Çfarë nënkupton Erdogani duke paralajmëruar se pas Kudsit të pushtuar i vjen radha Medinës dhe Mekës?

A është duke bërë me shenjë nga kanali saudit? Përse mendojmë se martiri Ibrahim Ebu Thureja nuk ishte një paraplegjik, pasi aftësia e kufizuar është në mendje e jo në këmbë? A do ta ndryshojë kryengritja e “popullit të vijës së rezistencës” mbarë rajonin arab?

Abdul-Bari Atuan

Që kur partia e tij fitoi pushtetin 15 vjet më parë në zgjedhje të lira e të ndershme legjislative, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan nuk ka reshtur së bëri deklarata mbi një sërë çështjesh të ndryshme. Por ajo që ai shprehu me gjuhën e tij të premten në mbrëmje gjatë një fjalimi në një festival në Stamboll, mund të përbëjë një moment kyç në jetën e tij politike për shkak të domethënieve dhe, në të njëjtën kohë, të mesazheve që mbarti. Ne gjykojmë pamjet e jashtme, ndërsa brenditë vetëm Zoti i Madhërishëm i di.

Kur paralajmëron se “nëse e humbim Kudsin, ne nuk do të jemi në gjendje ta mbrojmë Medinën; nëse e humbim Medinën, nuk do të jemi në gjendje ta mbrojmë Mekën; dhe nëse Meka bie, do ta humbasim Qaben”, kjo do të thotë se presidenti turk ndien ekzistencën e një kërcënimi real për vendet e shenjta islame dhe se e sheh si detyrë të tijën – si një pasardhës i Perandorisë Osmane – ngritjen për t’i mbrojtur ato si një mysliman, besimtar në Zotin, në të Dërguarin e Tij dhe në misionin e në doktrinën e tij.

***

Kjo deklaratë e rëndësishme, madje edhe e rrezikshme, e cila erdhi dy ditë pas mbajtjes së samitit islamik që ai udhëhoqi në Stamboll, mund të ketë nënkuptuar një sinjal ndaj kanalit të udhëheqjes saudite, i cila e bojkotoi në mënyrë interesante këtë konferencë duke e reduktuar përfaqësimin e saj në rangun e ministrit të vakëfeve dhe thuhet se ajo u kërkoi edhe disa vendeve të tjera të bëjnë të njëjtën gjë për ta dështuar atë. Gjithashtu, ra në sy edhe vëmendja e presidentit Erdogan ndaj mbretit të Jordanisë, Abdullah II, i cili u ul në të djathtën e tij në tribunën e samitit. Në fjalën e tij, ai e vuri theksin mbi përkujdesjen hashimite ndaj vendeve të shenjta islame, duke e konsideruar atë si nip të Muhammedit hashimit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!).

Është e sigurt që presidenti Erdogan, kur u tërheq vëmendjen 1.5 miliardë myslimanëve të përhapur në mbarë botën për rrezikun që u kanoset këtyre vendeve të shenjta, e përcakton burimin e këtij rreziku në Izrael dhe në mbështetjen e hapur amerikane ndaj tij për t’i judaizuar ato dhe për ta transformuar atë, Izraelin, në një superfuqi rajonale që të dominojë të gjithë rajonin dhe të përjashtojë johebrenjtë nga ai.

Ndoshta mund të ketë qëllime politike pas kësaj lëvizjeje të presidentit Erdogan, – veçanërisht pasi që Samiti i fundit Islamik që ai udhëhoqi tregoi aleancën e tij të fortë me Iranin, të përfaqësuar nga presidenti i tij z. Hasan Ruhani, duke e konsideruar këtë aleancë si bërthamën e një boshti të ri jo-sektar islam që bashkon nën një çati dy sektet kryesore islame, atë sunite dhe atë shiite (të gjithë samitet islame që janë mbajtur gjatë viteve të fundit në Riad nuk e kanë qasur Iranin) -, por nuk mund t’i shpërfillim ambiciet hebraike, jo vetëm ndaj Xhamisë Al-Aksa, ambicie të cilat konsistojnë në pretendimin se ajo është ngritur mbi tempullin e Solomonit, por gjithashtu edhe ambiciet ndaj Medinës, apo Khajberit, nga i cili i dëboi kalifi el-Faruk Omar ibn el-Khattab, duke thënë fjalën e tij të famshme: “Nuk puqen dy fe në Medine”.

Shumë udhëheqës hebrenj nuk i fshehin kërkesat e tyre për t’u kthyer në Khajber. Këtë ata e kanë shprehur haptas më shumë se një herë dhe e kanë mbështetur mbi shumë prova historike, në të njëjtën mënyrë siç folën për Kudsin dhe pjesën tjetër të territoreve të pushtuara palestineze, madje në një mënyrë më agresive dhe duke ndjekur metodën graduale. Sot Kudsin, nesër Medinën dhe pasnesër Mekën.

Banorët e vijës së rezistencës në qytetin e shenjtë – të cilët i ka zgjedhur Krijuesi i Madhërishëm për të mbrojtur Xhaminë Al-Aksa dhe pjesën tjetër të vendeve të shenjta arabe e islame rreth e qark, të cilat Zoti i ka bekuar – janë duke e kryer detyrën e tyre në mënyrën më të plotë dhe po ofrojnë jetën e tyre dhe gjakun e tyre për t’i mbrojtur ato me burrëri e trimëri. Numri i dëshmorëve deri më tani është rritur në më shumë se dhjetë dhe numri i të plagosurve në mijëra, në një kohë kur shumë nga udhëheqësit arabë heqin dorë në mënyrë të turpshme nga detyra e tyre për mbrojtjen e saj; për më tepër, e shfaqin hapur aleancën e tyre me vrasësit izraelitë dhe mburren me normalizimin e marrëdhënieve me ta, duke i konsideruar si aleatë të besueshëm tek cilët mund të mbështeten për t’i bërë ballë çdo rreziku që mund t’i kërcënojë ata dhe pohojnë se nuk kanë vrarë asnjë shtetas prej bashkështetasve të tyre.

Mbrojtja e bashkësisë islame, dinjitetit të saj dhe vendeve të saj të shenjta fillon në Kudsin e pushtuar dhe humbja e betejës, madje edhe rënia e bashkësisë arabe e islame gjithashtu, është në konfirmimin e judaizmit të saj. Kjo është ajo që kanë kuptuar heronjtë e Intifadës së Kudsit, dëshmorët e tij dhe të plagosurit e tij, dhe nuk e kuptojnë udhëheqësit arabë, të cilët i ka verbuar paraja, arroganca, injoranca e poshtërimi nga shikimi i këtyre realiteteve të qarta.

Është mirë që presidenti Erdogan të lëshojë këtë “bombë” paralajmëruese me këtë shkallë qartësie dhe ndjenjë përgjegjësie. Por vetëm paralajmërimi nuk mjafton nëse nuk sinkronizohet dhe nuk shoqërohet me hapa praktikë që pengojnë armiqtë izraelitë e amerikanë dhe i detyrojnë ata të tërhiqen nga agresioni i tyre provokues për të judaizuar Kudsin e pushtuar dhe nga njohja e tij si kryeqytet të përjetshëm të shtetit okupues. Ne dëshirojmë që presidenti Erdogan të jetë shembull në këtë drejtim dhe të identifikohet me një miliard e gjysmë miliardi myslimanë, që ndihen të turpëruar e të poshtëruar dhe që kërkojnë mbylljen e ambasadave amerikane e izraelite, vendosjen e sanksioneve dhe mbështetje për heronjtë e intifadës së tretë, e cila nisi dhe nuk do të ndalet, me lejen e Zotit, derisa e drejta t’u kthehet të zotëve.

***

Shkëndija e revolucioni nisi, “orteku i gjakut” të sakrificave rritet e rritet, burrat e tij lidhën besën me Zotin dhe u treguan të sinqertë në besëlidhjen e tyre. Kur i riu “jo-paraplegjik” Ibrahim Ebu Thureja e sfidon pushtuesin dy herë – duke humbur herën e parë këmbët nga një raketë izraelite gjatë rezistencës ndaj agresionit në Rripin e Gazës dhe në të dytën jetën e tij duke ngritur flamurin palestinez, në shenjë sfide përballë ushtarëve okupatorë, – kjo reflekton një vullnet dhe një sfidë që nuk ekziston tjetërkund përveçse në tokën e rezistencës (ribat), dhe në një kohë kur ushtritë dhe avionët modernë luftarakë arabë i zhvillojnë betejat e tyre kundër arabëve e myslimanëve të varfër e të vobektë të cilët nuk posedojë as kafshatën e bukës për fëmijët e tyre, për të mos përmendur mjetet e vetëmbrojtjes legjitime; pa bërë lojëra fjalësh, po flasim këtu për Jemenin.

Vërtet, Ibrahim Ebu Thureja nuk ishte një paraplegjik. Pamundësia nuk është tek këmbët, por në mendjet dhe në mungesën e vlerave të drejtësisë, të guximit dhe të vullnetit; dhe nuk hezitojmë nëse pohojmë se ajo, paaftësia, ekziston dhe është pjesë e qenësishme e shumë udhëheqësve arabë, madje e shumicës së tyre.

*Analizë e publikuar më datë 16.12.2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne