Çelik: Riadi s’po bashkëpunon mjaftueshëm për zbardhjen e vrasjes së gazetarit Khashoggi

Omer Çelik u prononcua për mediat në lidhje me mbledhjen e Këshillit Qendror Ekzekutiv që u mbajt të hënën në selinë e AK Partisë.

Duke u ndalur fillimisht mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, i cili u masakrua egërsisht më datë 2 tetor 2018, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, zëdhënësi i forcës politike turke në pushtet tha se Ankaraja ka zhvilluar një proces transparent për këtë çështje, ndërsa thirrjet për bashkëpunim drejtuar autoriteteve të Riadit nuk kanë gjetur përgjigje ende sot e kësaj dite.

Çelik foli më tej për zhvillimet në Venezuelë.

“Ne jemi në krah të popullit venezuelas; respektojmë Kushtetutën dhe vullnetin e zgjedhur të Venezuelës”, potencoi ai.

Një tjetër çështje në agjendën e zëdhënësit të AK Partisë ishte gjithashtu propozimi i Presidentit Donald Trump të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zonë të sigurt në Siri.

“Shqetësimet e Turqisë për çështjen e sigurisë nuk janë shqetësime që mund të vonohen, të shtrihen në kohë apo të bëhen subjekt negociatash”, tha Omer Çelik.

Ai vuri në pah se Forcat e Armatosura të Turqisë janë të afta për të ndërmarrë operacione të çdo lloji për të garantuar sigurinë e vendit.

“Këtu është e drejtë që zonat në fjalë të mos jenë më një zonë e sigurt për terroristët, por të bëhen një zonë e sigurt për Turqinë aleate të NATO-s dhe për aleatët e NATO-s në përgjithësi”, saktësoi zyrtari i AK Partisë.

Omer Çelik bëri një vlerësim edhe për vendimin e fundit të Izraelit në Hebron (Al-Khalil).

Pasi rikujtoi se misionit të forcës paqeruajtëse në Hebron iu dha fund nga ana e Izraelit, ai tërhoqi vëmendjen se vendimi do të përshkallëzojë tensionin në rajon.

“Ky vendim është një hap i ri i Izraelit, i cili kërkon të mbulojë padrejtësitë, shkeljet e ligjeve dhe paligjshmërinë e tij”, deklaroi Çelik.

Në fund, zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim u ndal po ashtu mbi politikat kineze në Turkistanin Lindor duke thënë se në tetor të vitit 2017, Kina ka vënë në zbatim një politikë “për kinezizimin e të gjitha feve dhe besimeve”.

Ai siguroi se palës kineze i është komunikuar në raste të ndryshme që shumë aspekte të kësaj politike i lënë portën hapur asimilimit, ndërsa nënvizoi se mjaft liderë të rëndësishëm të opinionit, artistë dhe shumë intelektualë të Turkistanit Lindor rezultojnë të zhdukur dhe familjeve të tyre nuk u jepet kurrfarë informacioni.

“Sigurisht, të gjitha këto janë çështje që duhet të zbardhen. Nëse për këto çështje demonstrohet një qasje transparente, kjo do të krijojë për të tërë një shans që ul tensionet dhe që mundëson perceptimin e qartë të asaj se çfarë ka ndodhur. Ne jemi një shtet që respekton integritetin territorial dhe sigurinë e Kinës. Teksa i afrohemi në këtë mënyrë çështjes në fjalë, natyrisht që theksojmë se arrestimet arbitrare në dëm të turqve ujgurë dhe mbajtja e më shumë se 1 milion turqve ujgurë në kampet e përqendrimit dhe në burgje nuk mund të vlerësohen kurrsesi si veprime legjitime”, vlerësoi zëdhënësi Çelik./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne