Dashuri me shikim te pare/Kamza dhe Trump

Nga Enver Rrobelli

Tani që Donald Trumpi është shpallur qytetar nderi i Kamzës, tani që në Kamzë është inauguruar edhe «Bulevardi Donald Trump», miqësinë e përhershme, të përjetshme, të përgjithmonshme, të pambarim mes shqiptarëve dhe Amerikës nuk mund ta turbullojë askush. Gjërat do të ecin edhe më mirë kur kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, ky Henry Kissinger i nënvleftësuar ballkanik, do të bëhet ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe kur Lulëzim Basha do të jetë kryeministër. Një shënim mbi politikën shqiptare, që më shumë duket se është emision i humorit të zi.

Kush shkon këto ditë në zyrën e Edi Ramës pashmangshëm do të ballafaqohet me çadrën e opozitës. Edhe ata që hyjnë në selinë e kryeministrit përmes ndonjë dere anësore, do të dëgjojnë së paku poteren e opozitës. Edhe vetë kryeministri, ndonëse i akomoduar në «sallonin e tij të fluturave» (një mur me flutura të vizatuara prej tij), duket se nuk ndihet fort rehat.

Brohoritjet, klithmat, thirrjet e opozitës dëgjohen mirë edhe në zyrën e Edi Ramës. Pothuaj për çdo ditë përsëritet rituali i njëjtë: një grup militantësh të Partisë Demokratike (PD) tubohen në çadër dhe dëgjojnë fjalime të krerëve të PD-së. Herë flet Lulëzim Basha, herë Sali Berisha, herë ndonjë tjetër. Shpesh këta njerëz duken si talente të humorit bizar. Me çdo kusht përpiqen të tregojnë se Edi Rama qenkësh jo më pak se antiamerikan. Dëshmia? Një intervistë pak mendjelehtë e Ramës në CNN para zgjedhjeve në SHBA, ku ai thoshte se një president me emrin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte fatkeqësi.

Gjithsesi, kryeministri i një vendi të vogël si Shqipëria do të ishte më mirë të mbyllte gojën dhe të mos merrte pjesë në këto debate, aq më tepër që edhe politikanë më të rëndësishëm se Edi Rama kanë preferuar të heshtin ose të jenë më të kujdesshëm në lidhje me Trumpin. Fundja, e kanë zgjedhur amerikanët dhe së pari ata le t’i bartin pasojat. Siç fryhen gjërat në Shqipëri për beteja perverse politike edhe «çështja Trump dhe Edi Rama» është bërë temë e debatit publik. Dhe çfarë bën vaki? Në Kamzë, një lokalitet afër Tiranës, në nëntor Donald Trumpi u shpall «qytetar nderi». Se çfarë ka bërë Trumpi për Shqipërinë, se çfarë

merite ka – nuk dihet, por kujt i intereson kjo, kur, në fund të fundit, edhe Komiteti i Nobelit i ka dhënë Barack Obamës Nobelin për Paqe pa arritur asnjë sukses në politikën e jashtme. Lajmin se Trump është shpallur qytetar nderi i Kamzës e dhanë shumë media, madje deri në Zelandën e Re. Natyrisht në rubrikën e kurioziteteve apo – thënë më qartë – në kronikën e budallallëqeve ballkanike. Por, historia nuk mbaron me këtë episod. Kamza dhe Trumpi – kjo duket të jetë dashuri në shikim të parë. Kryebashkiaku Xhelal Mziu ditë më parë vendosi t’i bëjë edhe një nder Donald Trumpit.

Në lagjen e Frutikulturës në Kamzë Mziu dhe Basha inauguruan «Bulevardin Donald Trump». Ky ishte një rast i mirë që dueti Mziu dhe Basha të mallkonin edhe njëherë «antiamerikanin Edi Rama», i cili i paskësh prishur raportet e shkëlqyera shqiptaroamerikane. Disa media shqiptare e ndoqën me shumë seriozitet këtë ngjarje. Mziu tha se Trump shumë shpejt do të vizitojë Shqipërinë, por së pari «populli» do ta rrëzojë Edi Ramën. Si vëzhgues kur i dëgjon këto batare retorike në radio, nuk je i sigurt nëse ky është një program humoristik apo politikë nga jeta reale e shqiptarëve?

Ky duket të jetë edhe problemi i Shqipërisë: s’dallohet më humori nga debati politik. Tani që Donald Trumpi është shpallur qytetar nderi i Kamzës, tani që në Kamzë është inauguruar edhe «Bulevardi Donald Trump», miqësinë e përhershme, të përjetshme, të përgjithmonshme, të pambarim mes shqiptarëve dhe Amerikës nuk mund ta turbullojë askush. Gjërat do të ecin edhe më mirë kur kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, ky Henry Kissinger i nënvleftësuar ballkanik, do të bëhet ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe kur Lulëzim Basha do të jetë kryeministër. Natyrisht me këtë nivel humori bizar, ku e kanë zbritur politikën Basha dhe Berisha, fitorja e tyre në zgjedhje duket po aq e mundshme sa uturimi në hënë i Xhelal Mziut. Shqiptarët që nga rënia e komunizmit janë pengje të dy blloqeve politike: të ashtuquajturve socialistë dhe të ashtuquajturve demokratë. Të dy partitë e mëdha më shumë përfaqësojnë interesa oligarkësh dhe mafiesh të llojllojshme se sa interesat e elektoratit. Alternativa të vërteta në zgjedhje shqiptarët nuk kanë. Ata zgjedhin të keqen më të vogël. Përse ta zgjedhin Bashën kur sa herë që shfaqet në televizion apo në çadër shumë shqiptarëve u kujtohen akuzat ndaj tij në lidhje me keqpërdorimet e mundshme gjatë ndërtimit të asaj që quhet rrugë e kombit dhe që sot e kësaj dite nuk ka përfunduar dhe pjesë-pjesë madje është një rrugë mjaft e rrezikshme. Në mungesë alternative ka gjasa qe shqiptarët të përkrahin sërish Partinë Socialiste dhe LSI-në e oligarkut Ilir Meta, i cili në fakt është sundimtari i heshtur i Shqipërisë. Kush është i verbër do ta konsiderojë alternativë të mirë një koalicion të tillë edhe në 4 vitet e ardhshme. Vërtet, aty-këtu Shqipëria ka ndryshuar, ka marrë njëfarë shkëlqimi, por ndryshim thelbësor nuk ka. Korrupsioni mbetet kancer i shoqërisë, baronët e drogës vazhdojnë të jenë të lidhur me pushtetin, respekti për forcat e sigurisë është baras me zero, ndërsa hetuesit italianë thonë se prodhimi i kanabisit nën qeverisjen e Ramës është trefishuar, amerikanët thonë se është katërfishuar. A është kjo alternativa e Shqipërisë? A nuk ndryshon kurrë Shqipëria? Në korrik të vitit 2005, pasi fitoi zgjedhjet, Sali Berisha në një intervistë dhënë revistës gjermane «Der Spiegel» deklaronte: «(Fatos) Nano është pronar i një ndërmarrjeje transportuese me helikopterë, klientët kryesorë të së cilës janë tregtarët më famëkeq të drogës në Shqipëri.

Ata transportojnë heroinë dhe kokainë nëpër Shqipëri dhe e çojnë në Kukës dhe nga atje në vendet fqinje». E saktë kjo? Apo jo? Një dreq e di. Fakt mbetet se edhe nën qeverisjen e Edi Ramës pilotë të pensionuar nga Italia po aterrojnë në bregdetin shqiptar – jo për të mbledhur guaca, por për t’u ngarkuar me opium. Por, siç u tha, gjërat do të kthehen për së mbari kur nga sheshi kryesor i Tiranës të heqim përmendoren e Skënderbeut dhe të vendosim një shtatore të Donald Trumpit. Shqiptarët janë popull me shumë talente. Dhe këtë e dëshmon edhe Xhelal Mziu me idetë e tij për nderimin e presidentit Trump në Kamzë.

Ndërkohë gjeniu popullor ka shkruar edhe disa këngë. Njëra tingëllon kështu: «Thellë në malet e Skraparit, / lindi burri i vatanit, / kush m’i qan hallet e mia, / Ilir Meta LSI-ja». Kënga tjetër i kushtohet Lulëzim Bashës: «O moj Serbi o varrin ta plasa, / o se k’tu po i thon hajde Lulzim Basha, / o moj Serbi, o murin ta prisha, / o k’tu po i thon o Sali Berisha». Në këtë atmosferë festive do të ishte mirë që që edhe aeroporti i Kukësit të merrte emrin Donald J. Trump. Paramendojeni fluturimin e parë «Kukës D.J.T. Airport – New York JFK Airport»Dritare.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne