Çmimi i ujit dhe çmimi i dinjitetit

Edmond ARIZAJ

Një nga veprimet e para që bëri Erion Veliaj sapo hyri në zyrën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, ishte vendimi për të rritur rrogën e tij. I kuptueshëm. Njeriu duhet të punojë dhe të paguhet në bazë të punës, që të jetojë me dinjitet; apo të marrë një pension në bazë të punës që ka bërë, që po ashtu të jetojë me dinjitet, që me atë pagesë të kryejë të gjitha detyrimet monetare ndaj shtetit, familjes, vetes dhe shoqërisë po me dinjitet.

Fatin e Veliajt nuk e patën mijëra të tjerë punonjës të shtetit, të zgjedhur apo jo, të cilët e ndjenë shijen e rritjes së rrogës pas katër viteve në prag të zgjedhjeve. Nejse, kjo është tjetër temë. Pra, që të jetosh me dinjitet duhet të kryhesh të gjitha detyrimet monetare, mes tyre edhe pagesën e ujit të cilin Veliaj sapo vendosi që ta ngrejë. A është ngritje e papërfillshme? Kjo nuk diskutohet, megjithëse do e diskutojmë edhe këtë pak më poshtë; por është e sigurtë që nuk dinjitoze. Sepse është një vendim që as nuk u pyet fare qytetari. Fare! Madje as pati përpjekje për të thënë, si në rastin e ngritjes së biletës së autobuzit, se “kemi zhvilluar dëgjesa”.

Për një nga mallrat më jetësorë, siç është uji, qytetari nuk pyetet fare për çmimin e tij. Më e pakta, kjo është arrogancë. Imagjino rreth 800 mijë banorë në Tiranë që rrinë si gjyhnaqarë kur nuk i pyet njeri për ujin, për çmimin që do ngrihet, por vendimi bëhet taksativ. Dhe le të llogarisim pak se sa trishtim, mllef, e inat shkakton ky vendim i njëanshëm dhe i pasqaruar më parë. Uji në shtëpitë e tiranasve ka qenë përherë me orar. Edhe tani, kur bota diskuton kolonizimin e ndonjë planeti tjetër, ne diskutojmë ujin me orar. I kujt është faji?

Ujë dy herë në ditë me presion dhe në jo pak raste janë detyruar, burra, fëmijë pleq e plaka të mbushin ujë (çfarë tmerri!) me kova, me bidonë, me legenë, në kat të parë, apo diku në ndonjë burim. Ky është dinjitet i zvarritur përtokë.

Tjetër: A ka bërë kush llogari se sa para kanë shpenzuar tiranasit jo për faj të tyre, për pompa uji, për bolierë mbi pallate, për hidraulikë, për tuba, për ujë me bote, për ngatërrimin e ujërave të bardha me të zezat, për sëmundjet e ardhura nga moskontrolli i ujit? I kujt është faji? A nuk janë këto tallje me dinjitetin e njeriut dhe askush nuk mban përgjegjësi…

Tjetër: sa vetë në Tiranë e pinë ujin që del nga çezma? Vini re: ata pyesin në fillim nëse është i Selitës apo jo. Duhet pritur dy herë në ditë që vjen uji me presion që të mund ta provosh të freskët. Por pagesat përherë janë bërë sa i ka kërkuar ujësjellësi. I kujt është faji? I tiranasve jo njëherë. Dhe që të mos ua bësh dinjitetin baltë tiranasve, sidomos atyre që nuk duan kurrë të shkelin ligjet dhe i kryejnë detyrimet e tyre deri në një, ku janë dënimet për ata që nuk kanë paguar kurrë ujin? Ku janë ata që kanë bërë lidhje të paligjshme? Ku janë ata që kanë prishur tubacionet për të rregulluar punët e tyre, ata që kanë bërë devijime për ta çuar ujin në pallatet që kanë ndërtuar. Morr po ku janë abuzuesit? Përse duhet të falen, që t’i tregohet një pjese të shoqërisë që ju jeni budallenj, se mirë që nuk vodhët asgjë, por edhe paguat kur të tjerët vodhën, grabitën dhe nuk paguan asgjë duke mos u hyrë gjemb në këmbë, por trajtohen edhe para kamerave, si ata të legalizimeve, apo të energjisë elektrike?

Vazhdojmë: Si mund të rrisësh çmimin pa ofruar shërbimin fillimisht? Sepse nëse më siguron ujë 24 orë në ditë, patjetër ta rrisësh çmimin, se është mall që paguhet, megjithëse është jetësor si dhe ajri. Nejse, kjo është tjetër çështje, por arsyeja është gjithsesi e drejtë. Do marrësh kredi për të na e sjellë ujin 24 orë, ama pas pesë vitesh. Ja, këtu sikur çalon pak puna. Po nëse nuk bëhet kjo që premton, a do na i kthesh paratë? Nuk po them a do e mbash fjalën duke të përmendur “jo betonit!” gjatë fushatës, sepse mund dhe të mos dalin llogaritë. Por nëse u thua qytetarëve “po rris çmimin se do marrim kredi”, më e pakta është shfrytëzim i tyre. Sepse nuk po na fton të jemi ortakë me ujësjellësin apo jo? Aaaaa, nëse është kështu, nëse pas pesë vjetësh mendohet të fitojmë të gjithë duke furnizuar edhe Elbasanin e Durrësin, patjetër pse jo, pse mos të bëhemi ortakë. Por nuk më duket se ishte kështu. Mua personalisht më tingëllon ëmbël ajo shprehja “ujë 24 orë”. Megjithëse ka atë prapashtesën e keqe “pas pesë vitesh”. Si shqiptar do e doja premtimin sot dhe ujin nesër, por megjithatë sikur e dua edhe ndonjë siguri. Pse dhe si do bëhet pas pesë vjetësh, kur s’po kam asnjë shembull sot? Unë, dhe jam i sigurtë shumica e tirnasve, e blejnë ujin e pijshëm; ndonëse paguajmë çdo muaj për ujë të pijshëm; dhe tani na kërkohet të paguajmë më shumë sepse pas pesë vjetësh do kemi ujë të pijshëm në çezma 24 orë. Mos ka diçka që çalon këtu, diçka dyshuese, që fillon që nga kontrolli i ujit e deri tek menaxhimi partiak i tij për dhjetra vjet; ndërkohë që, që të kthehet besimi tek njerëzit nuk mjaftojnë disa dalje në kamera.

Dhe përsa i takon çmimit: vërtet shqiptarët nuk kanë më ndjesinë e protestave sepse janë shfrytëzuar në kulm, që kur e djathta i nxirrte me tre turne në sheshin Skënderbej, ndërsa e majta nuk punësonte socialistët e arsimuar dhe kontributorë por atë që bënte për të qeshur kryetarin, por shqiptarët mund të bëjnë ndonjë llogari, sidomos pensionistët dhe ata me buxhete të vogla, që çdo shtesë ua ul akoma më shumë dinjitetin dhe ua rrit frikën e fundit të muajit. Rritja e ujit nuk është sa vlera e një gazete që blihet në ditë. Aq është vlera vetëm e një metër kubi ujë. E nëse ndonjë tirans harxhon veç një metër kub ujë në muaj, rriteni çmimin edhe më shumë se aq. Sa për krahasime me çmimin e vendeve të tjera, është i kotë. Atje nuk e njohin termin e “ujit me orar”, apo të sherrit me komshiun për ndezjen e pompës së ujit.

Ndoshta për Veliajn do të ishte më mirë të paraqesë një plan, një strategji, një ndërrmarrje, dhe të dalë lagje më lagje e ta mbrojë, jo për çmimin që do të rrisë, sepse nuk do jetë hera e parë që u bëhet tiranasve dhe shqiptarëve, por për dinjitetin e këtyre njerëzve. Sepse pas kësaj nuk mbetet gjë tjetër për të rritur pa pyetur, përveç ajrit të ndotur. /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne