Davutoglu: Maqedonia në krye të shteteve kyçe për stabilitetin e Ballkanit

Ish-kryeministri i Republikës së Turqisë dhe deputet aktual i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Ahmet Davutoğlu, në kuadër të vizitës së tij në Maqedoni vizitoi edhe zyrën e Anadolu Agency (AA) në Shkup dhe u informua me punën e këtij institucioni.

Ish-kryeministri turk tha se Turqia dhe Maqedonia kanë marrëdhënie miqësore që do të zgjasin përgjithmonë. Ai shtoi se të dy vendet kanë bashkëpunim shumë të ngushtë dypalësh.

“Maqedonia është një nga shtetet shtyllë të Ballkanit. Territori i saj mund të duket i vogël, por është në krye të shteteve më kyçe për stabilitetin e Ballkanit. Në këtë drejtim, multikulturalizmi këtu, zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike në paqe dhe ruajtja e unitetit dhe integritetit të Maqedonisë kontribuon në masë të madhe për stabilitetin në Ballkan. Ndonëse mund të ketë mendime të ndryshme në procesin politik, qoftë nga presidenti Ivanov, qoftë nga kryeministri Zaev, qoftë nga partitë, natyrisht, ajo për të cilën të gjithë dakordohen është vazhdimi i miqësisë me Turqinë. Unë pashë qëndrim shumë të vendosur të kryeministrit Zaev. E them sërish, kjo urë e miqësisë mes Turqisë dhe Maqedonisë ka themele të forta që do të vazhdojë përjetësisht”, deklaroi Davutoğlu për AA.

“Sa më parë të tejkalohet problemi me Greqinë dhe të ndodh ky integrim”

Ish-kryeministri i Turqisë dhe deputeti aktual në Parlamentin turk tha se një nga politikat e pandryshueshme të qeverive të Turqisë është ta mbështesin integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.

“Integrimi në NATO po ashtu do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë. Është proces që do ta ruajë stabilitetin politik. Ka rëndësi të madhe që sa më parë të tejkalohet kriza me emrin me Greqinë dhe të ndodh ky integrim. Lidhur me këtë, Turqia gjithnjë ka dhënë dhe do të vazhdojë ta japë mbështetjen e saj”, deklaroi Davutoğlu.

“Ballkani duhet të ruhet si një rajon i paqes dhe stabilitetit”

Duke përmendur bashkëjetesën mes njerëzve të feve dhe etnive të ndryshme në Ballkan, Davutoğlu tha se është e nevojshme që të gjithë popujt në Ballkan të kenë marrëdhënie të mira dhe t’i zhvillojnë lidhjet fqinjësore në mënyrë që të ruhet struktura e këtillë gjeografike.

“Ajo që është me rëndësi është të neutralizohen ata që përpiqen ta bëjnë Ballkanin një vend në të cilin nuk mund të jetohet. Ballkani ka natyrën më të bukur në botë, qytetet më historike dhe njerëzit më të mirë. Nuk duhet t’u jepet rast atyre që përpiqen t’i përçajnë këta njerëz, por Ballkani duhet të ruhet si një rajon i paqes dhe stabilitetit. Ballkani është vend ku jetohet, e jo rajon nga i cili iket”, tha Davutoğlu për AA.

Duke folur për terrorizmin dhe flukset e refugjatëve, Davutoğlu tha: “Parimi më i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit është të mos tolerohet asnjë organizatë terroriste, pra, kundërshtim nga të gjithë aktorët ndërkombëtar ndaj të gjitha organizatave terroriste. Ndërkaq, për sa i përket refugjatëve, ne duhet t’ua shtrijmë dorën të gjithë refugjatëve pa dallim përkatësie fetare. Nëse arrihet ky unitet, nëse arrihet ndërgjegje e përbashkët kundër terrorizmit botëror dhe qëndrim i përbashkët human për refugjatët, atëherë mund të arrihet avancim në këto dy pika”.

Davutoğlu foli me punonjësit e AA-së, ndërsa për funksionimin e këtij institucioni në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë u informua nga editori i servisit të AA-së në gjuhën shqipe dhe maqedonase, Adnan Idriz. Duke theksuar se AA është një institucion që ekziston për shumë vite, Davutoğlu tha se AA është një urë shumë e rëndësishme për komunikim.

Pas vizitës së Zyrës së AA-së në Shkup, ai vizitoi edhe Qendrën Kulturore Turke “Yunus Emre” – Shkup, ndërsa më pas presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, do të shtrojë darkë në nder ish-kryeministrit turk në vilën presidenciale “Villa Vodno” në Shkup.

Më herët, Davutoğlu takoi kryeministrin Zoran Zaev, ministrin paresor të Qeverisë së Maqedonisë, Adnan Kahil, si dhe liderët e subjekteve politike në Maqedoni./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne