Daçiç: Perëndimi është i pafytyrë dhe e fyen Serbinë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se vendet perëndimore presin nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa këtë e ka quajtur si “pafytyrësi dhe fyerje”.

“Me bomba e shkëputën Kosovën nga Serbia dhe tani po na thonë se kjo është punë e kryer”, ka thënë Daçiq në intervistën për “Veçernje Novosti”.

I pyetur se a kanë dalë qendrat e fuqisë në Londër, Uashington, Paris dhe Berlin para presidentit serb Aleksandar Vuçiq, me ofertë që Serbia formalisht ose joformalisht ta pranojë pavarësinë e Kosovës, kurse Asociacioni i Komunave Serbe është maksimumi çka mund të fitojnë serbët në këmbim, Daçiq ka thënë se disa herë i ka thënë Vuçiqit se “Perëndimi Serbinë gjithë këto vite po e mashtron” dhe se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë “është e vetmja gjë që i intereson”.

“Sa bukur e kanë menduar, ne ta njohim Kosovën, kurse ata me shpirtgjerësi do të na e japin AKSA-në të cilën nuk munden ta formojnë tashmë pesë vjet… Për pesë vite përfundoi Lufta e Dytë Botërore, ndërsa ata nuk janë në gjendje ta bindin Thaçin me shokë që ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit të cilën e nënshkruan”, ka thënë Daçiq.

Shefi i diplomacisë serbe e ka quajtur sjelljen e tillë të Perëndimit si pafytyrësi.

“Mendoj se ky është kulmi i pafytyrësisë dhe hipokrizisë dhe se shteti ynë s’mund të pranojë të fyhet”, ka thënë ai.

Daçiq ka shtuar se zgjidhja mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të vijë me kompromis, e jo “me imponimin e qëndrimit se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne