CIA i ka dhënë rëndësi lëvizjeve të ish-Mbretit Ahmet Zog pas largimit të tij nga Shqipëria. Duke qenë se ai ishte rival i Enver Hoxhës, CIA bashkëpunoi më vonë me të, ndërsa në një dokument të vitit 1954 tregon se si Ahmet Zogu u lidh me arabët dhe gjeti financime prej tyre. Nga ana tjetër, CIA ka deklaruar se ai kishte lidhje me shërbimin sekret britanik.

Prill 1950

Leksion i oficerit sovjetik në shkollën ushtarake

Më 4 korrik 1949, majori sovjetik Shtemenko dha në leksion në shkollën ushtarake të Karunar mbi përdorimin e mburojave dhe armatimeve. Shtemenko tha se mjetet e blinduara duhet të konsiderohet si arma kryesore e ushtarit dhe të gjitha degët e tjera të ushtrisë si artileria dhe aviacioni duhet të shërbejnë për mbrojtjen e trupave të blinduara. Në situatë luftimi tanket duhet të mbrohen dhe të maskohen.

Sipas majorit Shemenko përdorimi taktik i tankeve duhet të jetë si më poshtë:

Ato duhet të grumbullohen e montohen në zonën e caktuar 60-70 kilometra larg frontit të luftës, ndërsa grupimi i tyre në formacion luftarak bëhet 20-30 kilometra larg frontit. 10 km larg frontit bëhet përgatitja e tyre për zjarr. Përqendrimi i tankeve për sulm duhet të shoqërohet me mbulimin e avionëve të monitorimit dhe luftimit, për t’i mbrojtur nga bombarduesit. Tanket duhet të nisin veprimin në momentin e caktuar të sulmit. Ata duhet të mbështeten nga këmbësoria dhe zjarri i mortajave me qëllim paralizimin e artilerisë anti-tank të armikut. Këmbësoria duhet të ndjekë tanket sa më afër që mundet, në mënyrë që ushtarët të mbrohen nga zjarri armik. Pas thyerjes së linjës së parë të mbrojtjes së armikut, kjo linjë duhet të zihet nga këmbësoria. Tanket të vazhdojnë avancimin me mbështetjen e artilerisë sulmuese, në një distancë prej 200 metra. Në kushte të tilla, tha majori Shtemenko, suksesi është i garantuar. Në asnjë moment nuk duhet ndaluar likuidimi i grupeve të izoluara të rezistencës armike prapa linjës së sulmit. Kjo është detyrë e këmbësorisë së motorizuar e cila ndjek trupat e blinduara. Në asnjë moment tanket nuk duhet të ndalojnë përveç rastit kur nuk kanë karburant. Në rastin e mbrojtjes nga një ofensivë e armikut, kushti i parë në përdorimin e tankeve është krijimi i një zone të mbrojtur antitank. Kjo zonë duhet të jetë e gjerë rreth 2 km dhe 1 deri në 5 km e thellë. Zona ndahet në tre sektorë me kompani luftimi, që më tej ndahet në skuadra luftimi. Skuadrat duhet të punojnë për mbrojtjen e të gjitha anëve të sektorit të tyre, me armë automatike dhe antitank. Mitralozat e rëndë, mortajat dhe artileria antitank duhet të instalohet prapa sektorëve defensivë, ndërsa komandanti i kompanisë zë pozicion në qendër të sektorit të kompanisë së tij. Batalionet duhet të kenë qendrat e tyre të mbrojtjes antitank në qendër. Qendrat e kompanive të mbrojtjes duhet të jenë të varura nga njëra-tjetra dhe të komunikojnë me anë të qendrës së batalionit. Këto qendra janë zakonisht rreth 1500 metra larg njëra-tjetrës dhe hapësirat ndërmjetëse kanë pozicione të vogla këmbësorie të armatosur dhe fusha të minuara. Zjarri i armëve automatike të nisë në distancë 800 metra, qëlluesit e mirë të godasin nga 600 metra larg ndërsa qëlluesit e elitës nga 40 metra larg.

Qershor 1952

Gazeta Bashkimi

Me dekretin e Kuvendit Popullor të 26 nëntorit 1951, krijohen Këshillat e lagjeve me kompenteca të njëjta me këshillat lokalë të Tiranës, përfshi zonën industrial dhe kombinatin Stalin. Këshilli numër 1 përfshin zonën 11 Janari, Ali Demi dhe Shkozën, deri në kufi me Saukun dhe Selitën. Këshilli numër 2 përfshin zonën 29 Nëntori, Guerrile, që kufizohen në veri nga rruga Qemal Stafa, në lindje nga Perroi i Gjurozës dhe në jug nga Lana dhe bulevardi Dëshmorët e Kombit. Këshilli Popullor 3 përfshin zonën Misto Mame dhe 1 Maji, kufizohet në veri nga rruga Bajram Curri , në perëndim nga rruga Siri Kodra dhe në jug nga rruga Qemal Stafa. Këshilli Popullor 4 përfshin zonat Vojo Kushi dhe 17 nëntori. Ai kufizohet në lindje nga rruga Siri Kodra, në jug nga rruga Bajram Curri e Mine Peza. Këshilli Popullor 5 përfshin zonat Partizani dhe Vasil Shanto. Ai kufizohet nga bulevardi kryesor dhe në perëndim nga depot e ushtrisë dhe aeroporti. Këshilli Popullor 6 përfshin zonën industriale të kombinatit Stalin dhe kufizohet në veri nga rruga Kongresi i Përmetit dhe fshatrat Mzez dhe Yrshek. Në lindje kufizohet nga depot e ushtrisë. Këshilli Popullor 7 përfshin kooperativën Ylli i Kuq në Laprakë.

3 maj 1949

Operacionet e inteligjencës në Shqipëri nga Italia e Greqia

Aktualisht dega e jashtme është e angazhuar në dy operacione inteligjence kundër Shqipërisë dhe do të nisin një të tretë gjatë muajit qershor. Detajet e tyre listohen më poshtë:

Plani I

Operacione të përbashkëta me inteligjencën detare italiane për infiltrim të grupeve të inteligjencës në Shqipëri në rrugë ajrore.

Organizata u kontaktua nga inteligjenca detare italiane në pranverën e vitit 1948 me propozimin për operacione të përbashkëta inteligjence në Shqipëri. Në korrik 1948, u dha aprovimi final për përkushtimin tonë në operacion, ku përfshihet edhe dhënia e një avioni C-47 për lëshimin e personelit dhe furnizimeve. Një oficer i shërbimeve italiane të inteligjencës ka punuar bashkë me grupin për zhvillimin e operacionit. Avioni C-47 erdhi në tetor 1948 dhe furnizimet e tjera u siguruan nga Gjermania e Zvicra. Anëtarët e grupit u rekrutuan nga kampe refugjatësh në Itali dhe në Greqi, dhe transporti i sigurua nga CIA. Agjentët e dërguar në Shqipëri do të kontaktojnë me lëvizjet lokale të rezistencës me anë të liderëve të tyre, të identifikuar në memorandumet të datës 18 janar. Të gjithë individët janë kontrolluar në skedarët e CIA për informacione denigruese. Shqiptarët janë zgjedhur për arsye të lidhjeve të tyre familjare në rajonet qendrore të Elbasanit e Mirditës, ku është raportuar më parë për ekzistencën e grupeve të rezistencës. Në grupe përfshihen agjentë të besimeve myslimane dhe katolike. Lideri shqiptar në Itali i cili ka punuar në matinën italiane dhe CIA, është Ismail Verlaci.

Infiltrimi

Objektivi i parë i planit është infiltrimi i agjentëve nga ajri, të cilët të pajisur mjete transmetimi radio do të vendosin kontakte me grupet vendase të rezistencës, për të mbledhur informacione. Fillimisht ata do të vëzhgojnë situatën lokale dhe do të vendosin një bazë komunikimesh dhe marrjes së furnizimeve të lëshuara nga ajri. Objektivat e inteligjencës janë caktuar nga Uashingtoni, duke përfshirë dhe informacionin e dëshiruar mbi grupet e rezistencës, kushtet e brendshme politike dhe instilacionet ushtarake të mbrojtjes. Plani ka hyrë në fazën operacionale në shkurt 1949, kur katër agjentë në dy grupe me mjete të veçanta radio, u lëshuan në kushte perfekte të motit në pikën e dëshiruar të Serrisht, në Mirditë. Agjentët ishin Alush Lleshakanu e Xhevdet Bloshmi të grupit të parë, dhe Ndue Gjonmarkaj e Ndue Mlyshi në grupin e dytë.

Shyqyri Biçaku dhe Kolë Çuni ishin pjesë e grupit të dytë mbështetës, por po mbahen në rezervë për arsye shëndeti të keq. Ende nuk është vendosur kontakt radio me dy grupet e para. Një fluturim në kushte të mira moti u krye mbi Shqipëri natën e 12 prillit por nuk u vërejt asnjë sinjal në zonën e caktuar, sipas planit paraprak. Më 24 prill Ismail Verlaci mori një kabllogram komercial nga Kastoria në Greqi, të nënshkruar nga Lleshanaku, ku thuhej se ai dhe Blloshmi kishin arritur mirë në Kastoria. Më 28 prill ai mori telegramin se dy agjentët kishin arritur në Athinë, ku menjëherë u vunë në kontakt me qendrën tonë atje për dhënie të informacioneve.

Plani II

Një tjetër plan po përgatitet aktualisht në Itali dhe pritet të hyjë në fazën operacionale në qershor. Aktualisht agjentët, që me shumë gjasa do të lëshohen nga ajri, duket se nuk kanë shumë mundësi për propagandë apo krijim rezistence. Nëse në të ardhmen potenciali i tyre rritet, dega e OPC do të informohet.

Plani III

Ky plan është aprovuar më 1 mars 1949 dhe ka të bëjë me përdorimin e personelit nga organizata Keva, më e madhja e refugjatëve grekë nga Shqipëria e jugut (e njohur ndryshe si Epiri i Veriut) për mbledhjen e inteligjencës. Agjentët e këtij operacioni janë Stefanos Venakides, sekret i Keva, dhe një punonjës i bankës kombëtare të Greqisë, Nikolaos Pangos, zëvendës-president i Keva. Këta dy individë kanë punuar prej kohësh në infiltrimin e agjentëve në Shqipërinë jugore, dhe raportojnë për një total prej tetëmbëdhjetë agjentë në qytetet shqiptare të Gjirokastrës, Leskovikut, Përmetit, Vlorës, Koriza dhe Himarës. Aktualisht pesëmbëdhjetë korrierë janë të gatshëm për kalimet kufitare. Një listë prej njëzeteshatë agjentësh të njohur dhe korrierë nga organizata Keva, bashkë me vendndodhjet dhe punësimet e tyre, i është bashkangjitur dokumentit. Organizata Keva ka një rang të gjerë funksionesh, duke përfshirë aktivitete ndihmëse në Greqi dhe grupe rezistencë në Shqipëri, me një anëtarësi prej rreth 5000 njerëzish në Greqi dhe rreth 2300 në Shqipëri, sipas raportimeve. Objektivat e këtij operacioni përfshijnë mbledhjen e inteligjencës mbi grupet e rezistencës në jug të Shqipërisë dhe programet e planet e tyre, të dhëna mbi portet e aeroportet, ndërtimet, si dhe mbi asistencën që Shqipëria i jep rebelëve grekë. Korrierët do të nisen në kufirin shqiptar për krijimin e rrjeteve të agjentëve. Bazat kryesore të këtij operacion janë në Athinë, por është planifikuar që ato të zhvendosen në Janinë. Pritet që grupet e para të korrierëve nën drejtimin tonë të nisen pas disa javësh. Ndërkohë, është marrë një numër i vogël lajmesh me vlerë, mbi aktivitetet e dy zyrtarëve të grupit Keva të identifikuar më sipër. Pritet që produktet e rëndësishme të këtij operacioni të rriten në mënyrë të konsiderueshme kur drejtimi dhe mbështetja jonë të ndjehen më shumë

Informacione mbi Zogun

Në një përmbledhje informacioni të datës 17 maj 1954 reflektohej informacioni i mëposhtëm mbi partinë shqiptare të Legalitetit; ajo rezulton të jetë eksponenti politik i ish-mbretit Zog të Shqipërisë dhe përbëhet kryesisht nga ish-anëtarë të ushtrisë shqiptare të Zogut. Pa largimit nga Shqipëria të Zogut partia nisi të veprojë jashtë shtetit me në krye Abaz Kupin, ish-major të ushtrisë. Anëtarë të tjerë përfshijnë gjeneral Peverskin, Xhemal Rantista, Avdul Suija. Partia e Legalitetit kishte dy qendra kryesore, njëra në Egjipt, ku partia merrte ndihmë nga liderë arabë dhe lëvizje të tjera muslimane, dhe tjetra gjendej në Romë në Via Laverno 42. Kjo e fundit ishte qendra teknike e politike e partisë e drejtuar nga Kupi. Grupi merrte mbështetje financiare nga një grup italian simpatizantë të Shqipërisë gjatë regjimit të Zogut. Legaliteti ishte gjithashtu në kontakt me inteligjencën britanike me të cilën takoheshin në ishullin grek të Kretës, ku janë mbajtur dhe kurse kundra-inteligjencë për agjentët që do të dërgoheshin më vonë në Shqipëri për llogari të britanikëve. Grupimi ishte pjesë e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë të formuar në SHBA, i cili kishte gjithashtu qendra në Romë.

Roli i Mit’hat Frashrit

Raportimi i 5 maj 1954 mbi partitë politike shqiptare në emigracion, tregon se Balli Kombëtar është krijuar fillimisht në vitin 1939 nën influencën e Mithat Frashërit (më parë president i Shqipërisë nga 1929-1931). Frashri ishte kolaboracionist me fashistët dhe më pas me gjermanët që e emëruan drejtues të administratës së Shqipërisë. Pas kapitullimit të Italisë, Balli Kombëtar i përça dhe nuk ishte më i organizuar. Shumica e grupit u zhvendos në Itali bëshkë me trupat italiane, ku fillimisht u mbajtën si t burgosur lufte. Të tjerë iu bashkuan lëvizjes partizane të rezistencës në Shqipëri në udhëheqjen e Enver Hoxhës apo në Jugosllavi nën drejtimin e Titos. Vetë Frashëri emigroi drejt Shteteve të Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ka kaluar disa vite në vende të tjera duke u përpjekur të organizojë grupe të rezistencës shqiptare, dhe më 26 gusht 1949 në Paris arriti të krijojë Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, qëllimi i të cilit ishte organizimi i të gjitha grupeve shqiptare kundër regjimit komunist. Frashri ka qenë lideri i Ballit Kombëtar deri në vdekjen e tij në 4 tetor 1950, kur u zëvendësua nga Hasan Dosti, i cili hubi postin e tij kohët e fundit pas zgjedhjeve të 24 shkurtit 1954 në Napoli. Aktualisht Balli Kombëtar është i ndarë në dy fraksione. I pari është ai Agrar me seli në Nju Jork dhe i drejtuar nga Abaz Ermeni, i cili ka degë në Londër, Paris e Athinë. Ky fraksion dëshiron vendosjen e një qeverie demokratike në Shqipëri dhe përfaqësohet gjithashtu në Bashkimin Ndërkombëtar Fshatar ashtu si dhe në NCFA.

Mars 1956

Panoramë e shtypit shqiptar

Një editorial i gjatë në edicionin e marsit 1956 të Rruga e Partisë, argumenton se puna politike me popullin është garancia e suksesit në bujqësi. Editoriali thotë e mes detyrave të punonjësve të bujqësisë ishin mbjellja e 380 000 hektarëve tokë nga të cilat të përftohen 11.8 kuintalë për hektarë grurë, 13 kuintalë misër, 6.7 kuintalë pambuk, 6.5 kuintalë duhan, 160 kuintalë panxhar sheqeri, 13 kuintalë elb dhe 28 kuintalë oriz. Me plotësimin e këtyre kërkesave do të arrihet plani i prodhimit të vitit 1956 për nevojat e popullit dhe të industrisë së ushqimit. Editoriali thotë se mbjelljet e pranverës janë veçanërisht të rëndësishme pasi ato duhet të kompensojnë deficitet e shkaktuara nga moti i keq dhe organizimi i dobët i punës. Editoriali thekson punën e disa organizatave të partisë dhe autoriteteve lokale për neglizhim të masave praktike gjatë fokusimit te propaganda e kolektivizimit. Ai nxit më shumë frymë militante dhe thotë se problemet duhet të diskutohen bashkarisht për të evituar zvogëlimin e prodhimit. Programi i mbjelljeve të pranverës duhet të ndiqet në çdo hap, nga zyrat më të larta deri në fushat, fshatrat dhe bazat e furnizimit. Punëtorët e partisë nuk duhet vetëm të regjistrojnë shifrat, mangësitë dhe gabimet, por të japin ndihmë praktike në zgjidhjen e problemeve. Drejtuesit nuk duhet të kufizohen vetëm në mobilizimin e njerëzve në punë, por të përfitojnë nga eksperienca e fermerëve që japin rezultate të larta dhe të konsultohen me agronomët e specialistët sa herë është e mundur. Artikulli thotë se planet e prodhimit të partisë e qeverisë, janë plotësisht të realizueshme, pasi tashmë burimet materiale e teknike janë përmirësuar. Sipas tij, zhvillimi i bujqësisë varet nga puna e shtetit dhe organizatave të partisë në fshatrat, kolektivat dhe fermat shtetërore. Vetëm me mobilizimin e njerëzve nuk mund të arrihet suksesi. Planifikimi, propaganda dhe të mësuarit, nuk do të japin rezultate nëse nuk janë të lidhura ngushtë me kushtet e punës dhe të jetesës. Autori bën thirrje më tej për organizim të konkurrencës mes qendrave fshatare të prodhimit, dhe krijimin e iniciativave të aktivitetit me masat. Në Shqipëri ka shumë ferma që arrijnë rezultate të mira, por metodat e tyre pozitive nuk janë pjesë e propagandës, pasi kjo e fundit fokusohet zakonisht vetëm në gabimet e mangësitë.

Kongresi i 20-të i Partisë Sovjetike

Në një artikull mbi Kongresin e 20 të partisë komuniste sovjetike, Misto Treska lavdëron direktivat sovjetike për planin e gjashtë pesë-vjeçar, duke thënë se me këto ritme BRSS do të kalojë së shpejti prodhimin e vendeve kapitaliste si SHBA dhe Britania. Ai ngre lart gjithashtu ndihmën sovjetike për Shqipërinë dhe për demokracitë e tjera, si dhe përpjekjet e tyre për marrëdhënie ekonomike paqësore me vendet jashtë kampit sovjetik. Treska nuk foli fare për kultin e individit apo denigrimin e Stalinit.

Aleanca mes klasës punëtore dhe fshatarësisë punëtore

Alfred Uci përmend në një editorial meritat e partisë në shtimin e lidhjeve mes qytetit dhe fshatit, me qëllim shkurtimin e diferencave mes të dyjave. Megjithëse industria është në pronësi të shtetit ndërsa bujqësia kryesisht në duar private, ato lidhen nga nevoja për prodhimet e njëra-tjetrës. Uci thotë se fshati ka nevojë për prodhimet industriale të uzinave, ashti si qyteti ka nevojë për prodhimet bujqësore dhe shtazore. Ai thotë se fshatarët kanë marrë 6 herë më shumë prodhime veshmbathjeje në vitin 1954.

Miqësia dhe bashkëpunimi në kampin socialist

Në një artikull nga Niazi Jaho mbi lidhjet mes vendeve të orbitës sovjetike, thuhet se një nga rezultatet më të rëndësishme të viteve të fundit, ashtu siç është theksuar dhe në kongresin e 20-të sovjetik të partisë, është përforcimi i lidhjeve ekonomike mes vendeve të kampit socialist. Sipas tij këto vende kanë ideologji të përbashkët për parimet leniniste dhe triumfin e komunizmit, prandaj mirëkuptimi duhet të bazohet në “barazinë e plotë dhe të vërtetë, në respektin e pavarësisë kombëtare dhe ndihmën reciproke. Ai përmend për këtë marrëveshjet me Kinën dhe vende të tjera, për të treguar se çdo vend është i lirë të ndjekë tipin e tij të socializmit, që i përshtatet zhvillimit të tij, duke e vënë në kontrast me dëshirën e vendeve kapitaliste për të dominuar kombet me të cilat bëjnë marrëveshje. Si një shembull i parimeve sovjetike, Jaho citon ndihmën sovjetike për Shqipërinë dhe mbrojtjen e Shqipërisë prej saj. Ai përmend më tej arritjet sovjetike për paqen dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes shteteve. Ai bën kontrastin mes Traktatit paqësor të Varshavës dhe aleancës militante të NATO-s, s dhe dënon refuzimet e SHBA për t’u sjellë në mënyrë miqësore me Bashkimin Sovjetik. Jaho përmend ndihmën e madhe ekonomike që BRSS ka dhënë për vende të ndryshme në fushat shkencore, ekonomike, teknike, arsimore dhe financiare, që kanë kontribuar në mirëqenien e popullit të tyre.

Çështja e linjës së partisë

Autori i paidentifikuar H. M. shkruan në një artikull se pjesëmarrja e vendeve në kampin socialist shton kapacitetet e ekonomive të tyre për rritje të prodhimit, shfrytëzim të burimeve dhe forcës punëtore. Mes karakteristikave të industrializimit në Shqipëri, H. M. përmend: “BRSS është shumë i fuqishëm nga ana industriale prandaj nuk është e nevojshme që Shqipëria të angazhohet në shumë tipe të industrisë së rëndë, por ajo duhet vetëm të koordinohet me planet e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera demokratike socialiste.

 

 

 

50