Çavuşoğlu vizitë në Katar, thirrje për dialog në zgjidhjen e krizës

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, dhe ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, kanë zhvilluar vizitë zyrtare në Katar, ku kanë riafirmuar nevojën që kriza mes disa shteteve arabe dhe Katarit të zgjidhet përmes rrugëve paqësore dhe dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrat turq Çavuşoğlu dhe Zeybekci gjatë vizitës zyrtare kanë zhvilluar takime me emirin e Katarit, Temim bin Hamad al Thani, ministrin e Jashtëm, Shejhm Muhammed bin Abdurrahman bin Xhasin Al Thani, dhe ministrin e Ekonomisë dhe Tregtisë, Ahmed bin Xhasim.

Duke folur për gazetarët në aeroport lidhur me vizitën, Çavuşoğlu tha se ndihet i lumtur që viziton këtë vend.

“Katari është vend vëllazëror dhe populli i Katarit janë vëllezërit tanë. Marrëdhëniet mes presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe emirit të Katarit Shejhm Temim bin Hamad Al Thani janë për t’u marrë shembull. Turqia dhe Erdoğan po bëjë çdo gjë për ta zgjidhur këtë problem. Për këtë arsye po vizitoj këtë vend. Kam ardhur për të treguar se solidarizohemi dhe për të gjetur zgjidhje mes Katarit dhe shteteve të tjera të Këshilli të Gjirit për Bashkëpunim”, theksoi Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu, duke folur për mbështetjen që ka dhënë Turqia në zgjidhjen e problemit, tha se ndihen të detyruar ta flasin të vërtetën dhe se kjo gjë nuk tregon se ata kanë qëndrim të kundërt me ndonjë palë.

“Nëse ka diçka që është gabim, ne duhet ta themi atë. Megjithatë, problemi nuk zgjidhet vetëm duke thënë se një gjë e caktuar nuk është në rregull. Ne duhet ta zgjidhim këtë. Ne nuk duhet të shohim një gjendje të këtillë mes vëllezërve”, tha Çavuşoğlu.

Ndërkaq, duke folur për AA pas takimeve në Katar, Çavuşoğlu tha se pas takimit në Doha do të realizojnë vizitë edhe në Kuvajt, ku po ashtu do të zhvillojnë takime zyrtare. Ai po ashtu bëri të ditur se ditën e premte do ta vizitojnë Meken me ftesë të mbretit Selman të Arabisë Saudite, me të cilin do të realizojë takim.

Çavuşoğlu më tej njoftoi se gjatë takimit i kanë vlerësuar hapat që mund të ndërmerren për tejkalimin e krizës mes vendeve të Gjirit.

“Ne duhet medoemos ta zgjidhim problemin përmes dialogut dhe rrugëve paqësore. Turqia po kontribuon në këtë drejtim”, tha ai, duke shtuar se edhe presidenti Erdoğan ka zhvilluar bisedë me shumë liderë në drejtim të zgjidhjes së krizës.

“Ne jemi në kontakt edhe me organizatat ndërkombëtare. Në të njëjtën mënyrë, kemi kontaktuar edhe më shumë ministra të jashtëm. Edhe kryeministri ynë po vlerëson çështjen me zyrtarët relevantë. Lus Zotin që ta zgjidhim këtë problem, pra, ne po punojmë për ta tejkaluar atë. Edhe qëllimi i vizitës sonë ishte ky”, shtoi ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu.

Ndryshe, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Egjipti dhe Jemeni më 5 qershor njoftuan se kanë ndërprerë të gjitha lidhjet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetje të terrorizmit’.

Diplomatët e Katarit u urdhëruan që brenda 48 orëve ta lëshonin Arabinë Saudite, EBA-të dhe Bahreinin, të cilat Katarit i mbyllën hapësirën ajrore.

Ndërkaq, më 9 qershor, Arabia Saudite, EBA-të, Bahreini dhe Egjipti përfshinë në “listën e terrorizmit” 59 persona dhe 12 organizata bamirëse që mbështeten nga Katari, duke i akuzuar ato për “lidhje me terrorizmin”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne