Dëshmi tronditëse nga krimet e luftës në Kosovë. Kadri Muharremi nga Krusha e Vogël dëshmoi kundër Darko Tasiç, ku ky i fundit akuzohet për krime lufte.

Gjykimi ndaj të akuzuarit Darko Tasiç u përcoll dje nën masa të rrepta sigurie, me praninë e rreth 10 gardianëve dhe Policëve, ndërsa gjatë gjykimit kishte edhe momente tensioni. U desh ndërhyrja e kryetarit të trupit gjykues Artan Sejrani, që të qetësonte situatën ndërmjet dëshmitarit Kadri Muharremi, dhe të akuzuarit Darko Tasiç.

Në gjykimin ndaj të akuzuarit Darko Tasiç, të akuzuar për Krime lufte ë Krushë të Vogël në mars të 1999, kanë vazhduar rrëfimet e tyre dëshmitarët sipas radhës së propozuar nga ana e prokurorisë speciale.

Ditën e enjte në Gjykatën Themelore Prizren si dëshmitar i radhës u paraqit Kadri Muharremi, nga Krusha e Vogël i cili u përgjigj në pyetjet e parashtruara nga prokurorja vendore Drita Hajdari, nga radhët e prokurorisë speciale. Ndërsa për të akuzuarin Darko Tasiç, të cilin deri tash e kishte mbrojtur avokat Dejan Vasiç, i njëjti do të jetë mbrojtës i dytë, përderisa të njëjtin do të vazhdojë ta mbrojë avokat Ljubomir Pantoviç, avokat nga Mitrovica.

Gjatë kohës sa po i jepte përgjigje në pyetjet e prokurores speciale Drita Hajdari, dëshmitari Kadri Muharremi ndër të tjera deklaroi: “Me 25 mars rreth orës 05:00 të mëngjesit nga shtëpia e Darko Tasiç, Sreçko Tasiç, prej aty ka gjuajtuar në shtëpinë time me granata, me autoblinda, ndërsa nuk as as 15 metra nga shtëpia e Darko Tasiç, ku ishte stacionuar autoblinda, dhe kanë gjuajtur në shtëpinë e xhaxhait tim Muharrem Muharremi, ndërsa me datë 25 mars i kam parë se si po digjeshin shtëpitë e Mahmut Hajdarit dhe djemve të tij”.

Më tutje dëshmitari rrëfeu se: “….me datë 25 mars, mbasdite kur janë djegur shtëpitë e Hajdarëve, Darko Tasiç së bashku me vëllain dhe babanë e tij, i kam parë duke shkuar tek shtëpia e Vuço Petkoviç, pasi që janë ulur aty në terrasë, kanë pirë dhe kanë festuar sikurse me pas dasëm, kanë qenë të veshur me uniforma të Policisë ”.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Tasiç, dëshmitari shtoi se ”…. më ka treguar vëllai i dëshmorit Sejdi Emerllahur, se Darko Tasiç me vëllanë Sveta, dhe babanë Sreçko Tasiç, e kanë marrë Sejdinë nga shtëpia dhe e kanë dërguar për ta pushkatuar me persona tjerë”. Dëshmitari Kadri Muharremi lidhur me datën 26 mars deklaroi se: “….në një moment gjatë një diskutimi me Sava Nikoliçin iu drejtova me fjalët, ‘Sava ju e keni në dorë ju mundeni që ta ndaloni’. Ndërsa sa Sava më tha: ‘Po digjet Beogradi, spo digjet Krusha”.

Kadri Muharremi më tek rrëfeu se: “… me datë 26 rreth orës 14:30, në lumin Drin, kam qenë larg rreth 100 metra, e kam parë se si Darko Tasiç së bashku me vëllain Sveta Tasiç, i kanë vendosur mendoj benzinë kamionit, pastaj e kanë ndezur ia kanë futur flakën. Në kamion ka pasur edhe njerëz të gjallë, edhe i kemi dëgjuar britmat e njerëzve, aty kanë gjuajtur edhe me të shtëna. Kamioni ka qenë i mbuluar me ceradë e nuk i kam parë njerëzit brenda. Ky kamion ka ngelur duke u djegur rreth 1 ditë e gjysëm”.

Në një moment dëshmitari Kadri Muharremi deklaroi: “…. deri në atë ditë me datat 26, 27 mars 1999 kurrë nuk kisha pasur zemër që t’i bëja ndonjë të keqe dikujt. Por nëse atë ditë do kisha pasur armatim, sdo i kisha lënë pa i vrarë”. Po ashtu ai konfirmoi se kishte parë Darko Tasiçin që kishte plaçkitur kamionin.

“Është e vërtetë që e kam parë Darko Tasiçin duke plaçkitur. Kam qenë në një kamion që nuk ishte tërësisht i mbuluar”, tha dëshmitari./ tpz

36