Çokokrem, makarona e peshk ton me insekte/ AKU bllokon 33 ton produkte ushqimore të skaduara

Vazhdojnë kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ditën e sotme, mësohet se AKU ka bllokuar 33 ton produkte ushqimore të skaduara. Mallrat e skaduara kanë qenë të subjektit “In Food” që kishte 2 magazina, një në Shkozë dhe 1 në Rinas. Në njoftimin e AKU-së, thuhet se subjektit iu gjetën brenda produkteve ushqimore, prani insektesh, dhe mungesë të kushteve higjieno-sanitare. AKU i ka vendosur subjektit në fjalë edhe një gjobë prej, 1 milionë lekë të reja.

Njoftimi i plotë i AKU-së:

AKU BLLOKON 33 TON PRODUKTE TË SKADUARA

Në kuadër të kontrolleve për produkte të skaduara, AKU ka evidentuar një subjekt i cili do të shpërndante në treg 33 ton produkte me afat të kaluar.Gjatë kontrollit të ushtruar nga trupa inspektuese e AKU-së, rezultoi se subjekti “IN FOOD” shpk kishte 2 ambiente(magazina) në Shkozë dhe Rinas ku ruante produktet me qëllim shpërndarjen në treg.
Konkretisht, në magazinën e parë me adresë në Shkozë u konstatuan kushte higjeno-sanitare të papërshtatshëm si dhe 24 ton produkte me afat përdorimi të kaluar të cilat ruheshin në të njëjtin ambient me produktet e rregullta.Për më tepër në produktet (makarona) të cilat ishin brenda afatit të përdorimit u gjendën prani të insekteve gjë që sjell rrezikshmëri të sigurisë ushqimore

1. çokokrem 400 gr X 11313 copë/ sasi 4525 kg
2. cokokrem 800 gr X 9839 copë/sasi 7871 kg
3. makarona 500 gr X 10203 copë/sasi 5101 kg
4. lëng frutash 0.2 l X 25289 copë/sasi 5077 kg
5. konfleks 250 gr X 5700 copë/sasi 1435 kg
Ndërsa në magazinën që posedonin në Rinas, u konstatuan 8.8 ton produkte të skaduara.

1. Peshk Ton e Markës Perios 1200gr x6858 copë/sasi 8,229 kg
2. Biskota Hop Te Embla 1200gr x298copë/sasi 357 kg
3. Biskota Hop Te Kripura 1200gr x213 copë/sasi 255kg
Veç të tjerash subjekti “IN FOOD” shpk nuk ka përmbushur detyrimin ligjor sipas nenit 24/1 të ligjit të ushqimit, ku duhej të njoftonte menjëherë AKU-në që këto produkte kishin kaluar afatin e përdorimit.
Për sa më sipër ndaj subjektit është marrë masë administrative gjobë 1.000.000 lekë, bllokim të produkteve me destinacion asgjësim si dhe mbyllje të menjëhershme të aktivitetit.

Ndërkohë AKU do të vijojë verifikimet e mëtejshme duke kërkuar bashkëpunim edhe me instancat e drejtësisë për një kontroll më të detajuar ndaj këtij rasti.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën sërish thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Shqiptarja.com ka mësuar se kompania IN FOOD ka si administrator zonjën Efleli Bogdani ndërsa si ortak është një tjetër grua Majlinda Samarxhija dhe ka nisur aktivitetin në vitin 2008.
Sipas dokumentacionit në QKR kjo kompani ka si aktivitet Importi dhe eksporti me shumicë dhe pakicë i mallrave e materialeve industriale e pajisjeve dhe makinerive teknologjike, materialeve hidrosanitare si dhe pjesë këmbimi për automjete, konfeksione të ndryshme dhe import dhe eksport produktesh ushqimore me origjinë bimore dhe shtazore, mish, qumësht, vezë dhe të nënprodukteve te tyre dhe të gjitha produktet e kësaj natyre, fruta perime, pje alkolike, lëkurë.

Ky aksion vjen në vazhdën e një sërë kontrolleve nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ditën e djeshme, AKU ka bllokuar disa ton miell, pasi ishte nën nivelin e lejuar të proteinës. Çdo sasi sekuestrohen sasi të mëdha lëndësh ushqimore të hedhura në treg, duke ngritur edhe njëherë alarmin se çfarë po hanë shqiptarët, dhe se sa të sigurta janë produktet që blihen çdo ditë.

Ekstrakti historik i kompanisë në QKR

f.g./b.ha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne