Ç’bukuri e trishtë!

/Klodi Leka/

Bulqiza dhe i gjithë rrethi i Dibrës janë hapësira të jashtëzakonshme sa i përket bukurisë natyrore dhe potencialit njerëzor: me lumenj dhe liqene, pyje dhe miniera, pllaja dhe stacionime turistike, histori të lashtë dhe popullsi të re. Por përtej bukurisë, ky bekim thuajse hyjnor është kthyer në trishtim për njeriun e zakonshëm. Lumenjtë janë rrasur në tuba për hidrocentrale, pyjet janë vënë në pikëpyetjen e sharrave elektrike, pllajat bujqësore janë lënë djerrë, heshtja ka mbytur historinë, tokat i ha rrëshqitja e dherave dhe minierat hanë baballarët në sytë e të rinjve të fuqishëm, por ironikisht të thyer e të papunë.

E njëjta pamje përshkon pothuajse të gjithë hapësirën e republikës sonë, të pasur me diell dhe mjaftueshmëri ekonomike, ku e ardhmja që ëndërronin prindërit tanë në fillesat e tranzicionit mund të ishte tashmë e kryer, por që është anuluar prej PPP-ve dhe primitivizmit politik, duke u bërë gjithashtu e ardhmja që ëndërrojmë ne, bijtë e tyre, në një të tashme distopike.

Pamja e bekimit të kthyer në mallkim. Në vendin tonë duhet të kesh frikë prej bekimit. Aty ku ka naftë, miniera, pyje, diell dhe liqene, ka shumë gjasa që të çatisë bisha e burimeve, kosa e vdekjes, largqofti i lumenjve, zombit, vampirët, xhuxhët dhe kohërat e errëta. Kësaj radhe bisha ka trokitur në pyjet e Bulqizës, në formën e Frankenshtajnit të Meri Shellit, gjysmë njeri dhe gjysmë makineri, si koncesionar i armatosur me motosharrë.

Të ftuar nga banoret e rebeluar përmes një gazetari të ri, por goxha premtues në misionin e tij për të vërtetën dhe komunitetin që i përket, bashkë me dy aktivistë të tjerë u nisëm drejt Bulqizës, të cilën e kemi eksploruar edhe më herët, në acar dhe në zheg, në minierat e skëterrëta dhe në rrugët e verdha duke manifestuar bashkë me punëtorët. Por rrugëtimi drejt saj, sado i vazhdueshëm dhe i rrezikshëm, me greminën nën këmbë, përveç therjes, ngjall edhe magjepsje.

Ja dhe hidrocentrali i Shkopetit, më tej ai i Ulzës, si dy krijesa të realizmit magjik, të cilët Dritëro Agolli i përshëndeste me aq entuziazëm shkencor e futurist në poezitë mbi shekullin e atomit. Lumi i Matit rrjedh si një Jance përmes shkëmbinjve piktoreske si lumi i përtejbotshëm mitik që hap luginat e Kokërdhokut dhe Vablinit. Ja dhe tokat e bukëta përqark liqenit të Ulzës deri në Klos. Në fund Bulqiza. Një udhëtim i tillë sa thua se bitise në parajsë, por që, sapo takon njerëzit, të njoftojnë se ke zbritur në ferr.

Në qytetin e Bulqizës takohemi me A., ish-minator, tashmë pensionist që rron me qindarka, poet, beqar që jeton në një garsoniere, i gatshëm për revoltë ose për azil. A., gjashtëdhjetëvjeçari simpatik që thyente jetën mizerje e të mërzitshme duke metaforizuar me shpoti realitetin atje jashtë, kësaj radhe e gjeta të paqeshur, të mbledhur kruspull në qoshkun e kafenesë. Përshëndeti me drojë dhe më vonë u zhvendos në tryezën tonë, duke rikthyer njëfarë buzëqeshjeje, këtë gjest kaq të dhunshëm për një shpirt a trup që vuan.

Pastaj D., proletari klasik, me çehre të vranët, por me një zemër tepër të butë. Ai ka kryer një nga betejat më të ashpra sindikaliste në Shqipëri, ku ka luftuar bashkë me shokët e madje gruan e tij kundër policisë speciale me porosi thyerjen e grevës së minatorëve në gusht të vitit 2011. I pakënaqur me pensionin, i zhgënjyer, i pasigurt për të ardhmen, ai bën pyetjen karteziane në është normale të bëzash me kaq kokëfortësi kur të gjithë heshtin. Bisedojmë për tradhtitë, shpresat, gjeologjinë dhe shtetëzimin.

Në fund, gazetari i ri S. dhe një djalosh inteligjent që e kam hasur përkitazi në rrjetin virtual. Këta janë fëmijët e edukuar të prindërve punëtorë, të kthyer në qytetin e vogël, me imagjinatë të madhe mbi të ardhmen e tyre. S. e pyes në e kanë kërcënuar dhe ai më gjegjet moskokëçarës se nëse nuk kërcënohet, atëherë ai vë në dyshim punën dhe misionin e tij. S. e duan banorët e rebeluar të fshatit. Ai flet për ta dhe me ta, artikulon, është i ri, i pashëm, i shkolluar, ndryshe nga njerëzit që e rrethojnë, të shkërmoqur nga jeta dhe tejet të zemëruar. S. flet në krye të turmës, i rrethuar nga policë që për habi ishin të shumtë për atë zonë ku nuk ndodh asgjë, përveç “aksidenteve” tragjike të minatorëve.

Qyteti është i ndarë në dysh. Nën malin e vdekjes ku paradoksalisht ngrihet një pedonale vezulluese gjithë kafene, përveç ecejakeve të invalidëve të punës, romëve, minatorëve, grave në të zeza, sorollaten të pashqetësuar kollarexhinjtë konformistë dhe shërbëtorët e shfrytëzuesve, çka krijon acarim në mesin e njerëzve të rebeluar që nuk durojnë belbëzimet dhe vështrimin e tyre zhbirues. Ata gjëmojnë në të shara të pacensuruara dhe mezi përmbahen. Ca police vajza rreshtohen me urdhrin e kryexhandarit para bashkisë. Kur pushteti e humb forcën dhe respektin, bëhet estetik, për të lozur me sedrën e njerëzve.

Në protestë, përveç burrave, ka edhe gra. Ato janë më të zemëruarat. Janë gra në moshë të mesme, shumë prej të cilave me flokët e thinjura dhe rrudhat si pentagrame më kujtojnë mamanë. Një grua që del në shesh të manifestojë, sidomos në zona disi të izoluara, tregon thikën që po shqyen kockën. Njëra prej tyre, për nga intensiteti ekzistencial, është e barabartë me dhjetë burra. Shikoj fytyrat e tyre teksa flas mbi jetët tona. Janë kureshtare, të brishta, duan të dëgjojnë, të kuptojnë, të thonë edhe ato mendimet që kanë në kokë, por që ngurrojnë t’i bëjnë publike. Njëra më puthi dorën, çka më shtangu, por edhe më gjëmoi thellë brenda gjoksit. Sytë e saj!Mes grave gjendej edhe kryeplaku, i quajtur Qemal Stafa, të cilit neoliberalizmi neofashist i kishte falsifikuar firmën, siç ndodh rëndom në peticionet dhe procesverbalet e pushtetit që privatizon publiken. Fëmijët fluturonin në gëzim dhe nuk u besohej se njerëzit e rritur bëheshin bashkë për të gërthitur në rrugë ngjashëm me ta.

Në fund të ditës të gjitha janë thënë dhe njerëzit kthehen të lodhur në shtëpi. Tash, çështja është se ç’do të ndodhë në vazhdim. Njerëzit janë lodhur nga të faktuarit dhe kanë nisur të ngrenë pyetjen e rrezikshme: ç’të bëjmë? Kësisoj, në vështrimin tim, realiteti po bën do kapërcime të pazakonta letrare. Nga Tolstoi te Dostojevski. Ata janë çmagjepsur prej salloneve sharmante të sundimit dhe pësojnë po atë metamorfozë të letërsisë ruse: nga pedantizmi tolstoian te nihilizmi turgenjevas, drejt aksionit dostojevkëzues. Banorët e rebeluar janë “çmendur”. Ballafaqohen trup-më-trup jo vetëm me ekskavatorët e bishës, por s’kanë më frikë as nga autoriteti i shenjtë i çifligarit. Por prapë, kjo nuk mjafton. Siç rrëfen edhe Dostojevski, çdo revoltë spontane dhe pa vizion të qartë rrezikon thyerjen dhe melankolinë akute.

Prandaj, në kësi rastesh, nevojitet tejkalimi i madh i letërsisë ruse: angazhimi radikal politik. Njëri nga njerëzit më brilantë të kësaj forme angazhimi pa të vellanë t’i ekzekutohej për revoltë të pasuksesshme ndaj qiellit, por ai nuk e humbi arsyetimin, pavarësisht zemrës. Ky njeri ndërtoi vizionin që betejat e humbura, spontane e të çorganizuara, ashtu si idetë dhe trupat e popullit, të nyjeshin rreth një botëkuptimi që edhe betejës më të vogël në fshatin më të humbur t’i jepte kuptim dhe ta koordinonte me betejën e madhe për ndryshime në mbarë vendin. Që idetë të jenë të qarta dhe imagjinata e qëruar, nevojitet një manifest, një manifest që shpalos disa ide mbi parimet, format e luftës dhe botën që duam pa bishën që ngopet me pronat, pyjet dhe perspektivën e popullit.

Së dyti, ndryshe nga pushteti që ka priftin, policin, të kollarisurin, gangsterin, kapitalistin, gjyqtarin, prokurorin dhe piarin (PR), populli nuk ka askënd, përveç të riut intelektual të dalë prej zemrës së tij. I riu i angazhuar dhe i lëçitur është një krijesë e tmerrshme për pushtetin. Nëse nuk kompromentohet, ai është figura dhe funksioni që shkatërron të gjitha figurat dhe funksionet e mësipërme. I tillë është edhe gazetari S. Ai i di ligjet, di si punon rrogozi nën mulli,si janë dhe si duhet të jenë gjërat, ndryshe nga njerëzit e sërës së tij. Dhe kështu, ai bëhet prift i popullit sa i përket shpresës, avokat i tij sa i përket së drejtës dhe polic sa i përket organizimit tëforcës vepruese.

Prandaj, është çështje e një rëndësie themelore të kuptohet se nëse intelektuali i ri S. bashkohet me proletarin D., pensionistin A. dhe banorët rebelë të qytetit B., punët do të ndryshojnë me themeli. Çdo riosh që e konsideron veten njeri të mençur e të angazhuar ka pikërisht këtë detyrë: të çojë në këmbë njerëzit e mëhallës së tij. Dhe sigurisht, të qenit i molepsur me djallëzi dëshire dhe vullneti. Dëshira pa vullnetin çon në dëshpërim. Ama lidhja e dëshirës me vullnetin në veprim. Dëshira dhe vullneti nuk janë ndjenja të çastit, por virtyte luftarake të ndërtuara me kohën, me guxim, në ballafaqim. Njëlloj si Engelsi te “Gjendja e klasës punëtore në Angli” dhe Orwell-i te “Rruga për në skelën Wigan”, edhe ne, neoproletarët e llastuar në lëmin e kulturës së konsumit, ashtu si fëmijët e proletarizuar të kapitalistëve, të cilët ndryshuan botën dhe fatet e njerëzimit, duhet të zbresim me këmbë në tokë, të hidhemi në popull, në lagjet më të thella të tij, në plagët dhe ëndrrat, që sigurisht nuk do t’i gjejmë në kafenetë mondane të katundit tonë, ku dija nuk është gjë tjetër veçse lustër për status social. Ne duhet ta rizbulojmë vendin tonë, njerëzit e tij, veten, kujtesën, ndërgjegjen, të nesërmen, t’u japim kuptim dhe qëllim, të bëhemi barrikadë bashkë me ta, të endemi në rrugët e djersitura në ankth të atdheut, përmes një vuajtjeje të ngjashme me atë të Krishtit tek i ngjitej Golgotës.

Ndryshe, si do të mund ta përballojmë këtë bukuri të trishtë, nëse nuk do mund të (ç)magjepsemi prej saj?!/ Organizata Politike

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne