Daçiq: Serbia asnjëherë nuk do të marrë pjesë në ndonjë koalicion kundër Turqisë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se vendi i tij asnjëherë nuk do të marrë pjesë brenda një koalicioni që do të punojë kundër Turqisë.

Daçiq dhe Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, pas hapjes së Konsullatës së Nderit të Serbisë në Antalya, zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi.

Duke vënë theksin në ndihmat e Serbisë ndaj Turqisë në ditë të vështira, ministri Daçiq tha: “Ashtu siç e dini gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik ne nuk pritëm se çka do t’i ndodhë (Recep Tayyip) Erdoganit, menjëherë e dënuam grusht shtetin. Dua të them edhe një herë që Serbia asnjëherë nuk do të marrë pjesë brenda një koalicioni që do të punojë kundër Turqisë”.

Daçiq gjithashtu rikujtoi se kohëve të fundit mes Turqisë dhe Serbisë po zhvillohen vizitat e shpeshta reciproke, ndërsa shtoi se “Me vizitën e Presidentit Erdogan në Serbi të realizuar vitin e kaluar ka filluar një periudhë e re”.

Daçiq gjithashtu tha se edhe ekonomikisht marrëdhëniet midis dy vendeve janë në drejtim të mirë dhe se të dy vendet janë të kënaqur nga kjo.

Ai shtoi se me Turqinë krahas marrëdhënieve ekonomike dëshirojnë që të zhvillojnë edhe marrëdhëniet në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit.

Ndërsa në lidhje me konsullatën e nderit që u hap në Antalya, ai tha se “Vitin e ardhshëm do të festojmë 140 vjetorin e marrëdhënieve. Ne dëshirojmë që këto marrëdhënie miqësore t’i zhvillojmë edhe më shumë”.

Duke shprehur kënaqësinë nga hapja e konsullatës së nderit në Antalya, ministri serb tha se “Antalya për turistët serbë është një rajon shumë i rëndësishëm dhe hapja e kësaj konsullate në këtë vend është shumë e rëndësishme për ne”.

Kryediplomati serb theksoi se do të punojnë në drejtim të interesave të popujve ballkanas që jetojnë në Turqi dhe popujve muslimanë që jetojnë në Serbi./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne