/Arlind Qori/

diskutimin e mbrëmshëm televiziv Samir Manja, i konsideruar gjerësisht si një prej oligarkëve të Shqipërisë, e mohoi të ishte i tillë. Disa muaj më parë, madje, pasi pretendoi se oligarkë ka vetëm në Rusi dhe Korenë e Veriut, u orvat t’i jepte një përkufizim oligarkut si një njeri i cili ka në dorë që ta ndikojë shtetin të nxjerrë një ligj që të lejojë shitjen e një malli vetëm nga një ofrues. Nëse do të përdorim kriteret përkufizuese të Manes për oligarkinë, zor se nuk do të gjejmë ndonjë oligark në historinë e njerëzimit. Edhe po të marrim Rusinë si vendin shembullor të oligarkisë (në një kontekst kapitalist), kuptojmë se Shqipëria nuk është më mirë, madje në ca aspekte është edhe më keq. Fundja Putini ia lejon vetes që ndonjëherë të bëjë show duke u folur kërcënueshëm oligarkëve ekonomikë, madje të fusë në burg ndonjërin që kërkon ta rivalizojë politikisht. Paçka se në instancë të fundit nuk guxon t’i cenojë ekonomikisht oligarkët që nuk kanë aspirata politike. Në Shqipërinë tonë, homologu i Putinit, Rama, arrogancën mund ta përdorë vetëm me pedagogët ose me “popullin” e mbledhur në takimet gju më gju, por jo me sërën e Manes. Çka e bën të ngjajë më shumë me pijedashësin Jelcin.

Do t’i kthehemi më poshtë Shqipërisë. E nisim me një përpjekje historiko-teorike. Fjala oligarki është greke, ndonëse oligarkinë si sistem politiko-shoqëror nuk e kanë provuar as të parët e as të fundit grekët. Vetëm në kontekstin e ndezur politik të Greqisë së shekujve VI-V p.e.s., kur në një anë ngrinin krye lëvizjet e fshatarëve dhe zejtarëve (kryesisht athinas)[1], oligarkia u ngrit në shkallën e konceptit. Si e tillë, ajo shënjonte një mënyrë të strukturimit të shoqërisë ku pushteti ekonomik (kryesisht prona mbi tokën) dhe politik (përfaqësimi në institucionet vendimmarrëse) ishte ekskluzivitet i të paktëve. Lëvizjet popullore kundër skllavërimit prej borxheve (të kurorëzuara me reformat e Solonit) dhe për pjesëmarrje të barabartë politike (të arritura me reformat e Klistenit) bënë që oligarkëve t’u dridheshin këmbët dhe t’i hapnin rrugën demokracisë, pushtetit të demonit. Ky i fundit nuk shënjonte një shumicë të çfarëdoshme, por shumicën e varfër[2] – vegjëlinë po ta themi me një fjalë më të vonë – që barazinë e arritur në ligjvënie e shfrytëzonte për të shkatërruar bazën ekonomike të oligarkisë: shpërndarjen thellësisht të pabarabartë të tokës dhe burimeve të tjera ekonomike.

Oligarkia, njëlloj si demokracia, nisi të shuhej nga mendimi politik me fundosjen e poliseve. Sidoqoftë, koncepti në fjalë mund të përdoret për të shënjuar kollaj të gjitha sistemet shoqërore parakapitaliste ku pronarët e mjeteve kryesore të prodhimit (sidomos të tokës bujqësore), por edhe privilegjeve të tjera tregtare, janë njëkohësisht edhe ushtrues të drejtpërdrejtë të pushtetit politik. Pra pushtetari politik është njëkohësisht edhe pushtetar ekonomik. Kjo punë ka vazhduar për aq shumë shekuj, saqë rrugës ka humbur filli nëse u bë pronari pushtetar apo pushtetari pronar.

Kapitalizmi ka qenë revolucionar për sa i përket ndryshimeve në mënyrën e prodhimit. Është e para mënyrë prodhimi ku pronari, në kushtet e detyrimit strukturor për t’i shfrytëzuar në mënyrë gjithnjë e më eficiente faktorët e prodhimit (njeriun, tokën, lëndën e parë etj.), nuk ka nge të merret me ushtrimin e drejtpërdrejtë të pushtetit politik. Ndryshe nga formacionet e tjera shoqërore, ai kapitalist karakterizohet nga ndarja (e pjesshme së paku) e sferës ekonomike nga ajo politike. Dikush jep urdhra në vendin e punës, dikush tjetër jep urdhra në territorin publik. Sigurisht që borgjezia si klasë ka nevojë për shtetin. Ky i fundit e ka ndihur historikisht në akumulimin fillestar të kapitalit, d.m.th. shpronësimin e një mase të konsiderueshme njerëzish nga prona e vogël (e tokës sërish), duke bërë të mundur akumulimin e pronës nga njëra anë dhe krijimin e një mase të papronësh që të vetmin shteg mbijetese do të kishin shitjen e fuqisë së tyre punëtore. Mjete prodhimi dhe punë, dy anët e kapitalit. Shteti, po ashtu, është siguruar ngaherë që kësaj klase të re sunduese (së paku në sferën ekonomike) t’i garantonte paprekshmërinë e pronës (së akumuluar me hir e me pahir), të zgjidhte përmes institucioneve të paanshme mosmarrëveshjet midis anëtarëve të klasës sunduese dhe përmes aparateve represive dhe ideologjike të anshme kontradiktat midis tyre dhe klasave të nënrenditura (punëtorë, fshatarë të vegjël, zejtarë, lumpenë etj.)

Kjo është në përgjithësi historia e vendeve kapitaliste qendrore. Në to, termi oligarki ka qenë fare pak i përdorur. Fundja edhe marksistët preferonin të flisnin për sundimin e borgjezisë si klasë më e gjerë dhe dinamike se oligarkët e vjetër. Sidoqoftë, hera-herës është folur për oligarki të pjesshme ose konkurruese[3], sidomos kur është marrë në shqyrtim historia e përfaqësimit politik në shekullin XIX. Asokohe punëtorët dhe të varfrit në përgjithësi ishin të përjashtuar nga e drejta e votës, por partitë e oligarkisë rivalizonin me njëra-tjetrën duke u munduar ta anonin pak më shumë nga vetja peshoren e privilegjeve.

Mirëpo jashtë enklavave qendrore të kapitalizmit, historia ka rrjedhur shumë më ndryshe. Për të cituar Peter Struven e fundshekullit XIX, në kohën kur ishte ende një prej figurave kryesore të socialdemokracisë ruse, “sa më në lindje të Evropës të shkosh, aq më e poshtër, frikacake dhe e dobët politikisht është borgjezia…”[4] Edhe në jug të Evropës do të thoshim sot, madje mund të shkojmë pa problem në Afrikë, Amerikë Latine e Azi. Në këto vende, ku e kur më shumë e më pak, borgjezia e ka ndarë pushtetin ekonomik me latifondistët dhe pushtetarët politikë, ku nuk dihet se ku mbaron njëra palë e ku fillojnë të tjerat. Pikërisht në to koncepti i vjetër i oligarkisë nuk e ka humbur asnjëherë aktualitetin e vet.

Një vend i zakonshëm periferie është edhe Shqipëria. Ndryshe nga një pjesë e mirë e vendeve të periferisë, por ngjashëm me ato të Evropës Lindore, në Shqipëri pati një thyerje klasore pesëdekadashe, ndonëse kjo nuk çoi në çlirimin dhe emancipimin e klasave të nënrenditura. Gjithsesi, siç e dëshmon reforma agrare e 1991, socializmi burokratiko-despotik ia kishte dalë të shkatërronte përfundimisht çifligarizmin dhe marrëdhëniet parakapitaliste me tokën. Kështu që borgjezia e re shqiptare, ndryshe nga ajo e Amerikës Latine për shembull, nuk kishte klasa të vjetra bujqësore me të cilat të ndante pushtetin ekonomik. Përpara saj qëndronte vetëm burokracia politike – e prurjeve të vjetra e të reja – e cila do të ndihmonte në ngritjen e saj si klasë sunduese ekonomikisht. Do ta niste me privatizimet ndërmarrjeve publike, të falura për dy lekë, e sa e sa burimeve ekonomike. Me të ngrënën do të shtohej edhe oreksi. Kur mbaroi skrapi i ndërmarrjeve, kapitali fillestar i akumuluar kishte nevojë për grykëderdhje. E meqë nuk investonte dot në prodhimin industrial e bujqësor – për shkak se nuk e konkurronte dot kapitalin global në kushtet e hapjes së kufijve për mallrat – borgjezia shqiptare iu lëshua pasurive të nëntokës (bashkë me të huajt), por mbi të gjitha ndërtimit. Çokollatat mund të vijnë nga jashtë me kamionë, pallatet jo (ndonëse tullat, pllakat dhe makineritë po). Kështu që borgjezia e re shqiptare nisi që, në bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe ato lokale, të shkatërrojë parqe, lulishte, plazhe etj. për të ndërtuar në fillim pallate, pastaj qendra biznesi e qendra tregtare. Kursimet e fuqisë së konsiderueshme punëtore të emigruar siguronin shitjet e apartamenteve dhe dyqaneve të katit të parë, kurse paratë e zeza dhe gri mbushnin dy të tjerat.

Pas dhe krahas tyre, borgjezia jonë kërkoi shtigje të reja akumulimi. Nuk mjaftonin, si qëmoti, veç tenderat e rrugëve. Kishte nevojë për koncesione. Dhe ja ku ngriti krye dorëzimi me qira i shërbimeve publike nga doganat te spitalet. Shteti paguante drejtpërdrejt që ata të fitonin, në kushte ku malli (shërbimi) që prodhonin e kishte shitjen të sigurt.

Por borgjezia e re shqiptare do të paguante një haraç. Vini re, jo thjesht taksë ndaj shtetit, por haraç ndaj pushtetarëve politikë! Ndaj atyre që donin thelën e tyre nga viçi i majmë që kishin ndihmuar të rritej. Pushtetarëve politikë nuk u mjaftonte thjesht mbështetja politike e borgjezisë. Ata kishin nevojë për hisen e tyre. Sigurisht që borgjezia për çdo lek haraç që u paguante pushtetarëve politikë (për tenderë, koncesione etj.) fitonte jashtë logjikës së kulluar ekonomike 3 apo 4 lekë të tjera në kurriz të burimeve natyrore, hapësirave publike dhe punës njerëzore.

Kështu që, për t’i rënë shkurt një historie të gjatë dhe komplekse, me kalimin e viteve hasim jo vetëm fuqizimin e borgjezisë dhe të pushtetarëve politikë, por edhe ndërfutjen e tyre te njëra-tjetra. Biznesmenët që bëhen deputetë dhe deputetët, ministrat e kryeministrat që bëhen biznesmenë (pas lënies së detyrës) janë shembujt më të spikatur. Por ndërfutja shkon më thellë se kaq. Ajo shtrihet te ligjet e porositura që i favorizojnë në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë, privatizimet e vazhdueshme, komercializimi i arsimit, lejet e pafundme të ndërtimit, shkatërrimi i lumenjve për hidrocentrale dhe lagunave për hotele etj. Për të mos folur pastaj për mënyrën se si po të njëjtët njerëz investojnë në televizione dhe mjete të tjera propagande funksioni i të cilave është ta bëjnë të zezën të bardhë ose, në rastin më të keq për ta, gri.

Nga ana tjetër, lufta me të gjitha mjetet jo vetëm nga klasa në klasë, por edhe brenda të njëjtës klasë shoqërore, ka krijuar hendeqe edhe brenda borgjezisë shqiptare. Një numër i vogël biznesmenësh kanë kapur pikat nevralgjike të ekonomisë nga ku u bëjnë sehir jo vetëm klasave të nënrenditura, por edhe ish-shokëve të tyre. Kështu që këta, në bashkëpunim me pushtetarët kryesorë politikë, mund të konsiderohen oligarkia e re shqiptare. Ata janë gjithnjë e më të pakët, më të pasur e më të pushtetshëm.

Afërmendsh, midis tyre lindin edhe divergjenca. Renditjes dhe zgjidhjes së këtyre divergjencave u shërbejnë partitë politike kryesore, të cilat në momente të caktuara historike kanë të përkëdhelurit e tyre. Nganjëherë njëra palë akuzon të përkëdhelurit e tjetrës, por gjithnjë me nënkuptimin se kur të ndërrojë pushteti nuk do të ndryshojë asgjë seriozisht, ndoshta vetëm pak renditja.

Pikërisht se janë më shumë se një, partitë kanë nevojë të marrin e blejnë mbështetje në popull. Kjo i jep një trajtë konkurrueshmërie pjesës politike të oligarkisë. Fundja janë njerëzit e thjeshtë ata që vendosin se cila pjesë e oligarkisë do të ketë më shumë pushtet.

Partitë politike luajnë edhe rol stabilizues. Meqenëse atyre, ndryshe nga partnerët e tyre ekonomikë, u duhen edhe vota, nuk mund të lëshojnë gjithçka menjëherë. Duan s’duan, pensione do të shpërndajnë, edhe nga pak ndihmë ekonomike, ndonëse mund të spastrojnë kafshërisht listat. Po ashtu nuk ka rend pa u paguar policëve rrogat dhe as kualifikim minimal të fuqisë punëtore dhe ideologjizim të popullsisë pa shkolla. Jo vetëm kaq. Partive u duhet mbështetja, ndonëse me gjysmë zemre, e shtresave të ndërmjetme të shoqërisë. Të atyre që janë pakicë, por ndryshe nga oligarkët dhe borgjezia janë pakicë substanciale. Ata mund të hidhërohen ideologjikisht, mund të hedhin vickla se pse shëmtia e realitetit nuk i afrohet bukurisë abstrakte të ëndrrave në diell, por nuk mund të sulmohen ekonomikisht. Sigurisht që ka vend për ndonjë rritje të vogël takse këtu apo shtrëngim minimal atje, ama interesat ekonomike të pronarëve të restoranteve e kafeneve, tregtarëve të vegjël (jo ambulantëve), nëpunësve të bankave, të “shoqërisë civile” etj. nuk mund të preken seriozisht. Po u radikalizuan ata, do të thotë se thika e krizës ka shkuar në asht dhe përmbysja e madhe është në prag.

Sidoqoftë kapitalizmi është një kafshë sa e fuqishme, aq edhe e paparashikueshme. Krizat ia behin papandehur, konfliktet brenda oligarkisë mund të tejkalojnë masën, pjesët poshtoligarkike të borgjezisë mund të ndihen më të diskriminuara se ç’duhet, akumulimi i kapitalit mund të prekë fort edhe shtresat e ndërmjetme duke i shtyrë ato drejt fundit dhe pushtetarët politikë mund të ndihen të shtrënguar ta prishin paqen e brishtë sociale duke iu futur klasave të nënrenditura te buka e përditshme. Në këtë tollovi të madhe – që askush nuk e parashikon, krijon apo parandalon dot – mund të ndodhë gjithçka. Çka do të thotë se duhet të përgatitemi për gjithçka.

Shënime:

[1] Te “Peasant-Citizen and Slave: The Foundations of Athenian Democracy”, Ellen Meiksins Wood-i tregon specifikat e strukturës shoqërore të polisit athinas – oligarkë të dobët në raport me demosin – të cilat i krijuan këtij të fundit kushtet ku mund të siguronin pronësinë e tokës bujqësore, t’i shpëtonin varësisë së borxheve dhe të fitonin pushtetin politik.

[2] Për habinë e shumëkujt që e lexon për herë të parë “Politikën” e Aristotelit, në të thuhet se demokracia mirëfilli është pushteti i të varfërve, edhe sikur këta të fundit të ishin pakicë. Së paku logjikisht, sepse historikisht Aristoteli e pranon që të varfrit kanë qenë gjithmonë shumicë.

[3] Te “Poliarkia…” Robert A. Dahl-i e trajton oligarkinë konkurruese me sytë nga Britania e Madhe dhe SHBA e shekullit XIX, përpara miratimit të së drejtës universale të votës.

[4] Struvja e varte shpresën te proletariati që në vende të tilla duhej të kryente edhe të famshmin revolucion borgjez. Prandaj fjalinë e sipërcituar e vazhdon duke thënë: “…dhe aq më të më mëdha janë detyrat kulturore dhe politike të proletariatit.”

106