Deklasifikohet dosja hetimore-gjyqësore e poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi

Nga Kastriot Dervishi.

Një miku im, kureshtar për çështjet arkivore më dërgoi sot kapakun e një dosjeje hetimore-gjyqësore shoqëruar me pyetjen në janë apo jo këto lloj dokumentesh informacione të klasifikuara sekret shtetëror. Ishte fjala për dosjen hetimore-gjyqësore, në ngarkim të poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmit, Bedri Blloshmit, etj, e cila iu dhurua para disa ditësh djalit të Gencit, pavarësisht se ky i fundit asnjëherë në këto vite nuk ka treguar interes për të.

U habita teksa në kapakun e dosjes vërejta një vulë me shënimin “deklasifikuar”. Gjej rastin kësisoj, që mikut dhe publikut t’i jap informacionin e mëposhtëm.

Kjo dosje, pjesë e fondit prej më pak se 14 mijë dosjesh të fondit hetimor-gjyqësor të Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka qenë dhe është lirisht e shfrytëzueshme. “Deklasifikimi” i kryer nuk e di për çfarë arsye nga Autoriteti “për hapjen e dosjeve”, jo vetëm është veprim i kotë, por dëshmon më së miri mosnjohjen e legjislacionit për arkivat dhe informacionin e klasifikuar sekret shtetëror.

Dosja është e njëllojtë me çfarëdolloj dosje hetimore-gjyqësore në Shqipëri, të cilat gjenden në gjykatat e vendit, pavarësisht natyrave të çështjeve. Sigurisht edhe këto dosje nuk janë të klasifikuara sepse nuk mund të jenë të tilla pasi janë procese publike. Dosja e poetëve është marrë nga Arkivi (pjesë e së cilit është ligjërisht) në kundërshtim me rregullat arkivore, duke dalë nga njësia e ruajtjes duke bërë xhiro dhe tani po i tregohet publikut si “dosje sekrete”.

Autoritetit, çdo dokument i kohës së komunizmit i duket sikur vjen nga Sigurimi, madje për dosjet hetimore-gjyqësore, në ligjin e tyre kanë vendosur edhe një përcaktim të çuditshëm që nuk shkon as nga ana gjuhësore dhe as nga ajo ligjore, “për sa kohë qëndrojnë te Sigurimi” (nuk e kam kuptuar asnjëherë se ku është ky Sigurim imagjinar, sepse dosjet qëndrojnë në arkiv e jo në Sigurim).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne