Cila është sekreti i vërtetë pas “krizës” në marrëdhëniet turko-amerikane?

A ka një plan serioz amerikan për të shpërbërë Turqinë, siç ndodhi me Bashkimin Sovjetik? Cilat janë alternativat e Erdoganit në këtë rast?

Nuk besojmë se arrestimi nga ana e autoriteteve turke të një punonjësi lokal të ambasadës amerikane në Ankara me akuzën e komunikimit me zyrtarë në Lëvizjen Hizmet të z. Fet’hullah Gylen, të jetë arsyeja kryesore për përkeqësimin e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Uashingtonit, por ndoshta kjo shërbeu si një “pikë” që çoi në “mbushjen e kupës”.

Marrëdhëniet turko-amerikane nuk e kanë arritur këtë nivel tensionimi të cilin po përjeton tani – një nga tiparet e të cilit ishte pezullimi reciprok i lëshimit të vizave – që nga kriza e Qipros në vitin 1974, kur trupat turke hynë në veri të ishullit dhe formuan në të një shtet të pavarur që nuk është njohur nga askush tjetër përveç Turqisë.

Në krizën e veriut të Qipros, Turqia anuloi marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes me Amerikën dhe trupat e saj morën nën kontroll më shumë se 20 baza dhe platforma të mbrojtjes amerikane në territorin turk dhe gjatë përgatitjeve për pushtimin e Irakut në vitin 2003, parlamenti turk refuzoi që të lejonte avionët amerikanë të përdornin bazën Inçirlik në lindje të vendit.

Fjalëkalimi që qëndron pas këtij tensioni është mbështetja ushtarake amerikane në rritje për kurdët dhe dëshirat e tyre separatiste si në veri të Sirisë, të Irakut dhe të Turqisë lindore natyrisht, por edhe në veri-perëndim të Iranit, gjithashtu. Turqit besojnë se kjo mbështetje, e cila përfshin armë dhe pajisje të rënda, nuk mund të ketë si qëllim luftimin e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, siç thonë zyrtarët amerikanë.

Turqia është e shqetësuar nga lëvizjet e dyshimta të aleatit amerikan. Ky shqetësim u rrit kur udhëheqja ushtarake amerikane nuk pranoi t’i shesë asaj raketa “Patriot”, ashtu siç refuzoi çdo rol të saj në betejat e Mosulit dhe të Rakkas dhe u dha kurdëve rolin më të rëndësishëm në ndërhyrjen që iu bë kësaj të fundit, duke u siguruar atyre mbështetje tokësore dhe mbulim ajror.

Këtë qëndrim amerikan të njëanshëm ndaj kurdëve, presidenti Erdogan e konsideroi thikë pas shpine dhe vendosi të shkojë në Rusi për të blerë sistemin e avancuar të mbrojtjes raketore “S-400”, si dhe pagesën e këstit të parë, apo “kaparit”, për të treguar se sa serioz është ai. Por ky hap armatimi që shkaktoi një zemërim të heshtur amerikan, nuk e shtyu administratën amerikane ta marrë me të mirë Turqinë dhe të bjerë dakord për t’i shitur asaj raketat “Patriot”, ashtu siç bëri me Arabinë Saudite kur i hoqi embargon për shitjen e sistemit të mbrojtjes “THAAD” fare pak ditë pas vizitës së mbretit Selman bin Abdul Aziz në Moskë dhe negociatave të tij për të blerë raketat “S-400”.

Afrimi turko-iraniano-rus, që çoi në vendosjen e qetësisë dhe krijimin e disa zonave të uljes së tensionit në Siri, zona më e fundit të të cilave pothuajse u krijua në provincën Idlib, e thelloi bojkotin turko-amerikan, për shkak se administrata amerikane e sheh atë si një lëvizje kundër aleatëve kurdë dhe forcave të mbrojtjes kurde në zonat Afrin, Xharablos, Bab etj., dhe si një përpjekje për të minuar integritetin territorial të entitetit të tyre, i cili tashmë po merr formë me shpejtësi në veri të Sirisë.

Që të arrijë punë deri aty sa gazeta “Sabah” e afërt me presidentin turk Erdogan dhe Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, të akuzojë Amerikën për rrethim të Turqisë me një kordon bazash ushtarake dhe municionesh të rënda në Rumani e Bullgari në perëndim, në Gjeorgji në lindje, si dhe në Siri duke krijuar baza në qytetin Rakka, kjo është një akuzë shumë e rëndë; sidomos duke shkuar deri aty sa të paralajmërojë se Amerika, pas këtyre lëvizjeve, synon copëzimin e Turqisë, ashtu siç copëzoi Bashkimin Sovjetik.

Ne nuk e dimë nivelin e seriozitetit të këtyre akuzave dhe as shkallën e besueshmërisë së tyre, por ajo që ne besojmë fort në të është se administrata amerikane ka punuar gjithmonë për të goditur aleatët e saj pas shpine dhe për t’i braktisur ata fill pas përfundimit të interesit të saj me ta. Kjo është ajo që ka bërë me Shahun e Iranit, presidentin Sadat e më pas me Mubarakun në Egjipt dhe Karlosin në Filipine (dhe lista vazhdon). Pse të mos e braktisin Turqinë për të mirën e kurdëve, aleatëve të rinj?!

*Redaksional i publikuar më datë 15 tetor 2017 në gazetën elektronike “Ra’jul Jeum”./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne