DEASH merr përgjegjësinë për sulmin në Iran

Organizata terroriste DEASH ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të kryer gjatë paradës ushtarake në qytetin Ahvaz në jugperëndim të Iranit.

Zyrtarët iranianë sot herët në mëngjes njoftuan se grupi i njohur si Al-Ahvaziye është përgjegjës për sulmin, në të cilin humbën jetën së paku 24 persona. Megjithatë, përgjegjësinë për sulmin e mori DEASH-i.

Sulmi është kryer gjatë paradës ushtarake, të organizuar me rastin e 38-vjetorit të luftës iraniano-irakiane.

Organizata terroriste DEASH përmes agjencisë së saj të lajmeve Amak mori përgjegjësinë për sulmin. Ata theksuan se në vendin e ngjarjes ka qenë edhe presidenti iranian, Hasan Rouhani.

Megjithatë, dihet se Rouhani ka qenë i pranishëm në paradën ushtarake, por jo në Ahvaz, por në Teheran. Amak më vonë përmirësoi këtë pohim dhe nuk publikuan video për sulmin.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif, konsideron se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ata që mbështesin terrorizmin në rajon, janë përgjegjës për sulmin e kryer gjatë paradës ushtarake.

Edhe zëdhënësi i ushtrisë iraniane të Gardës Revolucionare, Ramazan Sherif, konfirmoi më herët sot se sulmin ndaj ushtrisë e ka kryer grupi i njohur si Al-Ahvaziye.

Gjatë sulmit, i cili ka ndodhur të shtunën në mëngjes, kanë humbur jetën së paku 24 persona, ndërsa janë lënduar 53 të tjerë. Janë neutralizuar katër sulmues, në mesin e tyre dy janë kapur të gjallë.

Mediat lokale raportojnë se sulmuesit hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë, ndërsa sulmi u krye gjatë një parade të organizuar me rastin e Javës së Mbrojtjes në këtë vend.

Sulmi terrorist mbi ushtrinë u krye nga një grup i njohur si Al-Ahvaziye, i njohur si grup separatist që kërkon të formojë një administratë të pavarur arabe në jugperëndim të Iranit.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne