Copëza brehtiane I

“Po, bë vetëm një plan!

Ji vetëm një dritë e madhe!

Pastaj bë dhe një plan të dytë!

Shko dhe mos realizo asnjërin!’’

Bertolt (Eugen Berthold Friedrich) Brecht-i është ndër më të njohurit dramaturgë dhe poetë gjermanë të shekullit XX. Ai lindi në Augsburg, qytet në juglindje të Bavarisë. Nga fundi i Luftës së Parë Botërore regjistrohet në Universitetin e Munihut për Mjekësi dhe Shkenca Natyrore, por duke qenë më shumë i interesuar në çështjet letrare, ai nuk e merr seriozisht studimin e këtyre disiplinave. Poezitë e para nis t’i publikojë në gazetën vendase të Augsburgut kur ishte shumë i ri. Më pas do të angazhohet me shkrime (kritike) mbi teatrin. Siç e rrëfen vetë, ai kishte shkruar katër drama dhe një opera kur nisi të lexojë për herë të parë analiza politike dhe shkrime të Marksit.

Njohja me teorinë marksiste do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm te Brecht-i, çka do të reflektohet në të gjithë krijimtarinë poetike, letrare dhe intelektuale: në fakt prej këtu e gjithë vepra e Brecht-it mund te themi se do të jetë e drejtuar vetëm në shërbim të përparimit dhe emancipimit politik të klasës punëtore. Walter Benjamin-i thotë se ai ishte i pari që u drejtoi intelektualëve kërkesën për të mos e furnizuar aparatin e prodhimit pa e ndryshuar atë në drejtim të socializmit.[1] Intelektualët e interesuar në çlirimin e punëtorisë, ose inteligjenca progresive/revolucionare siç e quan Brecht-i, nuk duhet t’i shërbejnë aparatit prodhues të kohës, por duhet që brenda mundësive ta ndryshojnë në interes të klasës punëtore.

Edhe pse nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, Brecht-i gjithsesi dakordësohej me të gjitha qëllimet revolucionare të saj. I vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej, një natë përpara ardhjes në pushtet të nazistëve, Brecht-i largohet nga Gjermania, një arrati që do të përfundojë vetëm me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Pasi marrin pushtetin, nazistët urdhërojnë djegien e të gjitha veprave të tij. Atij i hiqet edhe shtetësia gjermane me akuzën për “tradhti të lartë”. Gjatë kësaj kohe, ai shkruan pjesët më të rëndësishme mbi teatrin, si dhe poezi e novela. Pas mbarimit të luftës kthehet dhe vendoset në Berlinin Lindor ku angazhohet ne veçanti me teatrin epik.

Das epische Theater

Në esetë “Mbi një dramatike joaristoteliane” Bertolt Brecht-i shkruan se ndryshe nga lloji i teatrit që bëhej në Moskë apo New York në vitet 1920, vetëm faza e fundit e teatrit berlinez shfaq tendencat e zhvillimit të teatrit modern, pra përfshihet në të ashtuquajturin teatër epik.(Sschrifften zum Theater 1) Këtu bëhet fjalë më konkretisht për kontributin, skenat dhe pjesët e shkruara të Erwin Piscator-it*–të cilat Brecht-i i sheh si pikënisje të teatrit epik. Brecht-i e kritikon ndarjen aristoteliane midis formës epike dhe asaj dramatike të përcjelljes së një fabule. Ligjet e tyre janë trajtuar si dy degë të ndryshme të estetikës, ndërkohë që Brecht-i argumenton se mund të gjendet gjithmonë lirikja në veprat epike dhe epikja në ato lirike. Për shembull, shkrimet epike të Homerit për Brecht-in kanë qenë po ashtu shfaqje teatrale, njëlloj si dramat “Fausti” i Gëtes apo “Mandfredi” i Bajronit e kanë arritur efektin e tyre më të lartë si libra. (Schriften zum Theater 1) Vetëm në teatrin berlinez të viteve ’20, falë shfrytëzimit të arritjeve teknike si motorizimi apo përdorimi i filmit, të cilat Brecht-i ia atribuon të gjitha Piscator-it, skena ishte tashmë në gjendje të integronte elemente të akteve dramatike përmes përdorimit të projeksionit dhe transformimit të skenës.

Ndryshe nga tragjedia ku qëllimi është pastrimi (katharsis) i shikuesit teksa identifikohet me aktorët, në teatrin epik shikuesi ka lirinë të marrë një pozicion tjetër ndaj asaj që po shikon. Vetë skena e teatrit epik nuk është fare ndryshe nga jeta reale; kështu Brecht-i rreket ta ndihmojë shikuesin edhe të kuptojë kompleksitetin e zhvillimeve historike dhe marrëdhënieve shoqërore duke trajtuar tema të jetës së përditshme në një ambient të ndërtuar vetë. Ideja është që në teatrin epik shikuesi nuk është konsumator i thjeshtë i shfaqjes teatrale, por pjesë e saj në atë që ai mund të mbajë qëndrime dhe pozicione kritike në raport me atë që po shfaqet.

Për ta arritur këtë Brecht-i përdor efektin e tëhuajësimit, i cili konsiston në përdorimin e teknikave të ndryshme që shërbejnë për të distancuar shikuesin nga karakteret: për ta mbajtur larg krijimit të iluzioneve apo identifikimit me aktorët. “Shikuesi i teatrit dramatik thotë: Po, këtë ndjesi kisha edhe unë. – Këtu jam unë. – Kjo është normale. – Kështu do të jetë gjithmonë. – Vuajtja e këtij njeriu më shokon, pasi nuk ka asnjë rrugëdalje për të. – Ky është art i madh: gjithçka është e vetëkuptueshme. – Unë qaj me ata që qajnë dhe qesh me ata që qeshin.

Shikuesi i teatrit epik thotë: Këtë nuk e kisha menduar. – Nuk duhet bërë kështu. – Kjo është shumë e dyshimtë, gati e pabesueshme. – Kjo duhet të ndalojë. – Vuajtja e këtij njeriu më shokon, pasi ka një rrugëdalje për të. – Ky është art i madh: asgjë nuk është e vetëkuptueshme. Unë qaj për ata që qeshin dhe qesh për ata që qajnë.” (Schriften zum Theater 1)

– Hyrja dhe përkthimi: Alban Pira

***

/Bertolt Brecht-/

Për çfarë i duhen proletariatit intelektualët?

Për të bërë shoshë ideologjinë borgjeze.

Përmes koncepteve të tharta të materializmit historik dalin në dritë interesat lakuriqe të borgjezisë. Bashkudhëtarët ideorë paralizohen. Lufta e klasave ashpërsohet.

Për të studiuar forcën që “lëviz botën”.

Kryesisht në situata jorevolucionare një inteligjencë revolucionare mund ta mbajë revolucionin permanent.

Për të zhvilluar më tej teorinë e brendshme.

Përmes masave të emergjencës, të cilat detyruan izolimin e partisë ruse, u arrit të formohej një teori, e cila u bë superstruktura e natyrshme e bazës së saj ekonomike. Baza është gjithsesi e sëmurë.

Mbi mësuesin tim

Mësuesi im është një njeri zhgënjyes. Gjërat ku ai ka marrë pjesë nuk kanë shkuar ashtu siç i kishte imagjinuar. Tani ai nuk fajëson imagjinatën e tij, por gjërat që shkuan ndryshe. Përveç kësaj, ai është bërë mosbesues. Me sy të mprehtë shikon kudo farën e zhvillimeve zhgënjyese të së ardhmes.

Ai thuajse beson në të renë. Kështu ai i do të rinjtë, që për mua janë të papjekur deri në fund. Por ai i shikon ata plot mundësi. Kështu ai beson te proletariati. Ndonjëherë më duket se ai do të ndihej i detyruar të bënte më shumë, nëse do të besonte më pak.

Mësuesi im i shërben kauzës së lirisë. Ai e ka çliruar veten nga të gjitha detyrat e pakëndshme. Ndonjëherë më duket se ai, nëse do të këmbëngulte më pak në lirinë e tij, do të mund të bënte më shumë për kauzën e lirisë.

Ndihma e tij në punën time është e paçmueshme. Ai zbulon të gjitha dobësitë. Dhe në të njëjtën kohë bën propozime. Ai di shumë. Ta dëgjosh është e vështirë. Fjalitë e tij janë shumë të gjata. Kështu ai më mëson durimin. Ai ka shumë plane, të cilat rrallë i realizon. Dëshira e fortë për të dhënë gjithçka e pengon së hequri dorë prej shumëçkaje.

Atij nuk i pëlqen të tregojë se si shpesh del në përfundime surprizuese. Bën vaki që as ai vetë nuk e di, por kushedi me këtë nderon veset më të vjetra të të gjithë mësuesve për ta bërë veten të domosdoshëm.

Ai e përkrah shumë luftën, por në fakt vetë nuk lufton. Ai thotë: Nuk është koha për këtë. Ai e përkrah revolucionin, por në fakt zhvillon më shumë atë që është.

Ai e ka të vështirë të dalë në përfundime për gjëra që lidhen me ekzistencën e tij personale. Në vend të kësaj, ai ruan për vete lirinë më të madhe të mundshme. Kur diçka humbet, qoftë edhe e rëndësishme, ai nuk mërzitet.

Unë besoj se ai nuk ka frikë. I frikësohet përfshirjes në lëvizje që ngecin në vështirësi. Ai mendon pak si shumë për integritetin e tij.

Edhe mes proletariatit ai do të ishte vetëm një mysafir. Nuk dihet kur largohet. Valixhet e tij qëndrojnë përherë gati. Mësuesi im është shumë i padurueshëm. Ai i do të gjitha ose asgjë. Shpesh mendoj: Kësaj kërkese bota i përgjigjet me kënaqësi: asgjë.

Mbi shtetin

Unë, për shembull, dua të jetoj me pak politikë. Kjo do të thotë se nuk dua të jem subjekt politik. Por kjo nuk duhet të thotë që unë dua të jem një objekt i politikës me tepri. Meqenëse alternativa është “të jesh objekt ose subjekt i politikës” dhe jo “as objekt, as subjekt” ose “objekt dhe subjekt”, unë duhet të bëj politikë, dhe këtu masën nuk e përcaktoj vetë. Në këto rrethana mund të ndodhë që duhet të shpenzoj gjithë jetën time duke u marrë me veprimtari politike dhe po ashtu të humbas.

Pse duhet ta dua shtetin? Që të mbisundojë rendi? Por ne e kemi shtetin dhe kemi parregullsi. Dhe unë nuk dua as shtet dhe as parregullsi. Nuk dua as rregulla dhe as nivele gradash. Vetë kjo është parregullsi, pasojë dhe shkak i parregullsisë.

Në tokën, për të cilën mendojmë, si askund tjetër, të papronët kanë marrë pushtetin. Brenda dy dekadave ata ia kanë dalë të vendosin rendin në shumë fusha. Po atje ka shtet, rregulla dhe nivele gradash, pasoja dhe shkaku i parregullsisë, vetë parregullsia.

Nga të gjitha shkaqet e mundshme të shtetit, një shkak i shtetit është vetë shteti.

Shtëpia është ndërtuar, por ndërtuesit nuk duan të largohen. Para se të ndërtohet shtëpia, ne nuk mund të hyjmë brenda, por kur ndërtohet, ndërtuesit qëndrojnë brenda dhe ne nuk mund të hyjmë. A ndodh kështu edhe me shtetin? Shteti duhet të ndërtohet me shumë kujdes dhe përpjekje në mënyrë që toka dhe fabrikat të jenë për të gjithë. Më pas ai duhet të zhduket. Dhe më pas ai nuk zhduket. Dhe duke qenë se nuk zhduket, toka dhe fabrikat nuk iu jepen të gjithëve. A është kështu?

A ka rrezik kjo?

Edhe nëse do të kishte rrezik, mund të ndodhë sepse pa shtet toka dhe fabrikat nuk do mund t’u jepeshin të gjithëve.

Nëse do të ishte kështu, atëherë duhet ta marrim vetë përsipër rrezikun.

(Vijon…)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne