Më 11 Janar 1991, në Institutin e Lartë të Arteve ( ndërtesa ku është bërë mbledhja e parë  për shpalljen e Republikës më 1946-tën ) u organizua një tubim”i fshehtë” me intelektualë, me konduktorë zotërinjtë Edi Rama dhe Ardian Klosi.

U deklamuan refleksione nga inteligjencia Tiranase, për demokracinë dhe regjimin komunist në fuqi, për liderët mediokër etj.  Meqë pata rastin të marrë pjesë mbajta dhe shënimet e mëposhtme, të cilat po i risjell në gazetën DITA:

 

1.– I pari e mori fjalën Z.Edi Rama, piktor e pedagog në ILA. Ai foli hapur e me kurajë për gjendjen e rëndë ekonomike dhe bëri fajtor për këtë Partinë e Punës dhe Enver Hoxhën, dhe sot Ramiz Alinë në krye, dhe bëri thirrje që Partia Demokratike e posaformuar të mos propagandojë në përgjithësi por të kërkojë hapur dënimin e fajtorëve…

2.- I dyti e mori fjalën Z.Ardian Klosi, publicist, përkthyes, doktor i shkencave letrare. Ky së pari foli për disidencën shqiptare, për ata intelektual që u distancuan herët nga  regjimi komunist i E Hoxhes, ndonëse një pjesë e mire e tyre u persekutuan barbarisht, duke përmendur disa njerëz të penës e letrave, si shkrimtarin e madh çek Havel i cili përshkruan birucën e tij të burgut, dhe tha se, “ne i themi Havelit të madh se biruca jote do të ishte një vilë për ne shqiptarët, se të gjithë ne, në një kuptim, kemi qënë të gjithë të dënuar me arrest shtëpie këto 45-vjet të regjimit komunist.

Po na akuzojnë ne demokratët, vazhdoi ai, se po mundohemi të hedhim baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, por ne u themi atyre që na akuzojne, se nuk po mundohemi të hedhim baltë mbi figurën e Enver Hoxhës edhe pse ai e meriton këtë, por po mundohemi të heqim nga kokat tona baltën qe ai na ka hedhur për 45-vjet. Dhe vazhdoi më tej, me gjendjen e rëndë ekonomike dhe metastazat e shkaktuara nga sistemi totalitar mediokër, dhe së fundi  bëri thirrje për një angazhim total për të luftuar për një demokraci të vërtetë, dhe ne, tha ai, duhet të detyrojmë udhëheqjen e paaftë të japë dorëheqjen.

3.- I treti e mori fjalën Z. Gavrosh Levonja, mësues fiskulture ( ndonëse ishte diplomuar për matematikë-?!, i biri i Besim Levonjës, autor i “Prefektit të Tironës”) i cili u mundua të bëjë retrospektivë për falcitetin e historisë sonë sipas shtrembërimeve të bëra nga PPSH e E.Hoxha asaj.  Foli pastaj për falcitetin e figurës së Stalinit.´´Kur njëhere, tha ai, kur e pyeti Titua, se ç´do të bëjmë me Shqipërine, Stalini iu përgjigj, bëj ç´të duash, dhe kur Titua, i tha se,´´është e veshtirë se shqiptarët janë një popull i lashtë dhe besnik, Stalini iu përgjigj, se ´´besnik është dhe qeni´. Së fundi foli për lidhjen me kinezët e pasojat e mëdha që la revolucioni kulturor kinez tek ne etj.

4.- I katërti e mori fjalën një shkodran, pedagog në ILA; I cili lexoi një prememorie të k/priftit italian, Padre L.Tanini, ku dilte në pah barbarizmi tragjik i treguar ndaj fesë e fetarëve gjatë regjimit të E.Hoxhës etj…

5.-I pesti e mori fjalën Z. Kasem Trebeshina, ish-i-burgosur politik, shkrimtar, ish-partizan, ish-nxënës në shkollën normale të Elbasanit, i cili kishte punuar pas lufte dhe si kolonel në Ministrinë e Mbrojtjes, e pastaj pak kohë si shkrimtar në Lidhjen e Shkrimtarëve…dhe më në fundi  ishte arrestuar dhe bërë rreth 17 vite burg.

-Unë, tha ai, ndryshoj nga të burgosurit e tjerë për dy gjëra; unë kam bërë më pak burg ( rreth 17-vjet ?!, kur të tjerët kanë bërë nga 45-vjet e ka shumë nga ata që kane vdekur në burg) e dyta, mua më ka dënuar direkt Enver Hoxha. U dënova për herë të parë (se jam dënuar disa herë) pasi i pata dërguar një letër të hapur Enver Hoxhës, ku i thosha hapur se duhej hequr dorë nga çensura në art e letërsi, s´ka përse ë ndërhyjnë burokratët mediokër në punën e shkrimtarit apo artistit, si në kohën e absolutizmit të Luigjit të XIV-të, se kjo i pata thënë, nuk justifikohet me paaftësinë e ndonjë ´´ushtari-burokrat´´, se pastaj kështu do të rezultojnë të paaftë nënoficerët, oficerët  e më tej gjeneralët, pra të gjithë-´´ante-fyrerët´´(nënqeveritarët), dhe rrjedhimisht del i paaftë dhe vet k/gjenerali (pra vet Ai..!) …dhe për të më dënuar kishin thirrur si deshmitar gjysmën e lidhjes së shkrimtarëve në gjyq, ku më ´´akuzonin´´ dhe ish-shokët e mi, dhe pasi e pashë se ishte e kotë rezistenca ime u çova  dhe thashe vetëm kaq:´´Me jepet rasti të kujtoj Ajnshtajn-in e Madh, që kur e pa se kishin grumbulluar 100 firma të antarëve për ta përjashtuar nga Akademia Gjermane-tha- ´´tani e kuptoj se edhe unë qenkam dikush”.

Kur u pyet, se pse iu kundërvunë kolegët dhe Ismail Kadare-ja, i cili në botimin e tij të fundit e përmend “kundër-revolucionarin K.T”, ai tha me qetësi,´´se kam kuptuar kundërvënien e kolegëve, ndoshta të nxitur nga qeveritarët… dhe aq më keq, tha ai, s´e kuptoj kundërvenien dhe insinuatën e I.Kadaresë se ai është i ri dhe unë jam ende një shkrimtar i pabotuar që të kem “kundërshtarë”. Por ndoshta i ka mbetur qejfi  nga një letër që unë i pata dërguar  në atë kohë lidhjes së Shkrimtarëve, për ´´Monumentet´´ që ai shkroi, ku shprehesha kundër ngritjes  së monumenteve të atyre që ende janë gjallë (aluzion për E.Hoxhën, shënimi im)….

Kur u pyet se ç´mendonte për hakmarrje dhe shikim pas, ai tha: “Unë mendoj të ngremë në sheshin Skënderbej altarin e kombit, me katër përmendore, ku e para t´u kushtohet të rënëve në luftë me fashizmin, e dyta të gjithë atyre  që ranë në luftë me okupatorin e huaj, e treta, viktimave të vëllavrasjes dhe e katërta viktimave të sistemit komunist të E.Hoxhës”.

Sa për komunistët e Partisë së Punës, ai tha se “ata duhet të reformohen e të reformojnë partinë e re me koncepte të reja demokratike, ose mund të formojnë një fraksion të majtë, duke u distancuar nga ata që i kanë lyer duart me gjak si Makbethi, dhe së bashku me partitë e tjera të futen në magjistralen e zhvillimit të kombit. Fraksionet sjellin zhvillim. “Njerëzit e vegjël mos i lini pa punë se ata pastaj bëjnë prapësira” – ka thënë F.Niçja

6.- Së fundi e morën fjalën lektorë të ndryshëm nga salla për të deklamuar refleksionet e tyre, ku midis të tjerëve e mori fjalen një ushtar, i cili tha se e kishin urdhëruar të bënte krim në kufi e të qëllonte “të ikurit” dhe pse s´e kishte bërë këtë ishte dënuar, dhe më pas e mori fjalën dhe një polic, i cili ishte zhveshur si ushtarak, për arsyen se kishte marrë pjesë në tubime demokratike etj…

Më në fund u firmos një peticion nga pjesmarrësit e këtij tubimi, ku ai i drejtohej Presidentit të Republikes (R.Alia) dhe ku midis të tjerash kërkohej;

  1. Shtyrja e datës së zgjedhjeve të shpallura më 10 shkurt 1992..,
  2. Përmirësimi i ligjit të zgjedhjeve,
  3. Rishikimi i figurës së E.Hoxhës.

 

 

 

 

 

54