoi një autokolonë prej 5-10 automjetesh dhe u bë ç’ishte e nevojshme. Cilido vend qoftë, për ne s’ka asnjë dallim. Ata që duan të mbështesin YPG/PKK-në, për ne janë të barabartë me YPG/PKK-në dhe do të bëhet ç’të jetë e nevojshme”, paralajmëroi ministri turk i Punëve të Jashtme./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne