CEZ- DIA, çështja që i gropos të gjithë; Sali Berisha rekomandoi DIA-n te Gjukanoviçi dhe te qeveria e Kosovës; Ilir Meta kërkonte 10 milion euro “hakun e punës”

Shkruan: Romeo Kara

Vojsava Ismailaj thekson se Kastrioti e ka pasë mik të hershëm Metën, dhe deri në fund të vitit 2012 marrëdhëniet e tyre kanë qenë tepër të ngushta, se Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Metës me Nanon dhe se ishte pikërisht Meta që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit, që çekët ta shpërblenin, Ilirin, me pretendimin se ai i kishte ndihmuar të fitonin miliona Euro.

Unë dua të theksoj se marrëdhëniet e tyre kanë qenë të ngushta edhe në vitin 2013,  kam përmendur takimin e bërë në lokalin “Shakesbeer” të bërë në fund të vitit 2013, pra edhe ketu Vojsava Ismailaj qëllimisht e përmend vitin 2012 si kufi kohor të miqësisë së tyre.

Është e tepërt që unë të komentoj se si qysh e tek, u bë Ismailaj një ndërmjetës pajtues midis Metes dhe Nanos, por ajo që u pa me pas, ishte servirja që i bëri vetes në publik Ismailaj si një person VIP, me ndikime deri në politikën e lartë.

Vojsava Ismailaj qëllimisht nuk e permend edhe miqesinë e Ismailajt me Berishën dhe klanin e tij, pasi në kohën e dhënies së intervistes, ishte pikërisht një marrëveshje e çiftit Ismailaj për të goditur në mënyrë të veçantë Metën.

Në një prononcim që Pajtim Sula, një ish drejtues i Albpetrolit ka bërë në llogarinë e Facebook-ut të Sali Berishës, mua më bëri përshtypje se, ai i thoshte troç Saliut se je ti ai që ke pritur në zyrë me ndërmjetësimin e Ismailajt Rebecca Gaskin, si dhe ke bërë rekomandime për ta tek Millo Gjukanoviçi, dhe qeveria e Kosovës qe ata të shikonin mundësinë për të bërë partneritete biznesi me Ismailajn. Këto prononcime, si dhe disa proçka të tjera të Ismailajt, Pajtimi mi ka konfirmuar mua edhe në një bisedë direkte me të. Une kam pasur vetë informacion se Ismailaj kishte në plan që këtë zullum që bëri me CEZ-in këtu në Shqipëri, ta bënte edhe me KEK-un në Kosovë. Është i njohur bashkëpunimi apo lidhja e Ismailajt me ish-z/kryeministrin e Kosoves Lutfi Haziri.

Me interes është të mësojmë se si Ismailaj u bë kaq i afërt me Berishën aq sa Berisha të ndërmjetësoje edhe në vende të tjera për të. Unë mendoj se për këtë duhet pyetur edhe Shërbimi Informativ Kombëtar, pasi të bën përshtypje që miku i hapur i ish-konsullit jugosllav në Shqipëri, Dushko Pashiç, të hyjë e të dalë tek kryeministri si në shtëpi të vet. Po kështu Ismailaj ka këmbëngulur shumë në negocimet për arritjen e kontratës së parë me CEZ-in, që mosmarrëveshjet palët ti adresonin pranë arbitrazhit të Vienës.

Përse pikërisht në Vienë? Aty Ismailaj ishte 100% i favorizuar, edhe për faktin se ai kishte përkrahje të fuqishme të ish-aristokracisë vjeneze që tashmë janë zëdhënësit më të mëdhenj të interesave ruse në Europë. Pra, ka gjasa që kjo të jetë një krushqi me bekim sllav. Ismailaj ishte shumë i afërt edhe me qeveritarët e Berishës, që vinin “java shtatë e ata tetë” të faleshin në lokalin e tij. E kam përmendur njëherë dhe po e permend prapë: për çfarë arsye shkonte tek Ismailaj Genc Pollo? Për ti bërë presion që të tërhiqej nga arbitrazhi? Po tregtarët e Berishës, si Bashkim Ulaj me shokë përse shkonin tek Ismailaj dhe pinin tek ai nga darka në mëngjes dhe qeshnin me shakatë idjote të tij?

Përse pikërisht këta biznesmenë, menjeherë sapo u prish marrëveshja DIA-CEZ, u futen si hienat dhe zevendesuan DIA-n, duke i rrëmbyer CEZ-it për një periudhe të shpejte disa mujore 19 milionë dollarë?

Pra, miqësitë e Ismailajt nuk fillojnë e mbarojnë me Metën, por kanë edhe Berishën brenda, Nanon, ambasadorë, biznesmenë, gangsterë, deputetë dhe dreqin e të birin bashkë.

Më lart unë kam zbërthyer se si u favorizua CEZ-i me vendimin e ERE-s nr.97 datë 7.12.2010, ku u ul çmimi i blerjes së energjisë nga 2.03 leke/kWh ne 1.48 leke/kWh, duke favorizuar CEZ-in me minimumin 30 milionë Euro në vit.

Unë kam thenë e stërthënë se ky vendim i ERE-s ishte tepër abuziv dhe i dënueshëm, pasi i sakatoi financat e KESH-it dhe të buxhetit të shtetit.

Është thënë e sterthënë se ky vendim i ERE-s është marrë pikërisht mbas vizitës së dyshes Meta-Ismailaj në Pragë.

Elvis Mataj ka thënë disa herë, se pas nxerrjes së këtij vendimi të ERE-s, Meta i kërkonte Ismailajt, “hakun e punes” prej 10 milionë Euro.

Është thënë po nga Elvis Mataj se vetëm bordi i ERE-s kërkonte një hak pune gjithashtu prej 500 mijë Euros.

Ismailaj ka vajtur deri tek noteri për të nënshkruar një kontratë huaje me një mik të Metes në shumën prej 500 mijë Euro, por si mashtrues që është, u tërhoq në momentin e fundit.

Nga sa ka deklaruar Elvis Mataj, Ismailaj i ka dhënë Metës një shumë të përafert me 200 milionë lekë, të paketuar në prerje të vogla, (që ti dukeshin shumë), në një çantë ngjyrë kafe.

Po kështu Ismailaj, i fshihej baba Rexhepit, kur ai shkonte tek Ismailaj. Baba Kaçi, kalonte nga poshtë banakut, dhe e linte baba Rexhepin me gisht në gojë, sa here që  ai shfaqej tek dera e lokalit.

Pse do të thoni ju? Sepse sipas Elvisit, që administronte paratë e Kaçit, baba Rexhepi vinte për të marrë para. Te paratë nuk falte as të ëmën Kaçi, e jo më baba Rexhepin.

Pas këtyre veprimeve, marrëdhëniet Meta-Ismailaj u ftohen në vitin 2011, dhe sipas e-maileve ndërmjet vetë çekëve, në verën e vitit 2011, në një takim Meta-Hejsek, Meta u shpreh se partneriteti i tij me Ismailaj ka marrë fund, se ai ishte një person pa skrupuj dhe se nuk i mbante premtimet.

E-maili është në gjuhën ceke dhe Meta është në dijeni të tij.

Hejseku u shpreh i gëzuar që më në fund do të merrte fund periudha kur Ismailaj kërcënonte hapur çekët me influencën e tij politike në Shqipëri.

Qëndrimi i Ismailajt, duke mos bërë pagesat nën dorë sipas premtimeve, ka bërë që realisht marrëdhëniet e CEZ me Shtetin Shqiptar të përkeqësoheshin. Pala çeke tentoi të bënte diçka duke i ofruar Ismailajt, arbitrarisht 16 milione Euro, nga të cilat ai kishte marrë rreth 5.5 milionë paradhënie dhe ku ngeleshin 10 milionët e premtuara Metës.

Ismailaj tahmaqar, e quante këtë kontratë goditjen e shekullit, dhe kishte qëllime të tjera.

Së pari ai donte që të merrte pronësinë e CEZ-it duke e çuar atë në arbitrazhin e Vienës, duke fituar aty, duke e shpallur debitor CEZ-in në një shumë që i ofrohej vlerës zyrtare të aseteve, dhe duke u dëmshpërblyer me pronësinë e të gjitha aksioneve të CEZ-it.

Së dyti, ai nuk donte të ndante asnjë para me të tjeret, dhe donte patjetër që ta çonte çështjen në arbitrazh. Nëse ai do të pranonte të merrte 16 milionë euro, që gjithashtu ishin të pamerituara, por që CEZ-i i jepte nëpërmjet tij si një bakshish për të ruajtur klimën e mirë me qeverinë, ai duhej të pranonte se ky do të ishte fundi i pretendimeve te tij. Pra, nëse ai pranonte të merrte 16 milionë euro, ato para atij do tia merrte patjeter dyshja Meta-Berisha, dhe ai nuk do të kishte të drejtë ta çonte çështjen në arbitrazhin e Vienës.

Ky rrufjan, e kalkuloi çdo veprim me synimin që askush përveç tij, të mos merrte asnjë kacidhe nga ky marifet.

Për këtë arsye me sa duket u prish marrëdhënia Meta-CEZ dhe krejt marrëdhënia Meta-Berisha. Atëherë CEZ-i u orientua nga njerëz të afërt të Berishës, dhe pas ndërprerjes së kontratës me DIA-n në fund të tetorit 2011, pasi u përballën me një presion nga qeveria e cila ndikoi në rritjen e çmimit të energjisë me vendimin e ERE-s nr.145 datë 7 dhjetor 2011, nga 1.48 leke/kWh ne 2.83 leke/kWh, ata lidhen disa kontrata të tjera rajonale me tetë kompani të sipërpërmendura, të cilat morën qyl rreth 19 milionë dollarë. Si shpërblim ERE nxori tjetër vendim në datë 29 Qershor 2012 me nr.87 ku ajo e ul përsëri çmimin e blerjes së energjisë nga 2.83 leke/kWh në 2.2 lekë/kWh.

Besoj se këtu i kanë rrënjët edhe mosmarrëveshjet me CEZ-in, dhe prishja e marrëdhënieve përfundimtare me ta në janar 2013.

Në prill 2013, Meta kaloi në aleancë me PS duke i bërë opozitë, ish partnerit të tij për kater vjet në qeverisje.

Vojsava Ismailaj shprehet se burri i saj ishte shumë i shqetësuar në kohën kur u prish kontrata me CEZ-in pasi Meta i kërkonte një shumë të madhe eurosh.

Besoj se Meta i kërkonte atij shumën e sipërpërmendur prej 10 milionë Euro, të premtuar nga çekët nëpërmjet Ismailajt.

Elvis Mataj, nga bisedat që ka patur me Jozef Hejsek ka mësuar se ajo kontratë ishte bërë me qellim për të doravitur pushtetarët shqiptarë në lidhje me krijimin e një klime favorizuese për CEZ-in në Shqipëri. Ata, gjithmonë sipas Elvisit, nuk mund të nxirrnin para të pajustifikuara nga arka e tyre, kështu që rruga më e mirë ishte lidhja e një kontrate, ku parate do të paguheshin nga CEZ-i, siç u paguan, edhe pse DIA nuk do të bëntë asnjë punë. I gjithë sistemi u prish nga babëzia e Ismailajt, i cili u mundua sa mundi që të mos ndajë asnjë para me të tjerët. Them sa mundi, se përsëri ai ka nxjerrë disa shuma jo të vogla për punë të pa bëra, si ato ndaj kompanisë Barita ne Mauritius. /Ekskluzive për Pamfleti.com 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne