Çështja e byzylykëve, ministri i Drejtësisë urdhëron shkarkimin e drejtorit të Shërbimit të Provës

Ministria e Drejtësisë ka marr në posedim byzylykët, si dhe ka marr aprovimin nga kompania për instalimin e serverit qendror të sistemit elektronik pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Por ndërkohë Ministri teknik i Drejtësisë Gazment Bardhi kërkon nga Departamenti i Administratës Publike shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë si person përgjegjës për situatën, si dhe do të paraqesë kallëzim penal në prokurori për shpërdorim detyre. Po kështu Bardhi ka urdhëruar nisjen e procedurave për shkarkimin e Drejtorit të Shërbimit të Provës.

Ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, në përfundim të hetimit administrativ mbi këtë çështje, informon opinionin publik se nga verifikimi i procedurës dhe situatës së krijuar, konstatohet shkelje e ligjit dhe përgjegjësi disiplinore për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha (pezulluar nga detyra me vendim të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes pranë DAP), për shkak të mos ndjekjes së procedurës së nevojshme ligjore për këtë proces të rëndësishëm për sigurinë publike pas nënshkrimit të kontratës dhe lëvrimit të fondeve financiare përkatëse nga Buxheti i Shtetit. Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë do të kërkojë shkarkimin nga detyra dhe lirimin nga shërbimi civil për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Gjithashtu, për shkak të këtyre shkeljeve është vlerësuar se në këtë rast ka edhe përgjegjësi penale, dhe Ministria e Drejtësisë do të paraqesë kallëzim penal në prokurori. Nga ana tjetër, hetimi administrativ ka evidentuar përgjegjësi disiplinore edhe për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës z. Ilir Qafa, për shkak të lejimit të dhënies në administrim të kompanisë private të pajisjeve në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë. Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të procedurës për shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës dhe lirimin e tij nga shërbimi civil.” – thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne