“Deklarata nga Soçi do të jetë shpresë për rajonin”

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është shprehur se deklarata që do të dalë nga Soçi, do të jetë një shpresë shumë më e ndryshme edhe për rajonin.

Erdoğan, duke folur para takimit bilateral me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në rezidencën presidenciale në Soçi, ka rikujtuar se me homologun rus kanë kryer takime të shumta, si në Soçi, në Stamboll dhe Teheran.

“Shkëmbimi i ideve tona për çështjet politike, ushtarake dhe ekonomike me Rusinë janë në dimensionet për të forcuar njëri-tjetrin. Solidariteti ynë për çështjet rajonale i jep shpresë rajonit. Në këtë moment besoj se jo vetëm rajoni, por sytë e botës janë sot në Soçi. Deklarata që do të dalë nga Soçi, besoj se do të jetë një shpresë shumë më e ndryshme edhe për rajonin”, tha Erdoğan.

– Putin: Marrëdhëniet Rusi-Turqi janë duke u zhvilluar në mënyrë pozitive

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të diskutojnë çështje të komplikuara dhe se do të kërkojnë rrugët e zgjidhjes së tyre.

Putin në një deklaratë para takimit kokë më kokë me presidentin Erdoğan në rezidencën presidenciale në Soçi, tha se me presidentin Erdoğan kryejnë takime shpeshherë.

“Marrëdhëniet tona me Turqinë janë duke u zhvilluar në një mënyrë pozitive dhe janë në rritje të shpejtë nga pikëpamja tregtare. Marrëdhëniet tona po zhvillohen edhe në aspektin e sigurisë rajonale. Gjithashtu ne po zhvillojmë marrëdhëniet tona me një gamë të gjerë në drejtim të politikave ndërkombëtare”, tha presidenti i Rusisë.

Duke tërhequr vëmendjen se janë zhvilluar marrëdhëniet drejt politikës ndërkombëtare, Putin ka deklaruar se, “Kemi shumë çështje që do të diskutojmë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Disa prej tyre janë të komplikuara. Edhe do t’i shqyrtojmë, edhe do të kërkojmë rrugët e zgjidhjes”.

Në takim nga delegacioni turk ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, ministrja e Tregtisë, Ruhsar Pekcan, kreu i inteligjencës turke (MIT), Hakan Fidan, zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın dhe kreu për Komunikimin në Presidencë, Fahrettin Altun.

Ndërsa si pjesë e delegacionit rus në takim morën pjesë ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, ministri i Energjisë, Aleksandër Novak, ministri i Mbrojtjes, Sergej Shojgu dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Pas marrjes së pamjeve nga mediat, takimi mes Erdoğan dhe Putin vazhdoi me dyer të mbyllura.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne