Debati Lubonja vs Kadare

Përplasja Lubonja vs Kadare të bën të kuptosh se demokracia që pretendohet se kemi është një projeksion postkomunist. Debati të bën të reflektosh në atë se ajo që përjetojmë është në fakt një “matrix” politik i të ardhmes i përpunuar nga mendësi të së shkuarës, e cila vazhdon të komandojë të tashmen. Alena Ledenieva shpjegon ndryshimin e strukturës kontrolluese të shoqërisë gjatë komunizmit dhe pas tij në vendet ish sovjetike e cila njihet me termin sistema. Gjatë komunizmit sistema ishte partia dhe qeverisja e cila kryesisht funksiononte nëpërmjet kritereve informale të besimit të një rrjeti njerëzish. Kjo borgjezi bolshevike ishte mbistruktura politike e cila qeveriste jetën politike të shoqërie në mënyrë vertikale. Pas rënies së komunizmit, sistema u transformua në një formë klandestine dhe u kthye në burimin e pushtetit dhe fuqisë të elitës së re intelektuale dhe politike të vendit. Pra u kthye në një“nën strukturë” mbajtëse e pushtetit të korruptuar cila kishte një shtrirje më të gjerë vertikale dhe organizim më pak hierarkik. Sistema ose “nën struktura” post komuniste përfshinë të gjithë apartçikët dhe intelektualët që i shërbyen sistemit të vjetër, të cilët u shpërndanë në të gjithë institucionet të cilët gjeneronin pushtet politik, ekonomik dhe intelektual gjatë post komunizmit. Në disa vende si Azerbajxhani për shembull sistema arriti të kishte vazhdimësi edhe në elitën qeverisëse, në disa të tjera u kthye në burim pushteti për elitat e reja si rasti i Kadirovit në Çeçeni.

Sistema ose “nën struktura” nuk duhet kuptuar vetëm si një grupim njerzish por mbi të gjitha si filozofi politike e drejtimit të shtetit dhe shoqërisë. Duhet kuptuar si qasje e kundërt ndaj demokracisë dhe demokratizimit. Në rastin e Shqipërisë, në mungesë të studimeve serioze, analizat të formatit të këtij shkrimi rreth shpjegimit të nën strukturës apo “sistema” në Shqipëri janë thjeshtë të natyrës hipotetike. Dhe debati Lubonja v. Kadare duhet lexuar edhe në këtë kontekst, duhet parë sesa i sofistikuar ka qënë sistema atëherë dhe sesi në mënyrë të suksesshme arrin dhe sot të mbaj peng shoqërinë shqiptare. Ky debat duhet analizuar dhe si një indikator i sfidave të demokratizimit. Duhet pasur parasysh gjithashtu edhe sforcimi i demokratizimit dhe pikëpyetjet rreth tranzicionit politik në Shqipëri.

Demokracia duket se u tolerua nga “nën struktura” si konvencion i kohës që po kalonte e gjithë Evropa Lindore e asaj periudhe, dhe u përdor si një formë e sofistikuar e riorganizimit të pushtetit. Mos hapja e dosjeve, mos investimi i qëllimshëm në analizën e të shkuarës pa ngarkesa politike, mos dekomunistizimi faktik i institucioneve edhe pas 27 viteve demokraci janë disa tregues të cilët të çojnë në konkluzionin se të gjitha këto ngjarje kanë ndodhur jo se klasa politike ishte e papërgatitur, pasi të gjitha këto etapa u kaluan në vende si ish Gjermania Lindore, Polonia, Çekia etj me shumë sukses, dhe mundej fare mirë të ndiqeshin praktikat e tyre. Por se demokracia erdhi në kushtet e një zhvillimi gjeopolitik i kohës dhe jo si një kërkese masive që shoqëria kishte për të ndryshuar. Në këtë epistem politike të pazgjidhur, një rol frenues pa dyshim ka luajtur edhe izolimi i tejskajshëm deri në kapilarët më të largët ku shtrihej ajo pak inteligjencë qoftë edhe në zonat rurale, e cila e ktheu Shqipërinë në një “Kore të Veriut” të Europës Lindore. Filozofia e “nën strukturës” ka arritur të krijoj një realitet false të demokracisë, një matrix politik, i cili në fakt, është një liri formale por e robëruar me mjete informale të cilat nuk janë të përgjegjshme ose nuk mund të kontrollohen me mjete demokratike. Ky matrix politik është një informalitet demokratik nga e cila përfiton “nën struktura”.

Debati Lubonja v. Kadare, informon gjithashtu rreth shqetësimit që shumë nga brezi ri ka në lidhje me arsyet pse politika shqiptare bie në mënyrë periodike në“hone” të njohura të destabilizimit politik, i cili duket se ende është nën frenat e të shkuarës. “Nën struktura” duket se e konsideron inteligjencën qëi rezistoi komunizmit por dhe asaj pak që u formësuar gjatë demokracisë si rrezik eminent të saj. Numri i ulët i zërave kritik duket se është një ndër treguesit e arritjes së fitores së“patriarkëve” të së shkuarës që influencojnë jetën politike dhe ekonomike pas perdes. Duket sikur ka një përpjekje për të shkëputur lidhjen midis atyre pak zërave të lirë publik dhe me integritet,njohës të mirë të së shkuarës, dhe inteligjencës së re. Ndjehet gjithashtu, dëshira për ti neutralizuar kritikët e “borgjezizë” së re. Tek tuk, ndjen sesi dhe dje, “nën struktura” ka arritur të mbaj të gjallë“Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve“, madje duke e pasuruar atëme të rinj, të cilët gati me të njëjtat forma të kritikës së pamoralshme por të servirura në emër të moralit publik, godasin çdo zë kritik që guxon të kritikojë ose të japë një version tjetër të së vërtetës. Chomsky do t’i konsideronte si intelektual të korruptuar pasi fshehin të vërtetën dhe i shërbejnë pushtetit.

Nga ky debat nënkupton edhe sesa në mënyrë të sofistikuar mbistruktura e djeshme i përdorte dhe i përplaste “njerëzit e letrave” duke i kthyer ata në burim konflikti social siç do t’i cilësonte Edmund Burke, dhe sesi ajo filozofi mendimi vazhdon ti përplasi edhe sot. Është shqetësuese të lexosh sesi ata që janë aktorët dhe dëshmitarët e një të vërtete të hidhur të së djeshmes janë thjesht disa dosje të kyçura në pseudonime dhe të cilat hapen vetëm nga ata të cilët e kanë këtë mundësi ose që posedojnë dijen e “shantazhimit”. Këta individë, “dosje” të inkriminuara, përdoren për të amnezuar dhe fshehur të vërteta që zbulojnë komanduesit e “matrix” politik shqiptar që sa vjen dhe sofistikohet nëpërmjet përpunuesve kryesor të opinionit publik si media dhe institucionet arsimore.

Pra nëse ka një shqetësim real politik sot ai është debati rreth fytyrës dhe mjeteve që përdor “nën struktura” për të formuar një demokraci artificiale të cilin po përjetojmë për 27 vite. “Nën struktura”, paçka se shumë mund të mendojnë se është në vitet e pensionit të saj politik, ka arritur me sukses të krijoj narrativën e vet mbi atë që ndodh sot duke u përpjekur ta shkëpusi lidhjen shkak pasojë nga e djeshmja por ndërkohë të krijojë “bashkëpunëtorët” e saj të rinj të sotëm me të shkuarën. Jo pa qëllim nxirren dokumente të paplota nga arkivat të cilat hidhen në publik në momente të rëndësishme politike për konsolidimin e demokracisë shqiptare.

Debati Lubonja v. Kadare, përtej elementëve subjektiv, edhe njëherë risjell në vëmendje kompleksitetin e premisave që u vendos demokracia në Shqipëri ku siç duket pushteti “trashëgohet” brenda gjindjes politike dhe shoqëria neutralizohet nëpërmjet tollovitjeve të shpeshta të sistemeve zgjedhore ku sapo familjarizohet me të parën, menjëherë i serviret sistemi tjetër zgjedhor në mënyrë manipuluese. Në fund, është“nën struktura” që nëpërmjet institucioneve të saj informale ka kontrollin real mbi jetën politike të shqiptarëve. Ligjbërja, debati parlamentar, kriteret përzgjedhëse të deputetëve, forma zgjedhore janë thjesht veli që ju hidhet shoqërisë për ta bërë atë të ndjehet se po jeton në një realitet demokratik. Mjafton të kuptosh sesa i vështirë është bërë aksesi në partitë politike shqiptare, sesa e papërgatitur është shoqëria shqiptare ndaj ofertave të guximshme politike, sesa e kufizuar është shoqëria ndaj zgjidhjeve dhe zgjedhjeve dhe sesa jo funksionale janë mjetet formale të zgjidhjeve politike. Nuk mund ti jepet interpretim tjetër shqetësimeve që ngre shoqëria shqiptare prej 27 vitesh në lidhje me dështimet e herë pas hershme të reformave jetësore për vendin si formimi i një demokracie reale dhe funksionale. Duket që ky dështim nuk është thjesht pjesë e zhvillimit natyral politik të shoqërive në tranzicion. “Nën struktura” ka arritur tashmë të krijojë fizionominë e saj, e cila me sukses ka arritur të manipulojë edhe institucionet ndërkombëtare. Debati Lubonja v. Kadare,për të disatën herë konfirmon sofisitikimin dhe seriozitetin e filozofisë së pushtetit të“nën strukturës”. Pra në thelb debati Lubonja v. Kadare është sfidues për të kuptuar se kush është “sistema” në kuptimin politik në Shqipëri dhe sa e lidhur është ajo më të shkuarën? Dhe sa e ndërgjegjshme është shoqëria shqiptare për të kuptuar dhe për të dalë nga“matrix” politik që po i serviret në këto 27 vite tranzicion politik./ pb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne