Dëbora shembi karburantin, humb jetën 52 vjeçari në Shkodër

Burri 52 vjeçar që humbi jetën pasi u zu poshtë, teksa u shemb çatia e pikës së karburantit ishte baba i dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e tij ndodhi mbrëmjen e së enjtes në hyrje të qytetit të Shkodrës.

Reshjet e dendura të dëborës gjatë dy ditëve të fundit kanë bërë që struktura metalike e pikës së karburantit të shembet.

Pas rrëzimit është shkaktuar dhe zjarr, duke bërë që një prej punonjësve ta kishte të pamundur të dilte. Viktimë mbeti Tonin Loci, 52 vjeç, banues në Shkodër dhe baba i dy fëmijëve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 dhe dyshohet se shkak ka qenë rëndesa e dëborës në çati.

Një gjë e tillë përforcohet nga fakti se një incident i ngjashëm ka ndodhur me një tjetër pikë karburanti të së njëjtës firmë po në Shkodër, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i fermentimit”, ku në këtë rast nuk ka pasur asnjë person të lënduar. Shkaku mbetet ende në kuadër të dyshimeve, pasi do të jenë hetimet e Policisë dhe Prokurorisë së Shkodrës që do të përcaktojnë shkakun e incidentit që i mori jetën 52- vjeçarit Loci.

Pas shembjes së strukturës metalike, Policisë dhe forcave zjarrfikëse u është dashur disa orë për të nxjerrë trupin nga rrënojat. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, forcat e Policisë vendosën perimetër sigurie për të shmangur ndonjë incident tjetër.

“Më datë 10.01.2019, ora 17:10, është shembur një karburant në hyrje të Shkodrës e për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi T. L., 53 vjeç. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e MNZ. Shërbimet e Policisë po punojnë për nxjerrjen e trupit të viktimës dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i fermentimit’ është shembur një tjetër karburant i po së njëjës kompani. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar. Policia po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje”, bëhet e ditur nga Policia.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne