Çfarë thonë kabllogramet saudite: Një intervistë me Julian Assange

Që nga qershori i vitit 2015 WikiLeaks ka publikuar detaje lidhur me kabllograme dhe dokumente të Ministrisë së Jashtme Saudite. Julian Assange na i shpjegon me detaje se çfarë ka brenda tyre.

Që nga qershori i vitit 2015 WikiLeaks ka publikuar detaje lidhur me kabllograme dhe dokumente të Ministrisë së Jashtme Saudite. Ato ofrojnë një pasqyrim të punëve të brendshme të fshehta të regjimit, frikën e tij dhe strategjitë për përhapjen e ndikimit të regjimit jashtë vendit. Më shumë se 230,000 dokumente saudite të zbuluara janë publikuar nga WikiLeaks. Një seri prej 60,000 kabllogramesh më shumë dhe 50,000 mesazhesh u publikuan vetëm nëntorin e kaluar.

Këtu kemi disa detaje të kabllogrameve të shpjeguara nga Assange:

1 Një elitë drejtuese paranojake

“Ajo që na vjen nga kabllogramet është një elitë sunduese e vogël, intelektualisht e izoluar, me një botëkuptim paranojak.

“Kabllogramet e bëjnë të qartë se kjo është një elitë e vogël pushtetarësh, me institucione të dobëta, ku struktura e saj e pushtetit kapet shumë kollaj nga elementë të tjerë të asaj elite dhe instrumentet e shtetit mund të nënshtrohen sipas vullnetit të lidershipit.

Kabllogramet e Arabisë Saudite janë biseda të niveleve shumë të larta brenda një ministrie saudite me anë të së cilave ju mund të zbuloni kulturën e brendshme. Nga vëzhgimi zbulojmë se për të mbajtur koherencën e kulturës së brendshme ju nevojitet një kërcënim i jashtëm dhe ai që është më i natyrshëm për Arabinë Saudite është Irani. Po, ka arsye të vërteta për rivalitet në rajon, pasi ato janë të rëndësishme në kulturën e brendshme për ta mbajtur atë koherente dhe të unifikuar.

2 Lëvizjet për të destabilizuar Sirinë para kryengritjes*

“Ka një kabllogram i nivelit të lartë saudit që ofron strategji saudite në lidhje me Sirinë. Paragrafi përmbyllës thotë se regjimi i Asadit nuk do ta falë kurrë Arabinë Saudite për atë që i ka bërë Sirisë. Për shkak se regjimi i Asadit është “brutal dhe luftarak”, gjithmonë do mundohet të hakmerret. Si rezultat, ai përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Arabisë Saudite.

“Një kabllogram nga ministria e jashtme saudite flet për një marrëveshje konfidenciale [në 2012] midis Arabisë Saudite, Katarit dhe Turqisë në lidhje me ndërhyrjen [për të rrëzuar qeverinë siriane].

“Në një kabllogram amerikan që kemi publikuar 10 vjet më parë, William Roebuck, ambasadori i SHBA-së në Siri, përshkruan një skedar propozimesh për shkatërrimin e qeverisë së Asadit. Planet e tij përfshinin përpjekjen për ta bërë Asadin paranojak në mënyrë që të reagonte dhe të besonte se forcat e tij ushtarake ishin të angazhuara në një grusht shteti kundër tij, si dhe përpjekjen për ti bërë sirianët sunitë paranojakë rreth Iranit dhe aleateve të tij se ata deshin ti konvertonin sunitët në shia dhe se Shtetet e Bashkuara do të përpiqeshin të bashkëpunonin me Arabinë dhe Egjiptin për ti rritur ndarjet sektare”.

3 Përdorimi i fesë

“Një kabllogam flet për domosdoshmërinë e të pasurit të një lideri fetar suprem saudit, i cili të mbështesë pozicionin e qeverisë. Nuk është shkruar:”do më pëlqente që ai ta bente këtë”, por: “Thuaji atij ta bëjë atë”. Ajo që vjen nëpërmjet kabllogrameve është se feja është një mjet i shtetit. Duket qartë se Arabia Saudite e sheh islamin dhe sunnitët vehabij si tokë pjellore për interesin shtetëror.

Kabllogramet saudite tregojnë se vehabizmi është një mjet i Arabisë Saudite si një lider suprem rajonal që përpiqet të shpërndahet jo vetëm në rajonin e vet por edhe në të gjithë botën. Sunitët duken një burim potencial i konvertimeve në vehabizëm, ose në diçka të afërt me vehabizmin. Komunitetet shite shihen si jo tërheqës, ndërsa e kundërta ndodh me Iranin.

4 Të tmerruar nga Irani dhe influenca shite

“Regjimi saudit është jashtëzakonisht paranojak në lidhje me ndikimin shit. Ka sinajlizime se ata janë të tmerruar nga Irani, por nuk ka prova për diçka që duhet ti frikësohen.

Betejën me Iranin e perceptojnë një luftë kundër islamit shija. Popullata shite është mjaft e vogël në botë. Arabia Saudite po përpiqet të kontrollojë rritjen e islamit shit dhe të zvogëlojë ndikimin e tij. ‘

5 Si ti blesh me ryshfet mediat e huaja

Kabllogramet tregojnë se ambasadat saudite i japin ryshfete mediave sunite apo arabe në vendet e huaja për të marrë kontrollin e diskursit në lidhje me Arabinë Saudite dhe interesat e saj. Ata e bëjnë këtë përmes investimeve të drejtpërdrejta: për shembull, duke blerë një aksion prej një milion dollarësh në një stacion televiziv libanez ose duke krijuar marrëdhënie me gazetarët; duke blerë mijëra abonime në revistat e gjuhës arabe në mënyrë që të anojnë mbulimin e tyre. Ky është një mashtrim i zgjuar, sepse ata nuk kanë nevojë për ndonjë marrëdhënie ekzistuese apo ndonjë ndërmjetës. Ministria e jashtme saudite blen vetëm mijëra abonime, deri në gjysmën e totalit në disa raste. Nëse i pëlqejnë shkrimet, ata blejnë edhe më shumë; nëse jo, ata ulin vlerësimin për të dhënë sinjalin e duhur.

6 Lidhja saudito-izraelite dhe Perëndimi

“Ka pasur një lidhje Arabi Saudite-Izrael në Lindjen e Mesme për të paktën 10 vjet. Kjo u bë e njohur përmes kabllogrameve amerikane që kemi publikuar. Arabia e konsideron Sirinë një mekanizëm të ndikimit iranian; Izraeli mban të pushtara lartësitë e Golanit që janë pjesë e Sirisë.

Por marrëdhëniet e SHBA-së me lidhjen izraelito-saudite po ndryshojnë. Strategët e zgjuar amerikanë, duke përfshirë edhe kreun e CIA-s, janë të mendimit se Saudia dhe Izraeli po hyjnë në rrugën e interesave strategjikë më të gjera të SHBA-së.

“Ne publikuam disa nga emailet e drejtorit të CIA-s, John Brennan të viteve 2008-2009, kur ai ishte këshilltar i sigurisë për Obamën. Brennan thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me Iranin. SHBA, duke qenë aq kundërthënëse me Iranin e ka ulur ndikimin e saj në rajon; lidhja izraelito-saudite është ngërthimi i veprimeve të saj.

“SHBA nuk ka qenë aq e ndërgjegjshme për dëshirat saudite si më parë. Kjo ka rritur frikën saudite. Ajo nuk e ndjen se ka më mbështetjen e pakufizuar të SHBA-së si më parë. Evropa i merr sugjerimet nga politika amerikane.

“Unë nuk do të largohesha nga Saudia: industritë e armëve amerikane dhe britanike janë përfituesit kryesorë të parave saudite, siç janë bankat dhe tregu britanik i pronave”.

7 Marrëveshje të dyshimta për votat e OKB-së

“Ka një trafik interesant në lidhje me marrëveshjet e bëra për votat e OKB-së që zbulojnë se Britania e Madhe bëri një shkëmbim të votave me Saudinë për të futur Saudinë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Oferta për Britaninë e Madhe nga Saudia përfshinte 100,000 dollarë për seksionin e FCO-së [zyra e jashtme dhe komonuelthit] që merret me atë se kush duhet të zgjidhet në këshillin e të drejtave të njeriut. Janë atje në kabllogramet shpenzimet e fushatës që FCO-së i nevojiten për të siguruar që Saudia të zgjidhet në Këshillin e të Drejtave Njerëzore. Arabia përfundoi me mbështetjen e mbi 100 vendeve, kështu që mes ryshfeteve dhe shkëmbimit të votave kjo është ajo që merr. Ekzistojnë një numër kabllogramesh në lidhje me mënyrën se si Saudia sillet me OKB-në dhe pagesat ndaj zyrtarëve, gjoja si “ndihmë për programe”. ‘

Julian Assange qëndron në Britani që prej pesë vitesh. Ai nuk ka mundësi të largohet nga vendi i tij i strehimit në ambasadën e Ekuadorit pa rrezikuar arrestimin dhe ekstradimin në SHBA, e cila do që ta gjykojë atë për spiunazh. Ai gjithashtu nuk është në gjendje të marrë trajtimin spitalor që i nevojitet. ‘Është e vështirë,’ thotë. “Por një burg i sigurisë së lartë në SHBA do të ishte gjithashtu i vështirë dhe unë nuk do të isha në gjendje të punoja aty.” Ai shton: “Arabia ka nisur një hetim penal të nivelit të lartë për publikimin e kabllogrameve. Ajo ka në plan që ta fusë këdo që i shpërndan ato në burg për 20 vjet. Pra, si me shaka, më mirë pranoj kstradimin në Arabinë Saudite, sepse dënimi është vetëm 20 vjet në krahasim me atë në SHBA me gjysmë shekulli … ‘

Në vitin 2014 Assange dhe avokati i tij e paraqitën rastin e tij në OKB për ndalim të paligjshëm dhe arbitrar, sipas ligjit ndërkombëtar dhe koventave që Britania kishte nënshkruar. Në shkurt të këtij viti, Grupi i Punës i OKB-së për Paraburgimin Arbitrar vendosi në favor të tij./newint/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne