Shqiperia

Çfarë do të ndodhë sot në Tiranë? PD kërkon leje deri në mesnatë për protestën, policia jep vetëm 2 orë.

Opozita e bashkuar do të protestojë sërish sot para Kryeministrisë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, dhe krijimin e qeverisë tranzitore që do të çojë vendin në zgjedhje të lira. Qytetarët janë thirrur nga opozitarët të protestojnë sot në 18:30 përpara kryeministrisë. Opozitarët kanë kërkuar leje deri në mesnatë, ndërsa në përgjigje policia e Tiranës, ka dhënë leje për të protestuar deri në orën 20:30.

Të paktën 1500 efektivë të policisë pritet të jenë të angazhuar sot në terren për mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Përveç forcave të policisë godina e Kryeministrisë, nga ana tjetër është e rrethuar me gardh metalik, një masë e shtuar e policisë për të shuar çdo skenar të mundshëm që mund të kenë protestuesit. Gjithashtu efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” policia ka instaluar kamera me rezolucion të lartë për t filmuar cdo person të dhunshëm apo që cenon rendin publik. Turmat do të monitorohen nga godinat e larta,nga forcat RENEA dhe efektivët e gardës. Masa sigurie do të ketë edhe në institucione të tjera të pozicionuara në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”.

Në gatishmëri do të qëndrojnë dhe autobotet me ujë për të shpërndarë turmat si edhe shërbimi zjarrfikës dhe ai shëndetësor. Pasdite pritet që të ketë edhe kufizime trafiku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët lidhëse me të./lapsi

OPINIONE