Debat i ri mes shkencëtarëve; A është e saktë teoria popullore e origjinës së universit?

Tridhjetë e tre nga shkencëtarët më të respektuar në botë, duke përfshirë edhe fizikanin e njohur Stephen Hawking, kanë nënshkruar një letër të hapur duke iu përgjigjur një artikulli të diskutueshëm, i cili i quajti pikëpamjet popullore mbi origjinën e universit joshkencore.

Letra u botua në përgjigje të një artikulli në numrin e shkurtit të revistës Scientific American, në të cilin tre fizikanë kritikuan teorinë popullore të inflacionit.

Teza është se universi filloi të zgjerohej në mënyrë eksponenciale pas Big Bengut, me luhatje kuantike që u përkthyen në yje dhe galaktika. E propozuar për herë të parë në vitet ‘80, ajo tani mësohet si standard në shumicën e shkollave dhe universiteteve, dhe po hulumtohet përmes disa modeleve konkurruese.

Pop Goes the Universe”, shkruar nga Paul Steinhardt dhe Anna Ijjas nga Universiteti i Princetonit dhe Abraham Loeb i Universitetit të Harvardit, argumenton se hulumtimet e fundit në sfondin kozmik të mikrovalëve – rrezatimi i mbetur nga koha e Big Bengut – nuk e mbështesin teorinë e një zgjerimi të shpejtë. Në vend të kësaj, ato paraqesin një teori alternative, “fryrja e madhe”, në të cilën Big Bengu nuk ishte fillimi i universit, por “një kalim nga një fazë kozmologjike para fazës së tanishme zgjeruese”.

“Të dhënat sugjerojnë se kozmologët duhet të rivlerësojnë këtë paradigmë të favorizuar dhe të marrin në konsideratë ide të reja rreth asaj se si filloi universi”, thuhet në përmbledhjen e artikullit.

Problemi që ky artikull kishte në kuadër të komunitetit shkencor nuk ishte në sfidimin e teorisë së inflacionit në vetvete, por pretendimi se në aspekte të caktuara është i padiskutueshëm.

“Kozmologjia inflacioniste, siç e kuptojmë aktualisht, nuk mund të vlerësohet duke përdorur metodën shkencore”, thonë Steinhardt, Ijjas dhe Loeb në fund të artikullit.

Kjo deklaratë e guximshme, e cila në thelb e quan teorinë spekulative, është ajo që i bëri fizikantët Alan Guth dhe Andrei Linde, dy nga pionierët e teorisë së inflacionit, dhe David Kaiser nga MIT dhe Yasunori Nomura nga Berkeley të shkruanin një përgjigje, e cila gjithashtu u botua në Scientific American.

“Ata e mbyllin duke bërë pretendimin e jashtëzakonshëm që kozmologjia inflacioniste ‘nuk mund të vlerësohet duke përdorur metodën shkencore’, dhe vazhdojnë të pohojnë se disa shkencëtarë që pranojnë inflacionin kanë propozuar ‘hedhjen poshtë të një prej përkufizimeve përcaktuese [të shkencës]: testabilitetin empirik’, pra, ‘duke promovuar kështu idenë e një shkence jo-empirike’ “, thuhet në letrën e tyre.

“Nuk kemi ndonjë ide se kujt shkencëtarësh po i referohen. Ne nuk pajtohemi me një numër deklaratash në artikullin e tyre, por në këtë letër, ne do të përqendrohemi në mosmarrëveshjen tonë kategorike me këto deklarata rreth testabilitetit të inflacionit”.

Guth dhe Linde janë ish-kolegët e Steinhardt, me të cilin ata ndanë çmimin prestigjoz Dirac në vitin 2002 për punën e tyre në zhvillimin e konceptit të inflacionit në kozmologji. Letra e tyre është bashkë-nënshkruar me 29 shkencëtarë të tjerë, duke përfshirë katër fitues të Çmimit Nobel dhe Stephen Hawking.

“Ne ishim në mosmarrëveshje të fortë me deklaratat e bëra në lidhje me testabilitetin e inflacionit, për të cilat menduam se janë krejtësisht të pa argumentuara”, tha Guth për faqen Gizmodo. “Menduam se ishte koha që dikush t’ju përgjigjej këtyre kundërshtimeve”.

Fizikanët e kundërshtuan tezën që teoria e inflacionit ishte në gjendje të bënte disa parashikime që janë vërtetuar të sakta, të tilla si densiteti mesatar i masës së universit. Ata gjithashtu e pranojnë se inflacioni është larg nga të qenit i provuar si i vërtetë, dhe se disa prej modeleve të tij janë hedhur poshtë si të gabuara, por thonë se kjo nuk e bën atë jo-shkencor.

“Ashtu si çdo teori shkencore, inflacioni nuk duhet të adresojë të gjitha pyetjet e mundshme. Modelet inflacioniste, si të gjitha teoritë shkencore, mbështeten në një sërë supozimesh,” thuhet në letër. “Askush nuk pretendon se inflacioni është i sigurt; Teoritë shkencore nuk provohen si teorema matematikore, por me kalimin e kohës, ato të suksesshmet krijohen gjithmonë e më mirë nga teste të përmirësuara eksperimentale dhe përparime teorike. Kjo ka ndodhur me inflacionin”.

Të tre shkencëtarët disidentë kanë mbërthyer armët e tyre dhe kanë botuar një FAQ si përgjigje, në të cilin ata pohojnë se “ajo që filloi në vitet ‘80 si një teori që duket se bën parashikime të caktuara, është bërë një teori që nuk bën parashikime të caktuara”.

Duket se ky debat i nxehtë është shumë larg fundit. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne