Shqiperia Sociale

Çmenduri, ja ku do të rritët prapë çmimi i ujit

Do t’ju duket çmenduri, por Enti Rregullator i Ujit, ka kërkon një tjetër rritje të çmimit të ujit. Kështu përshkruhet në fund të raportit vjetor 2018 të këtij institucioni. Sipas Entit Rregullator, 2018 pati tendencën rritëse të çmimeve të ujit për shkak të performancës së dobët të ujësjellësve.

“Ndryshimi i tarifave ka pasur përgjithësisht tendencë rritëse, në varësi të kushteve dhe zhvillimeve të ofrimit të shërbimit të çdo operatori. Konstatohet se shumë shoqëri janë në vështirësi objektive financiare, nevoja për subvencione nga qeveria është e domosdoshme për një periudhë me afat gjatë. Subvencionet duhen adresuar drejt shoqërive që janë financiarisht të dobëta dhe nuk kanë ende mundësi të përballojnë kostot e domosdoshme për kryerjen e shërbimeve UK”, citohet në raport. Enti Rregullator i Ujit ka llogaritur të dhënat e INSTAT sipas të cilave, një familje në muaj ka të ardhura 70 mijë në muaj dhe për këtë arsye sipas entit ka ende hapësirë për rritje të çmimit.

“ERRU përdor si kriter për përballueshmërinë e pagesës së faturës së shërbimeve Ujësjellës-Kanalizimeve, në nivelin prej 5 për qind të të ardhurave (shpenzimeve) mesatare mujore të një njësie ekonomike familjare, informacion që e përllogarit dhe e publikon INSTAT në “Anketën e Buxhetit të familjes viti 2017″, për të gjitha qarqet e Republikës së Shqipërisë. Këto vlera tregojnë se ka ende hapësirë në drejtim të aftësisë paguese për të përballuar rritjen e tarifave”, thuhet në raport. Nga ana tjetër, Enti Rregullator është duke bashkëpunuar me INSTAT-in për vlerësimin e përballueshmërisë së tarifave nga familjet në nevojë, pasi ato janë lënë mënjanë.

“ERRU është duke lidhur ura bashkëpunimi me INSTAT-in, në mënyrë që nga anketat për shpenzimet familjare të shtresave të popullsisë, të mund të merren të dhëna të detajuara të tyre vetëm për shpenzimet e shërbimeve të Ujësjellës-Kanalizimeve. Këto referenca do ta bëjnë akoma më objektive vendimmarrjen e KKRR-së për tarifat e propozuara nga shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve me të ardhura të ulëta dhe në raport me qëndrueshmërinë financiare të shoqërive UK”, thuhet në raport.

OPINIONE