Ish-kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu tha se ngjarjet aktuale në Siri tregojnë qartë se disa qarqe duan ta ndajnë këtë shtet dhe të pamundësojnë zbatimin e politikave turke të integrimit në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency.

Përfaqësuesi aktual i Parlamentit turk nga Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Davutoğlu mori pjesë në tubimin e organizuar nga Shoqata për nxitjen e miqësisë, arsimit dhe kulturës (DOSTDER) në Samsun, dhe me këtë rast komentoi mbi situatën aktuale në Siri.

Duke theksuar se Turqia kurrë nuk ka patur problem me kurdët e Sirisë, ish kryeministri turk Davutoğlu tha se as edhe operacioni aktual ushtarak “Dega e Ullirit” në Afrin nuk është drejtuar kundër kurdëve, por kundër terroristëve.

Ai kujtoi se anëtarët e fiseve kurde nga Siria 100 vjet më parë ishin një pjesë integrale e ushtrisë osmane.

“Kurdët sirianë janë vëllezërit tanë, por është i qartë qëllimi i atyre që duan ta forcojnë organizatë terroriste YPG dhe si të tillë ta përdorin për grindje mes popullit turk dhe sirian. Qëllimi i tyre është ta dobësojnë Turqinë dhe të thyejnë krahët e saj”, tha Davutoğlu.

Davutoğlu gjithashtu shtoi se Turqia ka shkruar një ngjarje të madhe historike me hapjen e dyerve dhe kujdesin për miliona refugjatë sirianë.

“Të jeni të bindur, se atë që ka bërë Turqia për refugjatët sirianë nuk do të harrohet për një mijë vjet”, përfundoi Davutoğlu.

46