nga Asa Winstanley.

Instituti neokonservator lider për studimet strategjike, “Foundation for Defense of Democracies”, funksionon si agjenturë e qeverisë izraelite, ky eshte rezultati i investigimit të Al Jazeeras mbi lobin Izraelit në SHBA.

Sipas një burimi që e ka parë dokumentarin e fshehtë, ai përmban pamjet e një zyrtari të fuqishëm izraelit duke pretenduar se “Ne kemi FDD-në (fondacionin për mbrojtjen e demokracise). Ne kemi të tjerë që punojnë për këtë. ”

Sima Vaknin-Gil, një ish oficere e inteligjencës ushtarake izraelite, thuhet të ketë thënë se fondacioni po “punon” për projektet e Izraelit, duke përfshirë “mbledhjen e të dhënave, analizën e informacionit, punën për organizatat e aktivistëve, tërheqjen e parave. Kjo është diçka që vetëm një vend, me burimet e veta mund ta bëjë më mirë”.

Sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, i njohur zakonisht si FARA, organizatat amerikane dhe individët që punojnë në emër të qeverive të huaja duhet të regjistrohen në seksionin e kundërzbulimit të Departamentit të Drejtësisë.

Një kërkim në faqen e internetit të FARA-s tregon se Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive nuk është i regjistruar.

Filmi i Al Jazeeras thuhet se identifikon një numër grupesh lobuese që punojnë me Izraelin për të spiunuar qytetarët amerikanë duke përdorur teknika të sofistikuara për grumbullimin e të dhënave. Dokumentari thuhet gjithashtu se hedh dritë mbi përpjekjet e fshehta për të shpifur dhe frikësuar amerikanët që konsiderohen shumë kritikë ndaj Izraelit.

Grupet lobuese të Izraelit po përdorin presion të madh ndaj Katarit, i cili financon Al Jazeeran, për ta izoluar filmin, duke ushqyer spekulime që ai kurrë nuk mund të transmetohet.

Agjenti i fshehtë i Izraelit

Sima Vaknin-Gil, e cila mban gradën gjeneral brigade në ushtrinë izraelite, tani është në pozicionin më të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit.

Ministria është përgjegjëse për drejtimin e një fushate të fshehtë sabotuese kundër BDS-së, lëvizjes për bojkot, shpronësim dhe sanksionim që mbështet të drejtat palestineze.

Shefi i Vaknin-Gilit është Gilad Erdan, një aleat i ngushtë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Menjëherë pasi u caktua të drejtojë ministrinë në fillim të vitit 2016, Vaknin-Gil premtoi të “krijojë një komunitet luftëtarësh” që do tia “mësynin internetit” me një propagandë izraelite që do të distancohej publikisht nga qeveria.

Jo vetëm që përfiton fonde nga Sheldon Adelson, miliarderi antipalestinez dhe numri një i donatorëve në fushatën presidenciale të Donald Trumpit, por FDD (Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive) ka lidhje të ngushta edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në emailet e hakuara të vitit të kaluar, ambasadori i Emiratëve në Uashington e inkurajonte fondacionin që të ndikonte për transferimin e një bazë ushtarake amerikane nga Katari për në vendin e tij.

Filmi gjithashtu raportohet se do të tregojë pamjet e fshehta të një lobisti të ri izraelit që përgëzon dhe lëvdon lidhjet e ngushta të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe regjimet e tjera të Gjirit.

Lidhjet e thella Emirate të Bashkuara Arabe-Izrael

Max Adelstein thuhet të jetë parë në film duke deklaruar se lobi e ka ndihmuar Izraelin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të zhvillojnë lidhje të sigurisë “të gjitha nën tryezë”.

Adelstein ishte një vullnetar në Uashington për firmën lobuese the Harbour Group. Klientët e firmës përfshinin Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Ai mori 2,2 milion dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe më shumë se 300,000 dollarë nga Arabia Saudite gjatë gjashtë muajve deri më 30 shtator 2017.

Adelstein tani thotë se punon për AIPAC, grupin më të fuqishëm lobues të Izraelit në Uashington, konferenca e të cilit filloi të dielën. (Menjëherë pas publikimit të këtij artikulli, Adelstein hyri në parametrat e tij të privatësisë në Facebook dhe fshiu përmendjen e rolit të tij në AIPAC.

Filmi thuhet se e shfaq Adelsteinin duke lëvduar dhe përgëzuar përmirësimin e lidhjeve midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, lidhje që askush nuk i di.”

Ai i tha një gazetari të maskuar të Al Jazeeras se “qeveritë duhet të kordinohen për sigurinë. Është e gjitha nën tryezë. Në lidhje me tregtinë, sigurinë, teknologjinë, mjekësinë, ka shumë bashkëpunim”.

Sipas burimit të The Electronic Intifada’, Adelstein shihet në pamjet e fshehta duke shpjeguar se ishte planifikuar një “turne udhëtimesh studimore” i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili do fokusohej në “bashkëpunimin e ndërsjelltë”.

Në janar, Konferenca e Presidentëve të organizatave hebraike të mëdha amerikane, një forum i grupeve lobuese të Izraelit, anëtarësimi i të cilave përfshin Komitetin Amerikan hebraik, njoftoi se kishte dërguar një “delegacion të madh” të udhëheqësve në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku “u takuan me të gjithë personalitetet e niveleve më të larta.”

Depërtimi i lobit izraelit në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen pasi aktivitetet e monarkisë së pasur në Uashington po përballen me një shtim të shqyrtimeve.

Një fotografi nga stafi i AIPAC-ut, profili në Facebook i Max Adelstein, i cili tani është bërë privat.

Të shtunën, The New York Times njoftoi se avokati i posaçëm Robert Mueller po i zgjeron hetimet e tij, nga ndërhyrjet e pretenduara ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane për tek “përfshirja e influencës së Emirateve në administratën Trump” përmes dhëndrit dhe këshilltarit të presidentit Jared Kushner.

“Anti-semitizmi si një njollë nuk është më si dikur”

Jonathan Schanzer, nënkryetar i lartë i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, thuhet se shfaqet në pamjet e fshehta, duke informuar rekrutët se si ti njollosin dhe baltosin grupet e solidaritetit të Palestinës në SHBA që mbështesin lëvizjen BDS.

Sipas burimit, Schanzer pranon para gazetarit të maskuar se “BDS i ka kapur të gjithë në befasi”.

Ai e quan reagimin e grupeve të lobimit izraelit “një rrëmujë totale”, dhe shton, “Unë nuk mendoj se dikush po bën një punë të mirë. As ne nuk jemi duke bërë një punë të mirë. ”

Sipas burimit, Schanzer ankohet se përpjekjet për të përbaltur “Studentët për Drejtësinë e Palestinës” dhe “Myslimanët Amerikanë për Palestinën, si të lidhur me terrorizmin ekstremist islamik, kanë dështuar në tërheqjen e vëmendjes.

Atik gjithashtu i vjen keq që taktika e zakonshme e lobit izraelit e cila pretendon në mënyrë të rreme se aktivistët e solidaritetit të Palestinës janë të motivuar nga urrejtja anti-hebraike, po e humbet ndikimin e saj.

“Personalisht mendoj se anti-semitizmi si një baltosje dhe njollë nuk është ajo që dikur ishte,” i thotë ai gazetarit të fshehtë.

Pikëpamjet e Schanzerit i bëjnë jehonë një raporti të fshehtë të miratuar dhe të shpërndarë gjatë vitit të kaluar nga qeveria izraelite. Ky raport, një kopje e gjetur e të cilit u publikua nga The Electronic Intifada, del në përfundimin se përpjekjet e Izraelit për të ndalur rritjen e lëvizjes së solidaritetit të Palestinës kanë dështuar.

Filmi shtyhet

Në tetor të vitit të kaluar, Clayton Swisher, kreu i investigimeve të Al Jazeeras, njoftoi fillimisht se kanali satelitor i Katarit në vitin 2016 kishte infiltruar një gazetar të fshehtë në lobin amerikan të Izraelit.

Swisher e bëri njoftimin shumë shpejt pasi rregullatori i transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar hodhi poshtë të gjitha ankesat kundër filmit “The Lobby” të Al Jazeeras.

Ky dokumentar, i transmetuar në janar 2017, ekspozoi fushatën e fshehtë ndikuese të Izraelit në partitë qeverisëse të Mbretërisë së Bashkuar dhe ato të opozitës. Filmi zbuloi një agjent të ambasadës izraelite duke komplotuar me një nëpunës civil britanik për të “rrëzuar” një ministër të qeverisë që shihej si tepër kritik ndaj Izraelit.

Edhe pse Swisher premtoi se filmi amerikan do të shfaqej “shumë shpejt”, pesë muaj më vonë ai ende nuk është transmetuar.

Lobi izraelit në Katar

Gjatë së njëjtës periudhë, një valë lobistësh të Izraelit kanë vizituar Katarin me ftesë të sunduesit të saj, Emir Tamim bin Hamad Al Thani.

Midis tyre kanë qenë disa nga figurat e të djathtës dhe disa nga figurat më ekstreme të mbrojtësve të Izraelit në SHBA, përfshirë profesorin e ligjit të Harvardit Alan Dershowitz dhe Morton Klein, kreu i Organizatës Sioniste të Amerikës.

Burime të shumta të lobit izraelit i thanë gazetës izraelite Haaretz muajin e kaluar se ata kishin marrë garanci nga udhëheqësit e Katarit në fund të vitit të kaluar, që dokumentari i Al Jazeeras nuk do të transmetohej.

Katari e mohon

Grupet pro-izraelite po bëjnë ofensivë për të penguar Al Jazeeran që të shfaqë filmin.

“Le të mos i matim fjalët për këtë: një operacion i mirëfilltë spiunazhi i kryer nga Katari në tokën amerikane”, deklaroi Noah Pollak, drejtor ekzekutiv i Komitetit Neokonzervator për Izraelin.

Si për ironi, anëtarët pro-izraelitë të Kongresit po presin tani Departamentin e Drejtësisë që të detyrojë Al Jazeeran të regjistrohet si krah i Katarit, sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, ashtu siç u detyrua kohët e fundit edhe media RT e financuar nga Rusia.

Nëse ky presion do të ketë sukses në varrosjen e dokumentarit për të mirë, ndoshta është prova e fundit e ndikimit të lobit të Izraelit, të cilin gazetarët Al Jazeeras kërkonin ta ekspozonin./electronicintifada/Gazeta Impakt

90